Më 2 maj në Korçë, krejt rastësisht dhe “pa asnjë lidhje” me fushatën e zgjedhjeve vendore do bëhet prezantimi i disa projekteve finalistë për rinovimin e stadiumit të Korçës. E quaj rinovim edhe pse qeveria dhe vendorët po e shesin për stadium të ri, se në fund të fundit po ndërtohet ekzaktësisht në të njëjtin vend dhe me siguri që do i hiqen pistat e atletikës, ku janë stërvitur dikur me qindra atletë profesionistë, disa prej tyre të nivelit ndërkombëtar. Për fat të mirë është menduar të ndërhyet edhe në Pallatin e Sportit “Tamara Nikolla”, i cili ka mbetur në të njëjtën gjendje që ka qënë kur u përurua 50 vjet më parë.
Deri tani nuk është thënë gjë për koston e përafërt të
projektit (gjithnjë ka një buxhet fillestar edhe pse nuk është shpallur
projekti fitues), se nga vijnë fondet dhe se kur do hapë dyert stadium për
sportdashësit korçarë. Nënvizohen vetëm “ndërkombëtarët”
që nga Juria e konkursit e deri tek “studio prestigjioze”, a thua se deri tani
nuk jemi velur në Korçë me këta ndërkombëtarët e Internacionales së Pestë (kështu
është e mira të quhet bashkësia e ndërkombëtarëve me të cilët punon për Shqipërinë
socialisti Rama.)
Thellësisht besoj se stadium nuk ka për t’u ndërtuar kurrë
dhe se e gjithë kjo lojë “stadiumesh të rinj” për Korçën, Vlorën dhe Durrësin është
një përpjekje për të kapërcyer gjendjen jo të mirë të sondazheve të zgjedhjeve
të ardhme veçanërisht në Durrës dhe Korçë.
E kam këtë bindje se e pashë vjet me sy gjendjen e Pallatit
të Sportit, si dhe mungesën e një pishine publike të hapur ose të mbyllur në
qytet. Ka pasur në fillimin e viteve ’60 dhe nuk ka 70 vjet më vonë. Grupi
Peleshi ka 16 vjet që drejton qyetetin dhe ka bërë nga parqet japoneze, dy
kullat e panevojshme dhe plot objekte të tjera të dyshimta dhe nuk e pat vënë
ujin në zjarr për restaurimin e Pallatit të Sportit dhe ndërtimin e një pishine
për qytetarët dhe nxënësit e shkollave.
Projektet që do paraqiten më 2 maj, do përdoren si një mjet propagandistik
për fushatën dhe përgjithësisht janë të efektshme, se krijojnë përshtypjen se
po bëhemi njëlloj si Boni apo Goteborgu edhe pse jemi larg tyre. Por nga “e thëna
në të bërë na ndan një lumë i gjërë“ dhe po e përsëris që i gjithi ky është një
bllof i një qeverie, që nuk e ka të vogël borxhin publik dhe do i hajë
premtimet e dhëna si ka bërë për shumë të tjera. Po hiqt edhe mundësia e
vjedhjes me metodën PPP, sepse kjo e fundit është kritikuar shumë nga Bashkimi
Europian.
Ndaj edhe sportdashësit korçarë të jenë më të ftohtë në ëndërrat
e tyre “tani do na heqin dënimin nga
UEFA, do kemi dhe stadiumin e ri dhe nuk ka asnjë arsye mos arrimë nivelin e ekipeve
të Dortmundit apo të Napolit.” Duhet të jenë edhe të bindur se këto para
nuk bien nga qielli po dalin nga xhepat e tyre dhe para se të entusiazmohen nga
maketet e stadiumeve dhe videot reklamuese të tyre të nisin të kërkojnë hesap për
ato që janë ndërtuar më parë, për ato që nuk janë ndërtuar dhe se sa do
kushtojnë këto që mund të ndërtohen.
Rama nuk është Babagjyshi i 2 majit që na sjell dhurata, por
një mashtrues i klasit të parë, që po sundon dhe pasurohet vetë, si dhe banda e
tij me paratë e taksa paguesve ose me ato që dhurohen nga të huajt për popullin
shqiptar.
No comments:
Post a Comment