Wednesday, 30 September 2026

Një manipulator “i paplotësuar


Duke mos qënë plotësisht i bindur se jam një manipulator “infantil”, “mesatar” apo “bajagi i mirë“ u drejtova sërish në Artificialka. Unë nuk përdor ChatGPT dhe asnjë lloj aplikimi tjetër nga këto të avancuarat, se mbase dhe duhet të paguash dhe nuk kam ndërmend që t’i qit edhe këto dy para mend, që më kanë mbetur, duke paguar para. Ndaj futem në Google dhe pyes dhe ata kanë një Artificialkë të tyre , e cila “m’i bën lopka”.

Nuk di si ta fus në anglish “i plotësuar”sepse mund të jetë edhe ndryshe nga koncepti i kryeqytetit tonë të nderuar, që është përhapur tani në mbarë Shqipërinë. Me sa ma ka sqaruar një shok në Atdhe “i plotësuar” je kur ke një karrierë të mirë, mundësisht në shtet, një apartament në qëndër dhe një vilë në Palasë me ose pa pishinë, ke BMW, fëmijët të studiojnë jashtë dhe ke një dashnore, e cila nuk të rëndon shumë në buxhet.

“E plotësuar” është një grua, që shkon në palestër, ka karrierë të mirë në privat, ka dy apartamente në Tiranë dhe një restorant në Shëngjin, fëmijët i studiojnë jashtë dhe bën edhe nga ca dashuri me bosin.

Këtu ku jetoj flasin frëngjisht dhe kur pyeta komshiun më pa shtrembër , ndaj unë nuk di tamam se ç’quhet një mashkull i plotësuar në vendbanimin tim.

Po të shes shtëpinë dhe të shkoj në Korçë, si dhe të ble një garsonierë në Jalë, se apartamentin ku kam jetuar e kam, do më duhet karrierë, që është e zorshme në moshën time, BMW dhe një dashnore që nuk kërkon shumë peshqeshe.

Ndaj jam në mëdyshjen a jam apo jo i plotësuar. E di që përgjigja është Jo. Por në Google po e fut “unsuccesful” dhe të shohim ç’do dalë. Po e formuloj “Could a manipulator be unsuccesful in his life?” (Mund të jetë manipulatori “i paplotësuar” në jetë?”)

Tmerr! Më keq se përgjigja e djeshme! Tamam sikur është bërë për mua.

- Manipulimi bazohet në të mbajturit të fshehtë. Me kalimin e kohës njerëzit venë re shabllone, diskutojnë me të tjerët, deri sa e ekspozojnë manipuluesin dhe ja shkatërrojnë besueshmërinë.

- Manipulatorët i shohin marëdhëniet si transaksione (si puna e Trump). Kur njerëzit e kuptojnë se i kanë përdorur ju largohen dhe i lënë të izoluar.

- Manipulimi më shumë përqëndrohet në fitime të shpejta. Duke qënë një lloj shikimi jo më larg se hunda manipuluesi nuk formon dot synime afatgjata dhe nuk ka karrierë stabël.

- Të mbash të paprekur një rrjet me gënjeshtra kërkon përpjekje të mëdha dhe shumë njohuri. Lodhja mendore, paranoia se do kapet dhe stresi e detyron të bëjë gabime kritike.

Bobo kjo “zhaqetë“ me katër të çara, dy para dy mbrapa, është tamam për trupin tim. Me një fjalë dështimi në karrierë, divorci, izolimi, shkrimet e panevojshme në blog unë i kam pikërisht nga të qënit manipulator gjatë jetës. Pra në përpjekjet për të hequr vetullat pa pickatore, unë ja kam futur pickatoren njërit sy. Dhe tani mund të kem vetëm shpresë të manipuloj qorrat ose të jem i pari në botën e tyre. (Mes qorrëve me një sy).

Të dhj.. mu në analiza psikologjike dhe mu në Artificialkë të Google!

Po të vazhdoj kështu. do më nxjerrë që kam “kompleksin e Edipit”, atë të “Napoleonit”, të “Stokholmit” dhe me siguri Narcisstic Disorder, se për këtë kam patur dyshime, që kur u pashë për herë të parë në pasqyrë.

Ik o katran pi ndonjë birrë të lirë gjëkundi dhe lerë njerëzit, që i përballojnë dot analizat psikologjike të merren me këtë punë!


No comments:

Post a Comment