Për mendimin tim, lajmi më i keq në Tiranë, pasi u arrit marëveshja
e shumëpritur, ishte ai i një koalicioni të mundshëm PS – PD pas zgjedhjeve. Përderisa
ka disa funksionarë të të dy partive, të cilët e kanë përmendur këtë gjë, atëhere
nuk është për tu përjashtuar si opsion. Kuptohet, që e gjitha do jetë në varësi
të rezultatit të zgjedhjeve.
Përse nuk është i
pamundur një koalicion i tillë:
Arsyeja e parë është,
që të dy palët nuk kanë asnjë lloj ndryshimi as në programet elektorale dhe as
në praktikat qeveritare të ndjekura nga viti 1997 e këtej. Retorikat kanë qënë
të majta, reformat shpesh herë të djathta dhe premtimet populiste. E Djathta flet për martesat gay, ndërsa e Majta kundër
sindikatave, teza këto të pakonceptueshme për krahët tradicionalë të politikës
në çdo vend të zhvilluar demokratik.
Arsyeja e dytë është,
që një pjesë e mirë e biznesmenëve të mëdhenj, që përbëjnë motorrin e ekonomisë
shqiptare, kanë qënë klientë edhe të PD-së dhe të PS-së, ndaj dhe do parapëlqejnë
një koalicion , i cili ndan sektorët e influenceës dhe të përfitimit.
Arsyeja e tretë është
eliminimi i LSI-së, e cila mbetet një faktor bezdisës për çdo krah qeverisës,
se gjithnjë merr nga sofra më shumë se ç’ka kontribuar. Për këtë më e
interesuar është PS-ja e cila mund të tërheqë brenda saj “djemtë plangprishës që
u larguan 14-15 vite më parë.
Ka edhe një arsye të
katërt, që është dëshira e Bashkimit Europian për stabilitet. Në një vend
me popullsi sa të një metropoli, interesi i Brukselit(dhe i Uashingtonit) nuk është
zhvillimi i demokracisë, por qëndrueshmëria.
Pra le të supozojmë, se më 25 qershor, PS-ja do marrë 62
vende, PD-ja 52 dhe LSI-ja bashkë me gjithë partitë e tjera të vogla 26 vende
(Janë numura të vëna arbitrarisht, për të krijuar një skenar të mundshëm
koalicioni.)
Rama edhe mund të pranojë një koalicion të drejtuar prej
tij, me synimin shuarjen e LSI-së dhe sigurimin e mbi 70 vendeve i vetëm më
2021.
Basha me bandën e tij, të “zhurritur” për “pushtet-para” nuk
ka arsye të mos e pranojnë koalicionin. Së pari, Basha quhet “fitues” dhe ruan
postin e Kryetarit, duke garantuar karrierën e tij politike. Berisha arrin të
shtyjë edhe për katër vite një implikim të mundshëm ligjor të tij dhe të fëmijëve.
Të tjerët, marrin nga një vend ministri apo zëvendësministri, “sakrificë kjo për
hir të Shqipërisë“.
E para dhe më kryesorja është, që për 4 vite në Shqipëri nuk
do ketë opozitë.
Do të thotë, që qeveria të veprojë pa asnjë lloj pengese në
miratimin e ligjeve në favor të klientëve, në dhënien e koncensioneve, në
tenderat e mëdha me fonde publike, në shtimin e taksave dhe borxhit publik
Do të thotë të hyjmë për 4 ose më shumë vjet në fazën e plotë
të “banditokracisë“.
Do të thotë, që e famshmja Reformë në Drejtësi të shtyhet, të
modifikohet dhe të fillojë të aplikohet vetëm në nivele të ulëta, për të mos
prekur “të përlyerit” e deritashëm dhe ata, të cilët do vazhdojnë të vjedhin në
legjislaturën e ardhme.
Do të thotë, që “u pasurua kush u pasurua dhe si u pasurua,
tani le të fillojmë nga fillimi”.
Ndoshta nuk kishte se
si të ndodhte ndryshe!
Me naivitet kemi menduar, që “bandat” do i nxjerrin sytë njëra
tjetrës gradualisht deri sa të pastrohen shtyllat e pushtetit në Shqipëri.
Banditët e kanë jo të vështirë, të arrijnë një marëveshje për
ndarjen “e tregjeve” me njëri tjetrin edhe pasi janë “kërdisur” në luftë ndaj
njëri tjetrit. Eshtë historia e Cikagos dhe e Nju Jorkut të 100 viteve më parë.
Këta tanët bile as e kanë vrarë njëri tjetrin, pork anë vrarë “millet të
pafajshëm”
E megjithatë, kjo mbetet një hipotezë, në rast se rezultati i
zgjedhjeve do dalë sipas zgjedhjeve të fundit dhe sondazheve të këtyre kohëve.
Në rast se banda- Rama do fitojë e vetme, do sundojë e vetme!
Ka edhe një shpresë, që është tepër e vakur, por nuk duhet
humbur. Numuri i votuesve të jetë i lartë dhe të votojnë në numur rekord për
partitë e vogla.
Ndoshta është fija e fundit e kashtës, ku mund të kapet “i
mbytyri” elektorat shqiptar!
No comments:
Post a Comment