Tuesday, 30 May 2017

“Malli i Mëmëdheut”

Diku lexoja për shoqëritë e mërgimtarëve në Amerikë, në fillim të shekullit të kaluar dhe më bëri përshtypje numuri shumë i lartë i tyre. Mbi 150. Më të shumtat ishin krijuar nga korçarët, të cilët duhet të kenë qënë shqiptarët më të shumtë në Amerikë. Mes tyre më ra në sy një shoqatë e formuar më 1906 në Bafalo nga Mina Gramenoja, Petro Nini Luarasi dhe Thanas Mborja. Quhej “Malli i Mëmëdheut”. Bafalo në ato vite ishte në 3-4 qytetet më në lulëzim në Amerikë.
Eshtë interesante se sa më të solidarizuar dhe të organizuar ishin shqiptarët në mërgim 110 vjet më parë. Vërtet një pjesë prej tyre vinte nga vite kurbeti në Stamboll, Sofje dhe Bukuresht, ku kishin pasur forma të ngjashme organizmi, por mënyra e shoqërizimit në Amerikë, me statute të përpiluara mirë, me qëndrime jashtë politikës është vërtet mbresëlënëse. Kjo ka bërë, që në 20 vitet e para të shekullit të kaluar, shqiptarët e Amerikës kanë luajtur një rol të shkëlqyer në formimin e shtetit të pavarur shqiptar duke këmbëngulur me forma jo të dhunshme, që shteti ku punonin të mbronte çështjen shqiptare.
Ka një mungesë përsëritjeje, të të njëjtës veprimtari të shqiptarëve në Amerikë dhe Kanada. Malli i Mëmëdheut është i njëjtë, por “solidarizimi” dhe pjesëmarja aktive në çështjet, që preopupojnë shtetin amë, është ku e ku më e vakët. Kohët nuk janë identikisht të njëjta dhe interesat mund të kenë ndryshuar, por gjithsesi mospërputhja është tejet e madhe.
Për mendimin tim, faktori kryesor është “thyerja” e ndienjës së solidariteti mes njerëzve gjatë 5 dekadave të Diktaturës. “Shoqërizimet”, që nuk ishin të kontrolluara nga shteti ndaloheshin me ligj, ose edhe kur lejoheshin, shiheshin si “veprimtari armiqësore”. Njerëzit e humbën ndienjën e “bashkësisë“, dhe mbeti vetëm lidhja fisnore.
Gjithsesi, të gjithë ne emigrantëve, nuk mund të na falet “mëkati i mosorganizimit” dhe për më tepër, ai i ndjekjes inaktive të ngjarjeve në Shqipëri. E theksoj “inaktive”, sepse vetëm duke ndjekur kanalet televizive shqiptare, ose vetëm duke shprehur opinionet në mediat sociale apo në shtyp , pa organizim, pa peticione ndaj qeverisë shqiptare apo qeverive të vendeve ku jetojmë, pa letra ndaj përfaqësuesve në Parlamentet tona(sdomos atë amerikan), nuk mund të përparojnë ato çështje të vendit , të cilat i kemi të gjithë për zemër.
Ndaj edhe pse është më e lehtë të kritikosh, ka ardhur koha të bëjmë atë më të vështirën – të kontriboujmë me vepra për fshatin tonë, qytetin tonë dhe gjithë vendin.
Dhe kjo mund të bëhet, nëse “energjinë positive” të Mallit për Mëmëdheun e ndryshojmë në një,  “energji veprimi dhe financiare”.

(Kuptohet pa ju varur mëlçitë në qafë, ujqërve të specializuar në përvetësimin e fondeve, që nuk janë të pakët, as këtej dhe as në Mëmëdhe.)

No comments:

Post a Comment