Sunday, 2 April 2023

Unë jam në rrezik

 

Unë ndjehem në rrezik në çdo lëvizje që bëj. Janë me qindra sëmundje, të cilat presin rastin më të parë të më ngjiten e të më asgjesojnë. Të gjitha llojet e kancereve (përfshi këtu edhe atë të gjirit), sëmundjet kardiovaskulare, ato të sistemit tretës, të gjitha virusalet që ndodhen në natyrë, plus të gjitha ato që janë krijuar në laboratorin e Wuhani-t, pa llogaritur ato që janë duke u krijuar në të tjera laboratore të fshehta të financuara nga Bill Gates, të gjitha sëmundjet seksualisht të transmetueshme, sëmundjet e transmetueshme në ajër , ujë dhe me prekje, nga të gjitha alergjitë dhe nga mijëra sëmundje, të cilat priten të zbulohen së shpejti.

Shpesh herë çuditem me veten se si jam gjallë. Ndaj dhe dal nga shtëpia vetëm për të “psonisur” ushqime, të cilat pasi i dizinfektoj mirë e mirë, i gatuaj vetëm sipas metodave më të vjetra të gatimit dhe i konsumoj ngadalë. Për të mos dëmtuar aparatin tretës. Eshtë vërtet paradoksale që jam ende gjallë dhe nuk kam si e shpjegoj ndryshe vetëm se ka diku një plan, që unë si qënie lehtësisht e likuidueshme të qëndroj më gjatë në këtë planet për të përcjellë frikën time tek të tjerët.

Për ata që nuk e dinë se ku jetoj po e them  (shumë i trembur nga përgjimet) se unë jetoj në një vend që drejtohet nga një kryeministër fashist, që dikur ka qënë mësues. Për arsye të mbijetesës nuk mund të them tamam se cili është ky vend, por ata , të cilët ndjekin politikën ndërkombëtare mund ta kuptojnë shumë lehtë.

Kur shkoj në qytete të mëdha nuk përdor kurrë metronë, sepse atje ndodhin krimet më të tmerrshme. Eshtë nëntokë dhe mund të fshihen më lehtë. Jam i sigurt se është vetë qeveria , e cila i nxit këto krime, por si bëjnë të gjitha qeveritë fashiste, hedh gurin dhe fsheh dorën ndaj ata që nuk e duan si unë nuk mund t’ja fotografojnë. Unë nuk e fotografoj dot se nuk e marr kurrë metronë.

Cuditem edhe si nuk përplasem me makinë pas gjithë atyre aksidenteve që dëgoj çdo ditë. Ose se si mekaniku, të cilin nuk e besoj aspak, nuk më bën ndonjë marifet në frenat. Ose edhe vetëm në ndërrimin e vajit. Se jam i bindur që të gjithë mekanikët punojnë fshehtazi për qeverinë. Ka një komplot edhe në këtë pikë, sepse policët më ndalojnë shpesh për shpejtësi. Dikush nuk do që të qorrollisem me makinë.

Në doktori nuk shkoj të vizitohem sepse jo vetëm që i gjithë sistemi është i manipuluar, por atje është edhe mënyra më e thjeshtë të më japin sëmundje lehtësisht të transmetueshme. Ma tha një shok që ka punuar përkthyes në spital, që sa herë ju bënin vaksinat e Covid, të sëmurët keqësoheshin dhe kur ai ju theshte doktorëve, ata të gjithë përgjigjeshin “është rastësi”. Kuptohet që ishte komplot i thurrur edhe më lart se Sorrosi dhe Fauçi dhe të cilit i ishin nënshtruar tërë doktorët, me përjashtim të atyre që i denoncuan dhe tani nuk dihet se ku janë.

Bëj një shëtitje të shpejtë mëngjesave në mëhallë, kur keqbërësit dhe spiunët e qeverisë, që kanë punuar tërë natën janë të lodhur dhe flenë. Eshtë si ato minutat e ajrimit që bëjnë të burgosurit në burgjet e sigurisë së lartë. Se unë jetoj në një burg të madh, i vetëm dhe i pambrojtur nga komplotet dhe nga miliona sëmundje. Madje dhe ai që rri ngjitur me mua, del dhe pi marihuana në kufirin e pronës sime për të më ndjellë të provoj bimën e mallkuar, që është legale në sajë të kësaj qeverie, e cila do që të gjithë të jemi të droguar. Të droguar e të trembur dhe të trembur e të droguar. Të paktën unë jam vetëm i trembur. Dhe nuk ka se si mos jem i trembur. Jam në një rrezik të vazhdueshëm që të likuidohem.

No comments:

Post a Comment