Tuesday, 4 April 2023

Të gjithë (zarbat) dinë gjithshka

 

Shqipëria është një vend shumë i vogël dhe nëse flitet për botën e investimeve, korrupsionit dhe pastrimit të parave është edhe më e vogël. Vetëm Tirana. Atje janë paratë, krimet e lidhura me to dhe pushteti i gërshetuar me biznezmenët, mediat dhe krimin e organizuar. Dhe si ndodh kudo në botë, nëse do të dish se cili grup ka kryer një krim të rëndë, mjaft të kesh lidhjet e duhura me ata që janë burgjeve dhe mëson gjithshka. Në një dokumentar të Netflix lidhur me vjedhjen më të madhe të një banke në Brazil, një agjent federal që ndiqte gjurmët e krimit, tregonte se në qytetin nga vinin disa nga pjestarët e bandës, kushdo e dinte se kush e kishte vjedhur bankën veç policisë.

Në Tiranë gjithë lojtarët kryesorë (zarbat) duke nisur nga politikanët, prokurorët dhe gjykatësit, përfaqësuesit kryesorë të medias dhe kapot e krimit të organizuar dinë gjithshka për njëri tjetrin, kur vjen fjala për aferat e mëdha. Njohin mirë edhe mekanizmin se si kanë funksionuar. E kam fjalën këtu për socialistët nga Rama e kompani, për demokratët nga Berisha e kompani, Ilir Meta me shokë dhe të gjithë shefat e mëdhenj të policisë, Shërbimeve Inteligjente dhe prokurorët e rëndësishëm. Për çdo gjë që ka ndodhur nga ’97 e këtej duke nisur me privatizimet që mbajnë erë, koncensionet e mëdha, rrugët e rëndësishme, abuzimet me shitblerjet e nergjisë, lejet e dyshimta të ndërtimit e plot e plot të tjera.

Politikanët, që janë ndër kryesorët në këtë “.utsillëk” pushtet-krim-drejtësi-media, i përdorin në mënyrë selektive ato që dinë vetëm për të goditur atëhere kur ju duhet njerëz të caktuar. E bëjnë këtë sepse e dinë, që të njëjtit njerëz (përfshi edhe sekserët) do ju duhen nesër kur të vinë në pushtet, apo edhe si “karta në mëngë“ për të shantazhuar kundërshtarët. Asnjë prej tyre nuk do që krimet e mëdha të zbulohen dhe të ndëshkohen. Eshtë një marrëveshje e heshtur e tyre, sepse ushqehen politikisht nga paratë e krimit dhe e kanë kusht për mbijetesë të jenë të lidhur me krimin.

Shihni se kush e ka shpënë në SPAK dosjen e inceneratorëve. Cifti më i korruptuar shqiptar Meta-Kryemadhi, që ishte plotësisht në dijeni të asaj afere prej disa vitesh, sepse Lefter Koka, ministër i Mjedisit ishte deputet i partisë së tyre. Kur u largua për tek socialistët e shitën. Në të njëjtën mënyrë shiti Rama Arben Ahmetajn, i cili flitej se i kishte dhënë dosjen e incineratorëve miqve të tëij të vjetër të aferave korruptive Meta-Kryemadhi. Për denoncimin e tij Rama nuk ve në funksionim Kontrollin e Shtetit, por lëshon Veliajn, që të denoncojë me një tjetër dosje nëpërmjet një palo-gazetari, që punon për një media të lidhur ngushtë me Veliajn.

Duket se i gjithë mekanizmi është i ngjashëm me atë të organizatave mafioze. Nëse “tradhëton” je i likuiduar. Mafia i vret “tradhëtarët” kurse këta vetëm i shpien pas hekurave. Në të njëjtën mënyrë ka vepruar edhe Berisha, që është ai që ka shpikur i pari moton “mbro besnikët e korruptuar dhe ndëshko tradhëtarët”.

Tirana është një batak i madh, por ku ka edhe plot lekë dhe kush nuk e ka për zor të fëlliqet mund të bëjë jo pak. Por duhet t’ju qëndrojë besnik kapove, që dinë gjithshka.

 

No comments:

Post a Comment