Gjergj Cula (Luca) ka përuruar sot në mjediset e fabrikës së tij në Maliq, ekuestrin e Nastradinit (që ai e quan bust) si një shaka të madhe me Maliqin, punëtorët e tij që do gushitin peshkun dhe me të gjithë sistemin politiko-juridik-shoqëror shqiptar.
E ç’ka të keqe këtu? Njerëzit kanë nevojë të qeshin dhe nuk
prish punë nëse qeshin me Gaztorin e Orientit hipur sëprapthi gomarit të tij. Orientin Cula
e di Ballkan dhe ndoshta Maliqin e ngatërron me Buharanë. Sepse sado që vras
mendjen dhe mundohem të gjej përse pikërisht në Maliq duhej Nastradini dhe jo në
pronat e tjera të Culës në Shqipërinë e mesme, ku tradicionalisht ka pasur më
shumë gomerë, nuk i bije dot më të.
Po le të mundohemi të bëjmë shaka me këtë gaz që na ka hipur
nga shakaja e Culës së Ri.
Ndoshta Nastradini është vetë Gjergj Luca dhe gomari i tij është
sistemi politiko-shoqëror shqiptar. Ndoshta edhe mbërritja e Nastradinit në
Maliq, ka të bëjë me rrugën e zakonshme të trafikut nga Azia Qëndrore në
Pakistan, Siri, Turqi dhe më pas në Ballkan për të hyrë në Europën Perëndimore.
Sepse është vetë gaztori Luca që i ka quajtur trafikantët e drogës heronj.
Por meqë gjithë shakatë janë gjysëm të vërteta, është e vërtetë
se Cula edhe pse sëprapthi, e ka ngarë mirë sistemin politik shqiptar, sepse ka
bërë para pa i hyrë asnjë gjëmb në këmbë. Dhe nuk kishte se si t’i hynte sepse
këmbët i kishte të shaluara mbi gomar. Madje e ka bërë këtë ngarje sëprapthi
edhe pa pasur aq mend sa Nastradini edhe pa pasur çallmë në kokë.
“Djall o Gjergj Lucë djall!”- do i thoshte duke qeshur një i
njohuri im i ndjerë.
Nuk di se sa gajasen ata që janë papunë në Maliq dhe në të
gjithë qarkun e Korçës. Ndoshta presin që Cula i Ri të zgjerojë perandorinë e
tij të peshkut dhe të hapë edhe fabrika të tjera me të tjera skulptura të
Nastradinit duke i rënë violisë, kur i jepte qyrkut të hante apo kur huante
tenxheren në fqinji. Se po mos punësohen nga Cula atëhere duhet të shkojnë të
punojnë për shokët e tij trafikantë.
No comments:
Post a Comment