Ajo botë, të cilën e lashë pas, i detyruar, dhe që i kthehem
shpesh e më shpesh ishte e vogël. Ishte e vogël, se duke qënë një qytet me dendësi
të lartë, por dhe jo i madh, gjithshka zhvillohej brenda një trekëndëshi me
brinjë më të vogla se një kilometër. Aty ishte shkolla, puna, stadiumi, teatri,
biblioteka, shëtitorja, klubet, vajzat, Komiteti i Partisë, kinemaja, banka e
vetme, Dega e Punëve të Brendëshme, gjykata, Radio Korça. Vetëm varreza ishte më
larg se një kilometër. I gjithë vendi ishte i izoluar, por herë herë shikonim
edhe njerëz, të cilët vinin nga një botë tjetër, kryesisht të moshuar, veshur
me ngjyra të çelura dhe pak të dala mode. Ishin korçarët, që kishin emigruar
para Luftës së Dytë dhe që shpesh me përçmim i quanim “qyngjër Bostoni”.
Kishte edhe një botë të dytë ku “arratiseshim” dhe që përbëhej
nga librat e lejuar dhe televizioni jugosllav i ndaluar. Sigurisht, që nuk qe
një botë e vërtetë, se nëpërmjet pasqyrave tona shihnim pasqyrimin që kishin bërë
të tjerët me pasqyrat e tyre, ndaj gjithshka ishte e përzgjatur, e deformuar
bukur, e ngjyrosur më fort, si diçka midis pikturave të El Grekos dhe Salvador
Dalisë.
Ishte bota ime dhe e brezit tim, ndaj dhe kur u “hapëm” pata
dëshirë të udhëtoja, por jo të ikja nga ajo botë e vogël, që tashmë po merrte
frymë. E lashë, si e përmënda më sipër, i detyruar, por edhe pse kam shumë mall
nuk jam i penduar. Kam parë dhe kam mësuar shumë në këto 20 vite larg botës
sime të vogël, të dashur.
Sigurisht, që nuk është e lehtë të largohesh nga një qytet
ku ke shkuar periudhat më të bukura të jetës, të cilat pavarësisht nga lloji i
regjimit, mbeten fëmijëria dhe rinia. Atje ka mbetur thuajse gjithshka e imja.
Një “i paemër” më quan “korçar i lig”, por kush më njeh e di, që nuk mund të
ikja nga Korça duke uruar, që qyteti të shkonte tatëpjetë. Aq më tepër, të
ndjej “mllef” ndaj përparimit dhe zbukurimit të tij. Më duket se të tilla
ndienja nuk mund t’i ketë askush, që ka jetuar në Korçë.
E megjithatë, le të themi se edhe unë, si çdo njeri mesatar,
kam komplekset e mija, të cilat mund të lidhen me bindjet politike, me animin
filozofik, me dështimet apo sukseset në profesion dhe në jetë, me “zilinë
profesionale”, apo edhe thjesht me atë që francezët e quajnë “l’esprit de
contradiction”. Detyrimisht, të gjitha sa përmenda më sipër nuk mund të fshihen, por do dalin në shkrimet
e mija në blog.
Dhe duke i dhënë përsëri të drejtë “të paemrit”, tek to ka
“mllef, ide démodé, cinizëm dhe nostalgji të pavlera për kohën që jetojmë.”
Eshtë e vërtetë që në to ka Mllef.
Eshte mllefi ndaj hajdutëve që merren me politikë, politikanëve
që merren me hajni, profesorëve që shesin notat e provimeve, të paaftëve, që ju
zenë vendin atyre, që diplomohen shkëlqyer, pushtetarëve që pushojnë njerëzit
nga puna dhe i çojnë në vetvrasje.
Eshtë e vërtetë, që në to ka Ide Demode.
Janë idetë për tu rikthyer të paktën në Korçën e viteve të
paraluftës, ku fjala e dhënë ishte fjalë e dhënë, ku edepsëzët quheshin nga të
gjithë edepsëzë, ku të pasurit ishin edhe filantropë, ku të ndershmëve ju hiqte
kapellën e gjithë “çarshia”.
Eshtë e vërtetë se në to ka Cinizëm.
Ju drejtohet hipokritëve, atyre që të vrasin natën e të qajnë
ditën, atyre që lëpijnë këpucët e eprorëve dhe shkelin me këmbë ata , që kanë
poshtë.
Në to ka edhe Nostalgji të pavlera.
Eshte e vërtetë edhe kjo. Ka nostalgji për Aleksandra
Tashkon, Gaqo Pecin, Spiridon Ilon, Zai Fundon, Profesor Kondën, Hyrmete
Bitinckën dhe sa e sa korçarë të tjerë të paqëm e të mirë, që bënin që “batakçinjtë“
të tregoheshin me gisht.
Eshtë kjo Korçë e cila dëshëroj të rikthehet. Edhe me
teknologji të lartë. Edhe me ndërtime moderne.
Jo për vete.
Për fëmijët e të gjithë korçarëve, ku përfshihen edhe fëmijët
e “korçarit të paemër”.
Hmm...pavaresisht pathetizmit bajat te shkrimit,si zakonisht,me pelqeu se ka ca nota reflektimi positive..po mos u merzit o byrazer se nuk eshte Korca si Jerusalemi. It is just a common boring town...so let it flow
ReplyDeleteLol...edhe mi gjirizi edhe me nje sens humori. Strange creature!
DeleteTe qenka vene keq ky gerxhoja i cukave, Naum. Do t'i kesh shkelur keq ne kallo kur iu bije plehrave dhe hajduteve. Keta anonimet behen shume trima ne internet, sepse eshte terreni i persosur per te vepruar pa pasur nevojen e shtylles kurrizore. Nuk di a ja vlen te merresh me njerez qe shqetesohen per dallimin midis patetizmit bajat dhe atij te fresket, por qe s'arrijne te shkruajne dot dy fjali rresht ne te njejten gjuhe.
DeleteEpo shyqyr o Beni se ju gjend nje shok ne krah Naumit se u shqetesua shume nga kritika.
DeleteNje reflektim I vogel nuk i ben keq...po ti e bere tenden
Beni, bota eshte e te gjitheve dhe te gjithe llojeve te qenieve ndaj eshte edhe kaq e bukur.
ReplyDeleteNuk mendon se do ishte me monotone, po te mos kishte edhe te tille?
Po mushkonjat kujt i duhen?
ReplyDeleteTundra merr fund po mos kete mushkonja. A pa do Tundra ti?
Delete