Thursday, 11 May 2017

Fatos Lubonja dhe koha e arrestimeve (fund)

(vijim)
Pa u fashitur sulmi ndaj Liberalizmit, në verën e vitit 1974 ndodhi diçka e papritur. Mes portreteve të anëtarëve të Byrosë Politike u hoq ai i Beqir Ballukut. Ndërsa goditja e parë ishte bërë në sektorin e ideologjisë për liberalizëm, kjo dukej, që bëhej në krahun kundërshtar, në atë të konservatorëve. Brenda disa muajsh u arrestuan edhe shumë oficerë të lartë, sa nuk dihej se cili ish-gjeneral (gradat kishin 7 vjet, që ishin hequr) do ishte pranë Komandantit të Përgjithshëm në paradën ushtarake të 30-vjetorit të çlirimit, e cila mbahej çdo pesë vjet në fund të nëntorit.
Në rrethin familjar dhe shoqëror ne nuk kishim ushtarakë, ndaj ishim më të pandjeshëm ndaj goditjes së tyre. Ushtarakët e lartë, përgjithësisht ishin ish-partizanë, që më vonë kishin bërë kurse ushtarake në Bashkimin Sovjetik ose në vendet e tjera lindore. Më të rinjtë, të cilët kishin edhe poste më të ulëta, vinin thuajse të gjithë nga fshatrat, se qytetarët nuk pranonin të ndiqnin shkollën “Skënderbej” apo Shkollën e Bashkuar. Rreth oficerëve shqiptarë thuheshin shumë anekdota, po aq sa edhe ndaj policëve. Ishte një jetë, që pakkush kishte dëshirë ta provonte. Shërbimi i detyruar ushtarak prej 2 ose tre vjetësh ishte një nga periudhat më të rënda të djemve të rinj. Kishte plot raste vetvrasjesh, ose vetplagosje për t’i shpëtuar shërbimit ushtarak. Më i vështiri, quhej ai i shërbimit në kufi, i cili mbulohej nga Ministria e Brendshme dhe jo nga ajo e Mbrojtjes.
Rreth komplotit të ushtarakëve flitej pak. Im atë kishte njohur disa prej të arrestuarve. Për Petrit Dumen, nën komandën e të cilit kishte qënë disa muaj në batalionin “Hakmarrja”, tregonte, që mblidheshin dhe hanin e pinin nëpër bazat e luftës, jo si partizanë, po si bashibozukë. Vetëm për Muhamet Prodanin theshte, që ishte luftëtar i mirë dhe njeri i mirë.
Me dënimin dhe ekzekutimin e ushtarakëve të lartë, filloi edhe përndjekja e familjeve të tyre. Tashmë Fatos Lubonja nuk ishte i vetmi i ri prapa hekurave i dënuar për agjitacion dhe propagandë, por duhet të ketë qënë më i kënduari dhe thuajse një disident para arrestimit.
Popullit i ishte dhënë “mësimi i hapur” se “kush ta dridhte bishtin do përfundonte në burg dhe askush nuk do përjashtohej.”
Në ditët e sotme, spastrimet e filluara në vitin 1973, paraqiten edhe si luftë mes klaneve të Bllokut për pushtet, pro unë mendoj, që lufta mes tyre ishte një faktor i dorës së fundit. Hoxha e kishte të përqëndruar mirë pushtetin në duart e tij dhe “fërkimet” mes klaneve vetëm ja bënin pak më të lehtë “vrarjen e mëndjes” për të kurdisur skenarët e komploteve. Prej “shpartallimit” të “të pakënaqurve” në Konferencën e Tiranës, të gjithë anëtarët dhe kandidatët e Byrosë Politike, i detyroheshin atij për qëndrimin në postet e larta dhe privilegjeve , që lidheshin me to. Nga Sigurimi i Shtetit, nga grupi i “kontrollit” afër tij dhe nga letrat e popullit, si ato me emër dhe nga anonimet, ai ishte i mirëinformuar, për çdo veprim të funksionarëve të lartë. Nëse zgjidhte t’i godiste atëhere, kur e shikonte ai të arsyeshme, kjo nuk lidhej as me përpjekjen e grupeve për ta rrëzuar dhe as me luftën ndërmjet tyre për pushtet.
Sigurisht, në atë kohë ne nuk kishim si të kuptonim asgjë të tillë. Kishim antipati për njerëzit e Degës së Punëve të Brendshme (në të gjithë qytetet “fuksat” nuk i deshte njeri) si dhe për ushtarakët, por nuk dinim asgjë rreth skenave dhe prapaskenave në Komitetin Qëndror dhe më lart. Pak na ndihmonte edhe ndonjë analogji, që mund të shkonim në mendje me ato , që kishin ndodhur në Bashkimin Sovjetik, apo ato, që ndodhnin në Jugosllavi(në vitet ’70 thuajse dinim gjithshka , që ndodhte atje, në sajë të televizionit jugosllav dhe lajmeve, që jepeshin në shqip.)
Viti 1975 vazhdoi me një rritje të valës së arrestimeve. Veç ushtarakëve, filluan të arrestoheshin edhe ata, që u quajtën grupi armiqësor në ekonomi, që fillonte me Theodhosin dhe Këllezin dhe përfundonte me inxhinierët e talentuar të gjeollogjisë dhe naftës. Kuptohet, që nisja e ndërprerjes së ndihmave kineze, pas kundërshtimit nga Hoxha të vizitës së Niksonit në Kinë, do i sillte pasojat e rrënimit ekonomik në vend. Ndaj duheshin shpikur armiq. Të tjerë fëmijë të Bllokut u arrestuan dhe u internuan. Mes tyre edhe Spartak Ngjela.
Duke ju rikthyer kohës së liberalizmit, dua të ritheksoj faktin, që “të rinjtë e Bllokut”, ishin flamurtarë të modernizmit dhe të atyre, që u quajtën më 1973 “shfaqje të huaja”. Ishte e kuptueshme, sepse ata kishin të gjitha mundësitë për “të hapur mendjen”. Dilnin jashtë shtetit, kishin në bibliotekat e tyre libra “të ndaluara”, aparate televizive, që në fillimin e viteve ’60 dhe njëkohësisht edhe “krahë të ngrohta”. Ishin ata, që konsideronin qesharak “dogmatizmin” e etërve të tyre. Kjo nuk i bënte domosdoshmërisht disidentë, por mund të ketë qënë edhe një nga arsyet e spastrimeve të mëdha, të mëvonshme. Me siguri, Enver Hoxha e ka konsideruar të rrezikshme për familjen e tij dhe kujtimin e atij vetë, lënien e “stafetës revolucionare” në duart e rinisë së Bllokut. Ndaj përpos arsyeve të tjera madhore, goditja e grupeve armiqësore, ka qënë edhe një goditje ndaj “udhëheqësve të ardhshëm”.
Dhe në këtë grup njerëzish, Fatos Lubonja ka meritën, që të ketë qënë ndër më të përparuarit dhe në ata, që kanë rënë më shumë në sy. Të tjerë si Gim Myftiu apo Lad Shehu, mbetën kundërshtarë të heshtur të sistemit. Ky i fundit u detyrua të vriste veten, pas likuidimit të të jatit, nga një intrigë qesharake mblesërie.
Për çka më sipër dhe për të gjitha ato, që hoqi me ridënimin në burg, Fatos Lubonja duhet nderuar. Ishte nga të paktit, që mishëronte elementë të disidencës në atë kohë.

Kohë të vështira – Kohë arrestimesh.

No comments:

Post a Comment