Wednesday, 24 May 2017

Heshtja dhe duartrokitjet


Përgjithësisht i kam urryer duartrokitjet, sepse në kohën kur u rrita dhe kuptova diçka nga kjo botë, duartrokitjet ishin edhe me tepri edhe të detyruara. Duhet të duartrokisje në mbledhje të mëdha dhe mitingje, si dhe duhet të dëgjoje në radio dhe tv minuta të tëra me duartrokitje të shoqëruara edhe me thirrje të tipit “Parti, Enver jemi gati kurdoher’!”
Sigurisht, që kishte edhe shumë vende, ku mund të duartrokisje me dëshirë, si sallat e sportit apo sallat e koncerteve, ku mund edhe të rrije me minuta të tëra duke duartrokitur sportistët e shkëlqyer apo artistët me shumë vlera. E megjithatë, e gjithë koha ishte katërcipërisht e mbushur me duartrokitje për Partinë.
Ndaj dhe bashkë me shumë shokët e mij kishim zgjedhur Heshtjen. Kuptohet, me disa duartrokitje sa për sy e faqe, për të mos rënë sy për keq.
Nuk jam në gjendje të them se si ishte në atë kohë përqindja e atyre që duartrokisnin sa për sy e faqe, e atyre që duartrokisnin “pas berihajt”, e atyre që vërtet emocionoheshin dhe duartrokisnin dhe atyre, që ju binin duarve fort për të rënë në sy të udhëheqësve lokalë.
Njerëzit janë të tillë. Ndoshta jo për faj të tyre. Ka të tillë, të cilët nuk jetojnë dot pa lidera dhe pa klithur “hosanna” për ta. Nuk është domosdoshmërisht “legenllëk”, “mungesë karakteri” apo “përpjekje për të fituar pa meritë“. Ndoshta Krijuesi i ka modeluar si të tillë.
Debatet e 5-6 viteve të fundit rreth ndërtimeve në Qendër të Korçës dhe “hijeshinë“, që ka marrë qyteti në këto vite, më kanë bërë të mendoj edhe për këtë kategori njerëzish, të cilët mund t’i quaj “duartrokitës të përhershëm”.
Ka një fakt, i cili nuk mund të diskutohet, sepse pasqyrohet në shifra, që Korça ka përfituar shumë investime publike 10 vjetët e fundit dhe me një rritje të madhe në këto 4 vite. Të tilla investime, sigurisht, që do sjellin përmirësime në pamjen e qytetit si dhe në atë pjesë të jetës së qytetarëve, e cila lidhet me Qendrën e qytetit.
Pikat në të cilat janë përqëndruar debatet janë- nëse investimet janë projektuar dhe ekzekutuar me profesionalizëm(nuk po hyj këtu në abuzimet me to) apo në to ka pasur amatorizëm dhe arbitraritet. Pika tjetër e debatit ka qënë, nëse këto, të cilat reklamohen si arritje të shkëlqyera të arkitekturës dhe urbanistikës, janë vërtet të tilla, apo duhen parë në mënyrë kritike, për të mos përsëritur të njëjtat gabime në të ardhmen.
Vetë kam zgjedhur jo të duartrokas, por edhe të mos hesht.
Nëse në opinionet e mija jam gabuar, ose kam qënë tërësisht i gabuar, kjo nuk i prish asnjë punë Korçës. Mund të karakterizohet në atë, që në kohën e Partisë së Punës quhej “nxirrje e realitetit” dhe asgjë më tepër. Nëse nuk jam tërësisht gabim, atëhere kjo e dëmton Korçën.
Po përsëris diçka , të cilën e kam shkruar edhe më parë. “Arkitekturën dhe urbanistikën e Korçës e ka shpëtuar fryma konsevatore e korçarëve.” Kjo nuk do të thotë, që nuk janë bërë gabime në të gjitha kohërat, por ato kanë qënë më të pakta se sa ato të qyteteve të tjera.
Në ndërtimet e reja të viteve të fundit, ka një “kokëshkëmbje”, të cilën duke qënë larg nuk mund ta përcaktoj nëse vjen nga Rama, Peleshi, Pit Uillsën apo të tre së bashku.
Rama nuk e ka për gjë të eksperimontojë dhe të kërkojë realizimin e çdo ideje “gjasme prej artisti”, që i vjen në kokë. Pit Uillsën është gjithashtu një eksperimentues, të cilit nuk I bëhet shumë vonë për Korçën. Me sa e njoh Peleshin, them që nuk ka as “frymëzimet” e dy të parëve dhe as prirje t’i bëjë dëm qytetit. E megjithatë, më ka befasuar “kokëshkëmbja e tij” në ngritjen e Kullës, në Biblioteka e re dhe në transformimin e Bibliotekës së Kolevicës.
Për fat të keq, “duartrokitësit e përheshëm” i bien duarve sa ju bëhen “fulltaka” dhe ata, që kuptojnë dhe nuk mund të duartrokasin, heshtin.
Ndoshta duhet të kalojnë edhe disa vjet dhe fryma kritike dhe konservatore e korçarëve të rikthehet, si në kohët e mira të viteve ’20 dhe ’30 të shekullit që shkoi.

Mbase edhe duartrokitësve deri në atë kohë do ju kenë zënë duart kallo!

1 comment:

  1. Rust in peace in your empty Quebec neighbourhood...Korca ecen para

    ReplyDelete