Tuesday, 8 October 2013

NE EMIGRANTET (n+1)

NE EMIGRANTET Më kujtohet dikush në Atdhe, "Ju emigrantët u bëtë njerëz!" Unë nuk i kundërshtova, jo pse më erdhi mirë, por se më dukej si e kotë t'i përgjigjesha, që jemi i njëjti brumë dhe cilësia e "furrës" nuk mund të sjellë ndryshime kaq të mëdha, sa nga "bagëti" të na kthejë në njerëz. Sigurisht që ndonjë gjë të re e kemi mësuar dhe ndonjë tarbiet të mirë e kemi marë, por mbetemi ata që kemi qënë, sidomos ata që kanë emigruar pasi kanë mbushur të tridhjetat. Në mjediset kolektive të emigrantëve shqiptarë gjen të njëjtën aromë "rakie", parfumesh të lira dhe bisedash "gozhdë-potkonjëse", si në kafenetë e qyteteve të Atdheut. Mbi të gjitha, veç krenarisë dhe patriotizmit, ne emigrantët rrezatojmë kompetencë. Dhe jemi në gjendje jo vetëm që fenomenet shqiptare t'i aplikojmë në dimensione superfuqish, por edhe të bëjmë analiza makro-shoqërore dhe gjeopolitike të kontinenteve ku jetojmë si dhe më gjerë. (Në postimet e këtij blogu ata që e ndjekin mund të gjejnë plot analiza të këtij karakteri të bëra nga emigranti Naum.) Psh një shofer labo-amerikan i linjës "Greyhound", një ditë më zbërtheu me detaje se si luftën në Irak e kishte nisur Bushi, Dik Ceni dhe Ramsfeld për të përfituar 600 miliard dollarë, të cilat i ndanë më tresh. (Mua nuk më bëri përshtypje se si mund të kishte një informacion kaq të brendshëm shoferi lab, por zemërgjerësia e Bushit që edhe pse president kishte marë pjesë të barabartë me dy vartësit e tij.) Dy vjet më parë, pasi kisha rreth 14 vjet që jetoja në Kanada, nga një grup korçarësh në Toronto mësova se ky vend sundohet nga çifutët. Kjo më tmerroi, se 80 vjet më parë, gjyshi në Stamboll kishte falimentuar, i mashtruar nga ortaku i tij çifut. Mendova që ky paska qënë fataliteti i Marave. Të mos ngrenë dot kokë ekonomikisht për shkak të zionistëve! Për të mësuar më shumë se ç'kishin në dorë çifutët dhe se si mund t'ju shmangesha i pyeta bashkëqytetarët, se në ç'fusha të jetës shtrihej ndikimi i çifutëve. "Në të tëra" më thanë. "Nuk i njeh çifutët ti?" Unë ca i njihja, se dentistin, doktorin dhe një bos i kisha pasur çifutë, por si duket ata më kishin mashtruar se nuk më ishin dukur shumë të këqinj. Por edhe këtë shqetësim ma fashiti një bisedë e mëvonshme me një korçaro-amerikan, i cili kishte mësuar për një zbulim të fundit, që banorët e fshatit Treskë të Korçës janë çifutë të ardhur nga Selaniku. Meqënëse mëma ime i ka të dy prindrit nga ky fshat dhe të qënit çifut varet nga mëmësia, unë mund të përfitoj statusin "jahudi" dhe t'i jap fund halleve. Thjesht do më duhet një rrethprerje. Se dy tre fjalë bazë i kam mësuar. Kishte të drejtë bashkëatdhetari që më tha dikur që Emigrimi të bën Njeri!

No comments:

Post a Comment