Ne korçarët vërtet nuk hyjmë në “liliputët” për lartësi trupore, por jemi një bashkësi e vogël dhe jo shumë e pasur në një nga zonat më të varfra të Europës, sikundër është Ballkani. Por kjo nuk na pengon të kemi “ëndërra grykëse”(kur jemi në pushtet) të cilat na nisin nga xhepat e thellë, që duam t’i mbushim në një kohë sa më të shkurtër e të barazohemi me të pasurit e vendeve të mëdhenj. Dikush mund të hidhet e të thotë :”Ne jemi lule po të krahasohemi me tahmanë e zyrtarëve të qyteteve të tjera!” Por mua nuk duhet grykësia e Shqipërisë së Mesme, se kur e madhe është grykësia në Korçë, atëhere kuptohet mirë se ku është Shqipëria.
Pikërisht e tillë është “ëndërra grykëse” e ndërtimit të një
amfiteatri me 50 mijë vende, e deklaruar nga një nëpunëse e lartë e Bashkisë së
Korçës në një emision televiziv. Justifikimi për këtë teatër stërmadh në natyrë
është se në Korçë organizohet festa më e madhe në Shqipëri, që është festa e
Birrës.
Amfiteatret zenë fill në Greqi, përgjithësisht në forma gjysëm
rrethore dhe vazhdojnë në Perandorinë Romake kryesisht eliptike. Më i madhi i të
gjitha kohërave ka qënë Koloseu, që ka patur në lulëzimin e tij 65 mijë vende.
Amfiteatrot greke nuk i kanë kaluar shifrat e 20-25 mijë vendeve.
Por le të themi se kohët kanë ndryshuar, turizmi është
rritur dhe kërkesat për vende gjatë festave të Birrës dhe Lakrorit, apo për
shfaqjet e KoKo festival kanë qënë të shumta nga vendasit dhe turistët e humtë
dhe një amfiteatër i madh do ishte i domosdoshëm. Ndër amfiteatrot më të mëdha
moderne janë ata të San Françiskos dhe të Los Anxhelos dhe që të dy nuk kalojnë
numurin e 20 mijë vendeve. Flitet për metropole që kanë temperatura të larta
gjithë vitin dhe turizëm të pakrahasueshëm.
Përse duhet ky Amfiteatër me 50 mijë vende në Korçë?
Për të çuditur dynjanë? Për të mbushur xhepat e atyre që do
e ndërtojnë dhe të atyre që do japin lejen e ndërtimit? Për të kompensuar
ndjenjën e inferioritetit e disa “liliputëve” në Bashki dhe qeveri?
Sipas nëpunëses së Bashkisë, tashmë projektet janë të bëra dhe
veç stadiumit të ri, “gazifikimit” që do bëhet nga një kompani azere, Muzeut të
Rakisë dhe të disa projekteve më të vogla në “greater Korça” do kemi edhe
Amfiteatrin me 50 mijë vende. Me siguri
do jetë i orientuar nga Jugu, që kur të
mos kemi para të mjaftueshme për të blerë gjëra të vemë andej nga
Amfiteatri dhe “t’i vemë syçkën diellit.”
Drejtuesit e Bashkisë të Korçës nuk janë aq të rinj sa mos e
kenë dëgjuar ndonjëherë këngën e Petro Dulës- “T’i lemë të vërtetat”. Nëse e kanë harruar unë po ju kujtoj vetëm
vargjet: “Cironka po thërriste/ Balenën të
gëlltiste!”
Ndoshta me oreksin që kanë edhe mund t’a gëlltisin dhe të ndërtojnë
Amfiteatrin modern më të madh në Botë e t’i venë ndonjë nga ata emrat “në modhë“
si “Dilana Bowl” apo “SouthEast
Amphitheater”. Do na bëjnë edhe më qesharakë në sytë e gjithë botës!
No comments:
Post a Comment