Debati i fundit mes Kadaresë dhe Lubonjës më duket më shpresëbjerrës
për Shqipërinë se sa kriza politike e fundit dhe gati e pambarimtë. Ne jemi mësuar
me “kokëngrëniet” e politikanëve tash dhe 120 vjet, pa u formuar ende shteti
shqiptar. Të pranishme kanë qënë edhe grindjet e të mëdhenjve të letrave, por
jo aq të egra dhe absurde sa në këto 25 vitet e fundit.
Për fat të keq, protagonisti është Ismaili, i cili mund të
hiqet edhe viktimë dhe jo ai , që ka hedhur i pari gurin, por mbetet në qendër
të sherrit dhe më e keqja është se reagon egërsisht. Akuzat e rënda dhe gjuha e
tij e ashpër ndaj Kasëm Trebeshinës dhe Rexhep Qoses tashmë po përsëritet edhe
ndaj Fatos Lubonjës, i cili gjithashtu hyn në elitën e mendimtarëve shqiptarë.
Për më tepër, reagimi i fundit i Ismailit, kundërshton dukshëm
ato, që përmban vepra e tij letrare apo shkrimet e tij rreth politikës dhe shoqërisë
shqiptare. Ku është humanizmi europian, të cilin aq shumë e adhuron Kadareja?
Ku është fryma e tij anti-diktaturë dhe anti-hakmarrje?
Eshtë interesante dhe gati paradoksale, që këta katër njerëz
të mëdhenj të letrave shqipe, kanë një qëndrim të njëjtë ndaj Diktaturës dhe
kur vjen fjala për të mbrojtur raportin e tyre me Diktaturën bëhen aq të pamëshirshëm
me njëri tjetrin.
Unë nuk dua të bëj arbitrin mes tyre se më mungon forca e
mendimit, për të “ndarë“ sherrin mes tyre. Por për një gjë jam i sigurt, se këto
sherre janë shumë të dëmshme për shoqërinë shqiptare, e cila ka jo pak
konfliktualitet.
“Nuk ja fal Fatos Lubonjës, që më ka denoncuar”, shkruan pak
a shumë Kadareja në letrën e tij. Por Fatosi, jo vetëm që ka qënë një student
23 vjeçar, të cilit sapo i ishte arrestuar i jati; jo vetëm që nuk ka asgjë në
dëshminë e botuar nga Kaloçi, që tregon dashakeqësi të tij ndaj Ismailit, por
edhe sikur të kishte të tillë, Fatos Lubonja i ka shlyer të gjitha “mëkatet” me
ato 17 vite si i burgosur politik. A i takon një të urti 80 vjeçar, mos falë një
djalosh 23 vjeçar, të torturuar në hetuesitë e egra, të cilat vetë Ismaili i përshkruan
në mënyrë rrënqethëse në veprat e tij?
Mund të thuhet, që ashpërsia e Kadaresë është e justifikuar,
pasi ka shumë vite, që Fatosi e sulmon veprën e Ismailit dhe karakterin e tij “të epshëm” në kohën e
Diktaturës.
Por a nuk është në bazën e mendimit më të përparuar europian
dyshimi, kundërshtimi, opinioni i argumentuar apo dhe i paargumentuar ndaj
ngjarjeve , dukurive dhe personaliteteve të shoqërisë?
Të vërtetë absolute nuk mund të ketë as rreth veprës së
Kadaresë dhe as rreth marëdhënieve të tij me Hoxhën, me Bllokun, me kolegët e
tij, me tarafet në rrethet letrare të kohës, me Ministrinë e Brendshme. Ishte
një kohë bardh e zi, por njëkohësisht edhe me qindra variacione të kombinimit të
këtyre ngjyrave. Si shkrimtari më i talentuar i asaj kohe, në mënyrë të
detyrueshme, ato çka lidheshin me të nuk mund të ishin as të bardha dhe as të
zeza, por do kishin nuance nga më të ndryshmet, të cilat po të shkëputen nga
konteksti i kohës mund të interpretohen edhe me superlativa, por edhe në mënyrë denigruese.
Le të hidhemi edhe tek një dukuri tjetër, që pasoi letërn e
Kadaresë dhe që u përsërit nga disa kundërshtarë të Lubonjës. “Ti, që ke pasur
të meta të karakterit, nuk mund të sulmosh të tjerët për mungesë karakteri!”
Duket si e llogjikshme, por është tërësisht e prapambetur dhe njëkohësisht e dëmshme.
Njerëz me karakter prej puritani është e vështirë të gjesh
dhe sidomos mes mendimtarëve të mëdhenj. Cdo sulm për të diskretituar ata si
njerëz, është sulm për të dikretituar mendimin dhe mesazhin e tyre në letra.
Lubonja ka meritën jo vetëm të angazhimit të vazhdueshëm
politk, jo vetëm të integritetit intelektual, jo vetëm të futjes së mendimit
humanist europian në shoqërinë shqiptare, por edhe të të qëndruarit i vetëm në
beteja. Sigurisht edhe në ato, që ai shkruan mund të gjesh dhjetra gabime apo qëndrime
filozofike dhe politike të diskutueshme. Në të kundërt nuk do ishte Fatos
Lubonja, por Shën Fatosi.
Për të renditur vlerat e mëdha të veprës dhe të mendimit të
Kadaresë, do duheshin qindra paragrafë.
Duke qënë më i madhi sot në botën e mendimit shqiptar, i
bije atij të hedhë hapat drejt paqes aq të munguar mes tij dhe të mëdhenjve të
letrave.
I bën mirë jo vetëm Ismailit.
I bën mirë edhe politikës shqiptare.
I bën mirë edhe atyre të rinjve, që nuk e kanë për gjë të
nxjerrin armët në kafenenë e fshatit.
No comments:
Post a Comment