Wednesday, 5 April 2023

Cilido e di vetë ku i pikon çatia


Këtë shprehje nuk e kam kuptuar kurrë. Edhe pse domethënia e saj është shumë e qartë, a ndoshta pikërisht se është shumë e qartë unë nuk e kuptoj. Sigurisht që cilido e di vetë ku i pikon çatia. Nuk është ndonjë shpikje kjo. Ashtu sikundër di se ku i dhemb barku, si është i sigurt që nga ngutja ka veshur një çorape me birë në majë, si nuk harron asnjë çast se nuk ka legalizuar ende shtëpinë në plazh apo edhe qindra gjëra të tij personale, që janë difektoze, të papërfunduara ose me shumë probleme.

Dhe ç’rëndësi ka se ku i pikon çatia njërit dhe se ku i pikon tjetrit? Po të pikoi çatia një djall është kudo (ose ka qënë më parë kur dyshemetë ishin prej dërrase dhe po të pikonte gjithë dimrit edhe dyshemeja do kishte pasoja të rënda.) Tërë çatitë dhe tarracat që kishte projektuar Rajti (Fran Lloyd Wright) pikonin dhe kjo nuk ndikoi në famën e tij si njëri nga arkitektët më të mirë të të gjitha kohërave.

Mua më pikon çatia në kuzhinë, po nuk do kishte qënë as më mirë as më keq nëse pikonte në dhomën e gjumit. Do e hiqja krevatin që atje dhe do flija në korridor deri sa të mbaronte stina e shirave, të gjeja specialist për ndërrimin e shinglave dhe pasi të zihej pika, ta shpija krevatin në vend. Rasti më i veçantë dhe i favorshëm do ishte po qe se do pikonte në vaskën e dushit, por mundësitë për të janë 1 në 1350, sipas disa llogaritjeve të bëra mbi planimetrinë e shtëpisë.

Dikush mund të thotë, që shprehja ka kuptim alegorik dhe se nuk është thjesht për pikën, por për hallin dhe problemin që ka çdo individ ose familje. Edhe? C’lloj alegorie e zgjuar është kjo? Pse nuk thonë : Cilido e di vetë sa para ka në bankë? Apo se të kesh para në bankë nuk është hall. Eshtë hall dhe i madh madje. Se më të shumtit nuk kanë aq para sa ju duhen për të jetuar disi dhe ata që kanë para më se të mjafta nuk janë asnjëherë të kënaqur, por duan më shumë. Balanca e llogarisë bankare është ku e ku më shqetësuese se pika e çatisë. Se pikës i ve kova dhe legenë dhe ja ndërron edhe sikur stina e shirave të jetë si në Vietnam, por llogarisë bankare ç’ti bësh?

Eshtë kjo balancë që më shqetëson mua dhe jo pika. Paratë, që rrëfen balanca nuk janë të mjaftueshme për të ndërruar çatinë! Ky është hall. Dhe për pikën nuk bën dot as nga ato fushatat “gofundme” se të gjithë që do e mësojnë do të mbysin me pyetje. Pse nuk e bën pronari ndërrimin e çatisë? Po unë jam pronari. Po kur ti je pronari pse nuk ke lënë mënjanë para të mjaftueshme për emergjencat? Po se nga sa e kisha parë çatinë nuk më dukej se do pikonte. Ku e di ti se nuk do pikonte? Catitë pikojnë. Askush me sy të lirë nuk mund të dallojë nëse do pikojë vjeshtën e ardhme apo jo. Eshtë si tërmeti. Kush e di se kur mund të bjerë tërmet? Këto janë emergjencat dhe çdo pronar (ku hyn dhe ti) duhet të ketë fondin rezervë të emergjencave. Kupton?

Dhe kështu hallin e mësojnë edhe qindra të tjerë dhe nuk e di vetëm unë se ku më pikon çatia.

Që në fund të fundit nuk ndryshon asgjë. Catia vazhdon të pikojë.

No comments:

Post a Comment