Wednesday, 10 May 2017

Fatos Lubonja dhe koha e arrestimeve (2)

(vijim)
Në pranverën e vitit 1974, sipas rregullave të kohës, ne duhej të bëheshim antarë të BRPSH-së dhe të mos ishim më pionierë, gjë që na pëlqente jo vetëm se ndjeheshim më të rritur, por nuk na duhej të lidhnim çdo mëngjes shallin e bezdisur të pionierit, që shpesh e humbnim dhe duhej ta riblinim. Kushtonte 27 lekë të vjetra, thuajse sa një paketë cigare me filtër, dy ëmbëlsira të mira, apo një kilogram piperka nga të parat e sezonit.
Nga Tirana lajmet nuk ishin të mira. Ju kishin bllokuar televizionin italian dhe atë jugosllav dhe po dënoheshin me burgje dhe internime shumë letrarë dhe artistë. Keqardhje më të madhe ndjenim për Sherif Merdanin, që ishte nga Korça dhe e konsideronim të një niveli me këngëtarët italianë të kohës. Edhe për artistët e tjerë nuk na vinte mirë, por Edison Gjergon, Mihal Luarasin dhe ndonjë tjetër, që u arrestua, i njihnim vetëm si emra.
Për tu kthyer në Fatos Lubonja, rreth tij dinim vetëm , që ishte arrestuar edhe djali i madh i Todit dhe keqardhja ishte si e mjegullt, e papërcaktuar. Nuk na dhimbeshin partiakët e mëdhenj, por fëmijët e tyre nuk kishte kuptim pse të vuanin. Na vinte mirë psh, që djali i Paçramit vazhdonte të luante futboll në kategorinë e parë edhe pse e kishin larguar nga Tirana.
Nga ç’ka kam lexuar më vonë rreth Fatos Lubonjës(pas vitit 1990) kam kuptuar, që ai hynte në rrethin e fëmijëve të funksionarëve të lartë, që kishin më shumë informacion rreth botës dhe dinin të bënin pyetje rreth Diktaturës shqiptare dhe sistemit komunist në përgjithësi. Të tillë ishin Gim Myftiu, djemtë e Mehmet Shehut, vajzat e Sadik Bekteshit, Spartak Ngjela e të tjerë të brezit të “baby boomers”, që në kohën e liberalizmit ishin studentë, ose sa kishin mbaruar universitetin. Para disa vitesh, Klodi Stralla shkruante, që “Fermën e kafshëve” të Oruellit e kishte lexuar , kur ishte student dhe ja kishte dhënë Fatos Lubonja, me të cilin ishte në një klasë. Kalimi i librave të ndaluar, ose të papërkthyer për shkak të kundërshtimit të sistemit ishte një nga fenomenet e “disidencës” gjatë Diktaturës. Kuptohet, që në periudhën e liberalizmit, kur ndjekjet dhe dënimet për agjitacion dhe propagandë ishin shumë të pakta, ky qarkullim librash ishte më i lehtë. Nuk është e thënë, që të gjithë që i qarkullonin apo lexonin ishin kundërshtarë të sistemit, por mjafton të thuash, që ishin njerëz, të cilët vinin në dyshim ato që thuheshin dhe shkruheshin publikisht.
Në Korçë, gjendja ishte shumë më e vakët. Nuk kishte universitet dhe si rrjedhojë, vetëm rinia e gjimnazeve mund të zhvillonte një shpirt të kundërshtimit të sistemit. Por në qytet mungonte shtresa e të rinjve,  që vinin nga familjet e Nomenklaturës, të cilët për shkak të mbrojtes nga prindërit, e kishin edhe më të lehtë të rebeloheshin. Të rinjtë , që vinin nga familje të deklasuara, ose me lidhje të afërta fisnore në Amerikë, ishin gjallëruar, por ende nuk ndjenin mungesën e plotë të frikës, për tu organizuar, apo më tepër akoma për tu ngritur në revoltë kundër sistemit. Ndaj dhe në vjeshtën e vitit 1973 apo pranverën e 1974-s nuk pati arrestime në të rinjtë në Korçë.
Një lloj fryme “liberale” ende nuk ishte fashitur, sepse më kujtohet, që në mars dhe prill përgatiteshim për konkursin “e rëndësishëm” të anatomisë dhe së bashku me 7 djem e vajza të klasës këndonim në dhomat e studimit të muzikës, “Jupi du” , “ It’s nice to be in love again”, “Waterlo” dhe këngë të tjera pop të atij viti. “Vidhat” nuk ishin shtrënguar akoma si do shtrëngoheshin më 1975 dhe më tutje.
Atë vit(dhe më vonë), mësuesi jonë i biologjisë, i paharruari Fredi Bitincka, na tregonte më shumë se të rriturit e tjerë, se ç’ndodhte në botën tonë shqiptare. Fredi ishte nëndrejtor i shkollës, por kjo nuk e pengonte të ishte më i afërti me ne. Për herë të parë ndjeheshim, që një i rritur i mënçur na trajtonte jo si fëmijë. Fredi ka qënë mentori im i parë dhe mik i ngushtë deri sa u largua nga jeta. Atij i dedikoj shumë nga “hapja e syve” në raport me sistemin, sepse më tregonte gjëra, të cilat im atë ndoshta kishte frikë të m’i tregonte, për të më mbrojtur. Më shumë se një kundërshtar i vendosur kundër sistemit, Fredi Bitincka, me natyrën e tij të  qeshur dhe të sinqertë, ishte kundërshtar i hipokrizisë dhe mungesës së lirive. Vinte nga një familje të shkolluarish në gjendje të mirë ekonomike, që nuk kishin pësuar nga shpronësimet e pasluftës, por që vlerat e jetës i bazonin në ndershmëria, kundërshtimi i dhunës dhe dituria. Nga kjo linjë nuk luajti për 40 e kusur vite, që e kam njohur. Ishte një njeri, tek i cili gjeja mbështetje dhe këshilla në periudhat e vështira të jetës.

Atë vit, pata mundësinë të shkoja dy herë në Tiranë, në dy konkurse, një në radio dhe tjetri në televizion dhe të prekja shkarazi një lloj ndryshimi midis kryeqytetit, ku ishin përqëndruar të gjitha dhe “provincës”, jeta e së cilës, imitonte në dimensione më të vogla dhe më me vonesë ato, që vinin nga qendra. Tirana kishte një jetë të gjallë dhe ende shikoje vajza me minifunde dhe djem me flokë të gjata. Baret ishin plot dhe nuk kishte kufizime as për 14-15 vjeçarë si unë dhe shokët e mij, që porositnim “ birrë dhe bërxolla” pa qënë të shoqëruar me të rritur. Edhe pse më të përmbajtur, në televizion ende ndjehej një frymë më moderne në veshjet dhe sjelljet e atyre, që punonin atje. Në të dy rastet, fjetëm në një hotel të vogël në rruga e Dibrës, më lart se pallati i Ismailit, që quhej “Tirana”, sepse ende nuk ishte ndërtuar 15 katëshi. Në dallim nga jeta e zhurrmshme e qendrës së Tiranës, jeta në Korçë ishte më konservatore. Diktatura kishte vrarë gjatë 30 vjetëve shpirtin e saj intelektual, rebel dhe të dëfrimit. Më 1974-n e më pas, të zinte malli të shkonje në një mbrëmje vallzimi, të cilat sa vinte dhe rralloheshin ose bëheshin më “tematike”.
(vijon)

No comments:

Post a Comment