Monday, 29 May 2017

Veri Cironka

Veri e kishte emrin Enver. Ishte njeriu i dytë, që njihja me këtë emër dhe më dukej e çuditshme se si mund të kishte një emër të tillë prej profeti. Në Korçë emri Enver nuk ishte shumë i përhapur edhe mes muhamedanëve. Ndoshta ka pasur të bëjë me traditën, ose me përqindjen e tyre në “myhypë“ dhe “xhamistë“, që është trashë- trashë ndarja më e madhe në botën islamike, ajo mes sunitëve dhe shiitëve.
Bile në kohën , kur kam mësuar se Veri Cironka ishte Enver “dikushi”, nuk ja kisha idenë as të profetit Muhamet. Muhamedanët në mendjen time lidheshin me hoxhën, që këndonte shumë pranë dritares së dhomës ku flija, myftiun me një dolloma të gjatë dhe që ecte gjithnjë me nxitim, si dhe një dervish, që kisha parë në Kukësin e Vjetër.
Veri Cironka ishte i vogël dhe i mpitë. Si një rabeckë. Kishte dy sy, që i shkëlqenin dhe një zë të hollë, që rrallë i dëgjohej, Në shpatullat e ngushta, më dukej e habitshme se si mbante emrin e rëndë dhe të rëndësishëm Enver. Ai për të cilin në kopësht na theshin se i kishte “duart me sheqer dhe me hurma”, ishte i gjatë dhe i bukur. Krejt i kundërti i Verit.
Këtij të fundit ishte e vështirë t’i përcaktoje moshën. Edhe pse nuk ngjiste si mongoloidët, kishte atë karakteristikën e meshkujve të tyre, që nuk i dallon dot nëse janë 27 deri në 64 vjet dhe nuk do të shprehesh p[r moshen, se është e sigurt, që gabon. Vishte një kostum doku (jo dopiopet si të adashit të tij), që duhet t’ja kishte dhënë Komiteti i qytetit. Punonte gjithë ditën për kuzhinat e kopështeve të fëmijëve, të cilat për arsye të pakuptueshme, atë kohë punonin me qymyr guri. Veri shtynte një karrocë dore të madhe, të mbushur plot, me vendosmërinë e një milingone, me dy duar të vogla si prej ketri. Ndoshta kuzhinieret zemërmira të kopshteve i jepnin edhe për të ngrënë, ndonëse nuk dukeshin shënja ushqimi të bollshëm në trupin e tij.
Ka disa dhjetvjeçarë, që nuk e kam parë më. Ndoshta prehet diku, nën një varr pa emër. Askund nuk ka pasur shtatore të tij duke shtyrë një karrocë dore. Edhe skulpturat e Parkut tani parapëlqehen të jenë abstrakte.
Edhe të kishte diku në një qoshe lulishteje kopështi, askush nuk do mundohej ta hiqte me kavo, por ndoshta edhe askush nuk do kujtohej të pyeste për emrin e tij.

Edhe ai quhej Enver. I thërrisnin Veri Cironka.

1 comment:

  1. Mu mbush mendja pse Korca nuk ka nxjerre shkrimtare te medhenj. Vetem aktore exhibitioniste ka patur...
    Driteroi qe fshatar pe Devolli.

    ReplyDelete