Wednesday, 30 September 2026

Për të gjithë korçarët që ndjekin të ligavitur videot e Andi Hilës


Po shkruaj për dy dukuri të këqija të shoqërisë shqiptare që ushqejnë dhe ndikojnë mbi njëra tjetrën. Abuzimin e policisë dhe indiferencën e njerëzve ndaj abuzimit në kurriz të të tjerëve.

Bëra një postim sot në FB rreth një shkelje flagrante (madje i dënueshëm sipas kodit penal) të një polici, që është ose hiqet si i Plotfuqishmi i lagjes 14-15 ndaj një pensionisti 73 vjeçar.

Shkurtimisht historia.

3 muaj më parë, miku im pensionist ka bërë një marëveshje gojore për të ndenjur në një apartament në rrugën e Shën Triadhës. Në fillim të shtatorit qeradhënësi i ka shkuar dhe i ka kërkuar rritje të pagesës, ose në të kundërt të largohet nga apartamenti. Palët nuk kanë rënë në marëveshje.

Disa herë polici i sipërpërmendur e ka thirrur pensionistin të shkojë në polici për këtë çështje. I këshilluar nga avokati i tij në Tiranë, pensionisti i trembur i ka thënë që polici duhet të flasë me avokatin. Vetë i ashtuquajturi i Plotfuqishëm është përgjigjur, se avokati i duhet për në gjyq.

Më në fund sot , pas presionit se do i dërgojë njerëz t’ja heqin plaçkat dhe do ta arrestojnë, pensionisti ka shkuar në polici dhe ju ka thënë që po kërkon apartament tjetër dhe do largohet sa të gjejë. Nuk di as emrin e të Plotfuqishmit, se ai i paraqitet vetëm si i tillë pa dhënë emrin, që është shkelje edhe e rregullave të Policisë së Shtetit.

Sipas avokatit Ligori që është njohur me çështjen, polici është në shkelje të hapur të ligjit.

Ju jam drejtuar miqve të mij në FB, që dikush të ma japë emrin e tij në koment të hapur ose në inboks. Të gjithë në një farë mënyre bëjnë sikur nuk shikojnë, njëlloj si kalimtarët që mund të kalojnë në një rrugë, ku një polic rreh një të moshuar dhe kthejnë kokën në anën tjetër.

E bëra atë postim jo vetëm se më vjen keq për mikun tim që abuzohet nga shteti, por dhe për të gjithë korçarët , që në vend të solidarizohen me njëri tjetrin kundër këtyre bandave me bashibozukë, ligaviten duke u marrë me videot e Adi Hilës, deri sa të fillojë sezoni i ri i Big Brother. Dhe më pas pyesin të çuditur: “Po si u bë kështu ky shtet bre?!”

Njerëz bëhuni bashkë kundër abuzuesve!

No comments:

Post a Comment