Monday, 3 April 2023

A duhet të mbështesim 4-shen që po gjykohet në Hagë?


Ka një frymë të përgjithshme në Tiranë për të mbështetur 4 politikanët kosovarë, të cilët po gjykohen nga Gjykata Speciale. Në qarqet e politikës dhe të mediave. Njerëzit e zakonshëm duken më indiferentë dhe nuk ka gjasa të organizohen manifestime në mbështetje të udhëheqësve të UCK-së si në Prishtinë.

Duke u nisur nga një standart shumë i rëndësishëm ligjor, ai i prezumimit të pafajësisë nuk ka pse të mos mbështesim katër shqiptarët, që kanë mbajtur poste të rëndësishme edhe në Republikën e Kosovës. Por nuk duhet të harrojmë gjithashtu se Gjykata Speciale e ngritur në Kosovë (edhe pse gjyqi zhvillohet në Hagë) u ngrit sepse gjatë luftës me Sërbinë më 1998-99, kanë ndodhur edhe shumë krime ndaj civilëve kryesisht shqiptarë. Këtë gjykatë nuk e ngriti as Sërbia, as Dik Marti, por u pranua nga shoqëria kosovare nën trysninë e europianëve, sepse krimet kishin ndodhur. A janë fajtorë ThaçI me shokë për to, kjo vlen për tu parë në fund të gjyqit? A ka qënë në gjendje prokuroria të grumbullojë fakte dhe dëshmi, që të provojnë fajësinë e tyre edhe kjo është diçka që do shihet në përfundim të procesit.

Por një gjë është e sigurt se krimet kanë ndodhur.

Ka shumë shembuj në botë, që gjatë luftimeve ndodhin edhe ato që janë cilësuar si “krime lufte” apo “krime ndaj njerëzimit”. Eshtë gjëja më e shpeshtë në situatat kaotike të luft[rave. Motivet janë nga më të ndryshmet. Gjaknxehtësi, luftë për pushtet të ardhshëm, vjedhje, hakmarrje etj., etj. Nuk kishte se si mos të ndodhte në Kosovë. Preçedenti më I afërt ishte Lufta e Dytë Botërore dhe krimet e komunistëve në Jugosllavi dhe Shqipëri ndaj kundërshtarëve politikë apo edhe ndaj të pafajshmëve. Disa nga udhëheqësit Kosovarë, të formuar në shkollat marksiste-leniniste shqiptare apo ato komuniste jugosllave nuk kishte se si t’i shpëtonin një “mësimi” që “për të pasur pushtetin të sigurt në paqe, likuido sa më shumë kundërshtarë gjatë luftës”. Përplasjet në Tropojë dhe Kukës dhe vrasjet në ato zona mes mbështetësve të UCK-së dhe atyre që mbështesnin forcat e Bukoshit janë një tjetër fakt i njohur për publikun shqiptar.

Ndaj shoqëria shqiptare e Shqipërisë dhe e Kosovës duhet të jetë sa më e interesuar për të patur një zbulim të plotë të autorëve të krimeve dhe dënimin e tyre. Pra për mbarëvajtjen e gjyqit, që po zhvillohet në Hagë dhe pranimit të vendimit, cilido qoftë. Vetëm kështu mund të themi se jemi në gjendje të bëjmë një pastrim dhe një pajtim mes grupeve të ndryshme shoqërore politike shqiptare. Që krime të mos ndodhin për të siguruar pushtetin të cilin më vonë do e përdorësh për tu pasuruar.

Krimet gjatë Luftsë së Dytë dhe ato pas saj, e kanë ende të traumatizuar dhe të ndarë shoqërinë shqiptare. Fakt është që ende nuk del dot një forcë politike e qendrës, që të normalizojë këtë gjendje jo të shëndetshme politike.

Ndaj nuk duhet të nxitohemi të mbështesim 4 të akuzuarit për krime. Le të lemë Drejtësinë të thotë fjalën e saj.

 

No comments:

Post a Comment