Wednesday, 3 May 2017

Nemo tenetur se ipsum accusare (fund)

(vijim)
Të kthehemi tani në implikimet ligjore ose hakmarrëse, që mund të sjellin shkrimet për njerëzit me pushtet.
Sigurisht, që pushtetarët, parapëlqejnë, që për ta të shkruhet mirë, në mënyrë, që t'ju rritet popullariteti. Shumica syresh bezdisen nga shkrimet negative, por më “të rrahurit me vaj dhe me uthull”, e dinë, që është më mirë të shkruhet edhe negativisht, se sa të mos shkruhet fare. Shprehja "nuk ka publicitet të keq" vlen edhe për ta. Ndaj, në rast se sulmet janë të përgjithshme, pa "çpuar" thellë në mëkatet e tyre, nuk ka asnjë rrezik, që të të sjellin probleme ligjore. Nëse ka shkrime, në të cilat përshkruhen ngjarje, ku je i përfshirë, nuk është e pazakonshme, që "fajtorët e pushtetshëm" të të bëjnë fajtor dhe për të të venë në lëvizje gjithë mekanizmat, që të të baltosin ose edhe të të ndëshkojnë ligjërisht. 
Në botën e dytë, njerëzit e "fuqishëm" janë të pakët, por veprimet e tyre kanë efekt mbi jetët e mijra e mijra njerëzve të tjerë. Ndaj është e domosdoshme të shkruash rreth tyre. Në rradhë të parë, për të kufizuar madhësinë e dëmit, që mund të shkaktojnë tek të tjerët. Vetë mendoj, që efekti i njerëzve tek të tjerët duhet të jetë minimal. Gjithsekush duhet të bëjë jetën e tij duke qënë sa më pak i varur nga veprimet e të tjerëve. Përjashtim duhet të bëjnë vetëm udhëheqësit shpirtërorë, filozofët, mjekët, mësuesit, artistët. Bile edhe këta në mënyrë të moderuar.
Ndaj është e dobishme, që të "fuqishmit" t'i xhveshësh nga cilësitë prej heronjsh, që ju atribuojnë puthadorësit dhe servilët dhe t'i paraqitësh vërtetësisht, njerëzorë, me të mirat dhe kusuret e tyre dhe sidomos me këto të fundit, që janë ato, të cilat  shkaktojnë edhe të këqijat në jetët e njerëzve.
Po e shtjelloj këtë ide, duke sjellë shembullin e një "personaliteti" rreth të cilit kam shkruar jo pak në blog(dhe jo vetëm këtu) këto 3-4 vjet. Niko Peleshi është dikush, të cilin e kam njohur edhe kur nuk merrej me politikë, si dhe gjatë hapave të para drejt pushtetit. Ka plot njerëz, që ma përmendin edhe si "ai shoku tënd", por e vërteta është, që është një njeri, të cilin e kam njohur dhe e kam vlerësuar për shumë cilësi pozitive. Duhet të kalonte edhe shumë e shumë prova, për ta konsideruar "shok", një "emërtim", të cilin e kam konsideruar gjithnjë tejet të rëndësishëm.
Peleshi është njeriu më i fuqishëm sot në zonën e Korçës, pra me veprimet e tij, mund të ndikojë në jetën e mijra dhe mijra njerëzve. Pikërisht, të kthyerit në "njeriu më i fuqishëm" e bën të rrezikshëm si për të tjerët, por edhe për veten. Nëpunësit e lartë nuk duhet kurrë të jenë "njeriu më i fuqishëm". Ndaj shkruaj për gabimet e rënda, që bën në fushën e ndërtimeve, për monopolin e projektimeve, që i ka lënë në dorë Pit Uillsën-it, për injorimin që ju bën arkitektëve të Korçës, për venien në vende kyçe të njerëzve të pazotë, por besnikë etj. etj. Mund të shkruaj edhe rreth impenjimit të tij, inteligjencës, ambicies, oportunizmit, por e gjykoj jo të dobishme, sepse askujt nuk i shërben kjo, bile as Nikos vetë. Ka plot e plot puthadorës, bile edhe njerëz të paimplikuar deri dje, të cilët e ngrenë në qiell. Ka syresh, që i kushtojnë edhe këngë, ose vargje duke i thënë që "po le gjurmë në histori", por kjo edhe nëse ndodh nuk është në dobi të qytetarëve të Korçës. Askush sot, në këtë gjendje të zhvillimit të shoqërisë shqiptare, nuk ka mundësi "të lerë gjurmë". Të tilla lenë vetëm Diktatorët, ose njerëzit me pasuri të jashtëzakonshme, ose mençuri dhe aftësi të jashtëzakonshme. Edhe bamirësi Thoma Turtulli, që i dhuroi qytetit objektet më të mëdha për kohën thuajse është harruar.
Njerëzit duhet të paralajmërohen për rrezikun, që sjellin njerzit, "që lenë gjurmë në histori", sidomos kur për këtë përdorin pushtetin. Ata rrethojnë veten me servilë, spiunë, intrigantë, sekserë, hajdutë, të cilët mundohen të zhvatin nga një copë, që ofron pushteti i njeriut të fuqishëm. Për këtë arsye janë të dëmshëm dhe përgjithësisht kanë një fund jo të mirë.
Jeta e njerëzve përmirësohet, kur pushteti dhe pushtetarët kanë sa më pak efekt në ta. Ndaj në funksion të kësaj ideje është e dobishme dhe e domosdoshme të shkruash edhe në rast se kjo do të sjellë "rrufetë" e pakënaqësive, keqkuptimeve apo dhe hakmarrjeve.

Për një gjë të madhe të mirë, nuk ka shumë rëndësi edhe nëse i bën keq vetes!

No comments:

Post a Comment