Tuesday, 29 September 2026

A mund të jetë manipulues një njeri i hapur?


Nuk më kishte shkuar ndërmend më parë kjo pyetje dhe ndoshat ja vlen ta “zhbiriloj” pak se duket si një lojë interesante psikologjike. Për të thënë se kur jam njohur me krenarinë e dikujt që theshte “e manipulova djalin” apo “them ta manipuloj pak burrin” duhet të rikthehem diku tek viti 2014 ose 2015. Më bëri përshtypje se ishte e para herë, që dikush të mburrej se ishte manipulues. Ishte një grua jo shumë e shkolluar dhe ndoshta e kishte mësuar foljen në Amerikën e Veriut, ku konjotacioni nuk është aq i rëndë sa në Shqipëri.

Atë kohë nuk më shkoi ndërmend se dashje pa dashje të gjithë përdorim nga pak manipulim. Vetë kam menduar se nuk kam patur kurrë nevojë të manipuloj dikë, sepse nuk e kam ndjerë kurrë se më duhej dhe madje më është dukur e ulët. Por më duhet të pranoj, se në mënyrë të pandërgjegjshme edhe mund ta kem bërë ndonjëherë. Ndoshta më shumë si “përdorim” i dikujt tjetër.

Për shembull kur ishim adoleshentë dhe kisha për të shkuar diku për të bërë një punë që ma kishin ngarkuar të shtëpisë dhe takohesha me një shok të ngushtë, që e dija se po t’i thoja :“Hajde shkojmë bashkë deri në filan vend”, nga dembelizmi dhe shpirti i kudërshtimit do më theshte: “Oh përtoj nuk vij!” Ndaj i thoja hajde dalim një xhirro dhe duke u kënaqur me muhabet dhe të qeshura arrinim edhe në vendi ku kisha porosinë dhe e mbaroja. Ishte një lloj “manipulimi i detyruar” se me shokë të tjerë të ngushtë nuk kisha pse e bëja se më theshin “hajde shkojmë bashkë“. Po njëlloj isha dhe unë i gatshëm se kisha kënaqësi të isha me ta dhe jo se e quaja se ju bëja ndonjë favor.

E kujtojmë me shokët edhe sot këtë “manipulim”, që ndoshta është nga të vetmit që kam përdorur në jetë. Kam qënë gjithnjë i hapur dhe jam munduar mos veproj me paramendim, për të arritur diçka që është në interesin tim.

Avokati im mund të hidhet e të thotë: “E e hidhjau patave këto, se mua që mi ke rrëfyer të gjitha hyneret, të di edhe plot raste të tjera”!. Po të tjera nuk kujtoj veç një plani me një shok për të thirrur mbledhjen e organizatës së rinisë, me qëllimin që të shkarkonim sekretaren e klasës se “na çante kokën’ dhe të vinim dikë më të butë. Nuk di nëse edhe kjo hyn në manipulim. Ishim në vitin e parë të gjimnazit dhe për këtë mora edhe cilësimin: “O është Mara, një biçim maçok, që bashkë me disa shokë të tij do t’i kundërvihet pjesës së shëndoshë të organizatës së rinisë!” Ishte sekretari i partisë së shkollës, por unë nuk e kam përdorur këtë kurrë për të fituar statusin e “disidentit” se e dija që do më theshin, që ky është“manipulim” dhe jo “disidencë“, pasi nuk ka elementë të kundërvënies ndaj ideologjisë marksiste -leniniste.

Ndaj ju drejtova google me pyetjen “Could an open person be manipulative too?” (mund të jetë manipulues dikush që është i hapur?)

Bobo! Përgjigja më tmerroi! Po e ve të përkthyer saktësisht:

-Disa manipulues përdorin ndershmëri të thellë ose sinqeritet të tepërt si taktikë. Ata tregojnë disa të meta dhe sekrete të rëndësishme të tyre për të fituar besim të menjëhershëm dhe për shmangur mbrojtjen e tjetrit.

- Të qënit të hapur e përdorin si mbulesë. Kur i ve përabllë fakteve mund të të thonë: “Unë jam totalisht i ndershëm!” për t justifikuar kontrollin që ushtrojnë mbi dikë apo veprime që e kanë dëmtuar tjetrin.

- Njerëzit e hapur dhe shumë të shoqërueshëm shpesh dinë t’i lexojnë shumë mirë të tjerët. Kjo ndjeshmëri në rrethana sociale mund të përdoret pozitivisht për të fituar simpati, ose negativisht për të gjetur lehtësisht se ç’marifet të përdorin për të arritur qëllimin.

Me një fjalë unë mund të jem kokrra e manipuluesit. Dhe njëkohësisht të shkruaj që nuk ja kam idenë se jam i tillë.

Ndoshta edhe blog-u që kam hapur 15 vjet më parë dhe ku shpalos qartë ide, kujtime, pikpamje të mijat, mund të jetë një mënyrë për t’u treguar i hapur që të fitoj besimin e lexuesve, për t’ju punuar rrengje më vonë.

Ta mbyll blog-un?

Por ata që mendojnë se jam manipulues përsëri mund të thonë, që edhe mbylljen e ka bërë për të arritur qëllime të caktuara.

Po unë nuk jam as “i plotësuar” si mundet të jem manipulator?

Mbase kjo vlen për një esse tjetër, që mund të përdoret gjithashtu për mashtrime afatgjata.


No comments:

Post a Comment