Nuk është në traditën e Korçës të ketë kandidatë të pavarur,
për asnjë lloj zyre shtetërore. Ka lidhje me “frenimin për të qënë
protagonist”, “konservatorizmin”, “peshën e opinionit korçar” dhe ndonjë arsye
tjetër, që unë nuk e njoh. Tre arsyet e mësipërme nuk janë tërësisht negative.
Ato e kanë bërë Korçën të jetë kjo, që është dhe të parandalohen “gafa” të mëdha
në ekonomi, politikë, investime, arkitekturë etj. (Edhe në futboll, për shkak të
tre arsyeve të mësipërme, ne kemi nxjerrë mbrojtës dhe portierë të shkëlqyer,
por pak sulmuesa virtuozë.)
Për mendimin tim, ne korçarët i trembemi shumë shprehjes sonë
“Shumë u hodhe, prapa mbete, buf kënete!”
Edhe pse në këtë shënim të shkurtër, nuk kam ndërmend të
inkurajoj njeri për të kandiduar si i pavarur (rregjistrimi tashmë është i
mbyllur) dua të përmend, që qytetit nuk i kanë munguar kurrë njerëzit e zotë,
me integritet dhe që nuk ju “bëhen lepitkë“ partive. Do ishte mirë, që nga
grupe qytetarësh, t’ju ishte propozuar herë herë, të konkuronin, sepse do ishin
me të vërtetë përfaqësues të denjë të interesave të korçarëve. Mund të mos
kishin fuqi të sillnin në Korçë investime publike, sikundër sjell Niko Peleshi,
por në një shikim afatgjatë, do sillnin besimin e njerëzve në politika, gjë që çliron
shumë energji dhe kthehet në investime private, të cilat i tejkalojnë, ato që
merren nga paratë e taksapaguesve në arkën e Kryeministrisë.
Eshtë interesante, që në listën e 10 më të pasurve shqiptarë,
tre janë nga Korça, por duket, që askush nuk i ka bërë thirrje Zamir Manes apo
Grigor Jotit të përfaqësojnë Korçën në Parlamentin shqiptar. Të tjerë korçarë të
sukseshëm në sektorë të ndryshëm të jetës kanë veprimtaritë e tyre në Tiranë,
por pakkush kujtohet t’i tërheqë në jetën politike. Mund të përmend disa, që më
kujtohen në këtë moment, si biznesmeni Irakli Mio, arkitekti Vladimir Bregu,
mjeku Ilir Bibolli, biznesmeni Zak
Topuzi, por ka dhjetra e dhjetra korçarë me karrierë akademike, profesionale
apo biznesi, që e duan Korçën dhe mund të bëjnë për të, pa ju shmangur “bezdisë“,
që të sjell “përfshirja në politikë“.
Padyshim, që të shumtë janë edhe ata, që jetojnë në qytet. Janë
me dhjetra të brezave, që njoh, si dhe me qindra duhet të jenë më të rinjtë, e
shkolluar jashtë dhe brenda vendit.
Sigurisht, që në gjendjen para-politike të shoqërisë
shqiptare, kandidimi do jo vetëm mjete financiare, por edhe mbështetje në
media, për tu përballur me “lukuninë e çakejve”, që përbëjnë dhe mbështesin tre
partitë e mëdha.
E megjithatë pyetja që qëndron mbi të gjitha kokat tona është:
“Në duart e këtyre do e lemë gjithnjë Korçn dhe Shqipërinë?”
“Do presim, që të na rregullojnë Spiropali, djali i Fahri Balliut, Shalsi a
kush e di se kush, gjendjen ekonomike dhe shoqërore. neve, që kemi pasur
deputet të qytetit Fan Nolin?”
Këto zgjedhje janë drejt marrjes fund.
Ndoshta, në të mirën e Korçës dhe Shqipërisë, qeveria, që do
dalë prej tyre nuk do e ketë jetën më të gjatë se një vit. Ndoshta deri atëhere,
korçarët, si në kohën e Themistokliut, do jenë në gjendje të ngrihen e të
vendosin vetë për përfaqësuesit e tyre.
(A është Niko Peleshi në të njëjtin nivel si Themistokliu? Po qe se Rama është si Skënderbeu edhe Nikoja nuk ka pse
të mos jetë. Dhe të parën e ka thënë pikëërisht kandidatja e Korçës,
Spiropali.)
No comments:
Post a Comment