Drejtësia paraqitet si një zonjë symbyllur, që mban në njërën dorë një shpatë dhe në dorën tjetër një peshore. Kjo qysh në Greqinë e Lashtë. Dihet tashmë përse sytë janë të mbyllura dhe ç’simbolizojnë shpata dhe peshorja.
E megjithatë Drejtësia nuk është një robot. Në shqyrtimin e
një krimi merren parasysh shumë dhe shumë faktorë, që shpesh bëjnë ndryshimin
nga një çështje tek tjetra edhe pse mund të jenë shumë të ngjashme. Nuk ka
persona identikë dhe rrethana identike edhe për krime, të cilat mund të jenë
thuajse identike. Ndaj ka shpesh raste, tek të cilat nuk vlen thënia “kështu e
ka ligji”, që përdoret jo rrallë nga prokurorët e zellshëm.
Rasti i prokurorëve të shtetit të Nju Jorkut me padinë e
ngritur ndaj ish-presidentit Donald Trump është një rast i tillë, kur pala
akuzuese ngutet të dënojë dikë pa u mbështetur mirë në ligji dhe në rrethanat,
qoftë të kohës së krimit, qoftë edhe të kohës që jetojmë. Thelbi i padisë është
se Trump ka paguar për heshtjen e një pornostari, që skandali i tij mos
ndikonte në fushatën për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.
Juristët më seriozë amerikanë bashkohen në analizat e tyre
se padia është shumë e sforcuar dhe fshehja e pagesës (jo pagesa në vetvete) si
pagesë ndaj avokatit për shërbime legale përbën krim vetëm në rast se përdoret
për të mbuluar një krim tjetër. Ata shtojnë edhe nëse do quhej krim ndikimi në
zgjedhje, ky në maksimum do i takonte një gjykimi federal se bëhej fjalë për
zgjedhjet federale. Fakti që prokurorët federalë prej vitesh kanë qëndruar larg
një padie të tillë (edhe pse mund të mos e donin Trump) tregon se padia është
shumë e vështirë të provohet para gjykate.
Pra prokurorët e zellshëm të Nju Jorkut, për arsye të
paqarta, të cilat nisin me antipatinë ndaj Trump dhe përfundojnë tek dëshira për
tu dukur dhe të qënit në qendër të vëmendjes, ngrenë një akuzë që i ka shanset
minimale të provohet në gjyq dhe të kthehet në dënim për ish-presidentin. Eshtë
e vështirë të thuhet se e bëjnë për motive politike, sepse çdo demokrat me dy
para mend në kokë e kupton se procesi ndaj Trump vetëm se i shton atij
popullaritetin. E gjithë çështja është tejet e konsumuar, që prej 7 viteve më
parë dhe ndihmon “the Donald” të hiqet si viktimë e “gjuetisë së shtrigave”, të
shtojë propagandën se “thellështeti” (deep state) komploton për të hequr qafe
atë, shpëtimtarin e demokracisë amerikane. Ka shumë të ngjarë , që ky zell të
kthejë pro-Trump edhe shumë nga elektorati gri, që nuk durojnë dot padrejtësitë.
Duke ju kthyer edhe njëherë shtatores së Drejtësisë, ajo jo
pa arsye është paraqitur me sytë e lidhur dhe jo me sytë e nxjerrë. Eshtë
tregues se sytë lidhen gjatë procesit gjyqësor për të qënë e paanshme dhe e
pandikuar nga pozita apo pasuria e atij/asaj që gjykohet. Por edhe Drejtësia
dhe ata, të cilët i shërbejnë asaj duhet t’i kenë sytë e hapur për të parë të
gjitha rrethanat dhe nëse i bën mirë apo keq shoqërisë, një proces i ngutur dhe
i pabazuar mirë në ligj.
Për fat të keq prokurorët i ka verbuar dëshira për ta parë Trump pas hekurave.
No comments:
Post a Comment