A mund të dashuroheshim
Në një botë tjetër,
Të qashtër,
Të paqme,
Të lirë,
Ku vala që lëpin rërën e ngjeshur,
Ledhaton edhe këmbët e zbathura?
A mund të bashkoheshim
Atje ku dielli lehtë,
Ndaj të gdhirë,
Troket në të palmës trung të zhveshur,
E përndan ëndrrat tona të çartura?
Nuk e di.
Mbase është e vërteta botë,
E pamëshirë,
Thashethemet e zyrave,
Dinaket buzëqeshje,
Që na rrethojnë,
Dhe bëjnë të dukesh kaq e dlirë,
Na shtyjnë që njëri-tjetrin të kërkojmë,
Dhe të ndërtojmë qiejve
Një të kaltër kështjellë
Që vetëm ne e dallojmë,
Ku lulet e mirësisë kemi mbjellë
Dhe ndjehemi të lirë,
Përfundimisht të lirë,
Të lirë si kurrë ndonjëherë,
Vetëm me tinguj,
Ngjyra,
Aroma.
Pa të tjerë!
No comments:
Post a Comment