Gazetat dhe portalet në Atdhe paskan linja editoriale! Këtë e konfirmonte Hasanbelliu kur shpjegonte se përse e sulmonte Rama me tatimet dhe sekuestrimin e hotelit- Kërkonte që Irfani të ndryshonte “linjën editoriale”.
Po a mund të ndryshohet linja editoriale? Si përgjigje mund
të përdorim një thënie të vjetër, sa është edhe shtypi shqiptar : “Burri lot, linja editoriale nuk lot!”
Ndonëse i vonuar edhe unë duhet të përcaktoj një linjë editoriale
për blogun. Jo më kot redaktori dhe avokati im më kanë kritikuar duke thënë se -“shkrimet e tua luhaten nga oportunizmi në
sektarizëm dhe vice versa”. Duhet jo vetëm ta përpiloj, por edhe ta bëj
publike. Në mënyrë që të shmang luhatjet e mija të pajustifikuara dhe njëkohësisht
t’ju jap mundësi lexuesve të më kritikojnë hapur për çdo shkarje nga vija editoriale.
Me këtë rast mund të përcaktoj edhe kritere më të mira për
moshën e lexuesve, sepse disa herë lezuesit namuzqarë më kanë bërë vërejtje për
gjuhën e përdorur dhe fotot , që ilustrojnë shkrimet e mija dhe veçanërisht
shkrimet “Mes gjinjve të Stormy Daniels
dhe Ida Bejlerit”, “Për Atdheun?!”, “Hermafroditja
Niqi”, “Një putanë e kohës sonë“ dhe “Zuzarë
dhe zuzarka”. Një blogu serioz dhe një autori serioz nuk i lejohet një gjuhë
e tillë vulgare, në kundërshtim me normat e moralit fetar dhe atij komunist, e
përdorur kryesisht për të tërhequr lexues të papjekur dhe për të denigruar
personazhet politike dhe të suksesshëm të jetës shqiptare. Njëkohësisht sipas
linjës së re editoriale, që është në përpunim e sipër, do ndalohet botimi i bejteve
satirike, të cilat përdoren kryesisht për të shantazhuar njerëz të ndryshëm.
Një pikë ku janë shfaqur dobësi të theksuara ka qënë ajo e
patriotizmit, e cila shpesh herë të bën të mendosh se autori është nën ndikimin
e ideologjisë globaliste të trumbetuar nga çifti Klinton, Sorrosi dhe Bill Gates.
Duke u maskuar me një dashuri atdhetare ala Konica, që ve në pah të metat e
shqiptarëve për t’i nxitur të përmirësohen, autori ju ka bërë jehonë sulmeve
gazetareske të shovinistëve fqinjë.
Kështu që ju premtoj lexuesve të rregullt një linjë të qëndrueshme,
të pastër moralisht dhe objektive politikisht, që do ngjallë optimizëm dhe
dashuri për atdheun dhe jetën si dhe do kontribuojë në mobilizimin e masave për të ecur përpara në rrugën e
ndritur të demokracisë dhe ekonomisë së tregut, e kundërt me atë të portaleve që
mendojnë se si të korruptojnë mendërisht dhe shpirtërisht rininë tonë të dashur
dhe thuajse revolucionare.
No comments:
Post a Comment