Thursday, 25 May 2017

Ngrehuni dhe…votoni!

Paqja u arrit!
Eshtë mes bandave, mes partive politike apo mes “centaurëve” gjysëm-parti dhe gjysëm-banda ka pak rëndësi. Vera e këtij viti mund të sjellë fërkime të tjera, por duket e sigurt, që nuk do ketë një 1997 tjetër. Me postet, që posa mori opozita, shpresohet të mos ketë edhe kundërshtim të rezultatit të zgjedhjeve.
Tani gjithshka është në duart e Sovranit.
Por edhe “Sovrani” vetë, përbëhet edhe nga militantët, edhe nga ata që ndrojnë partitë, edhe nga ata, që duan të mbetet gjendja siç është, edhe nga të zhgënjyerit që nuk votojnë, edhe nga ata që duan ndryshime, edhe nga ata, të cilëve ju dhimbsen jo vetëm familja, por edhe të tjerët. Një pjesë e madhe e elektoratit(çuditërisht numuri i të rregjistruarve është mbi 3 milion) nuk do shkojë të votojë dhe këta përbëjnë “partinë e abstenimimit”.
“Parti të abstenimit” ka në gjithë vendet perëndimore, por tek ne, për shkak të problemeve të mprehta të institucioneve, si dhe atyre ekonomike dhe shoqërore, një “parti” e tillë është një “luks”, të cilin nuk duhet t’ja lejojmë vetes. Shprehje si “Kot të votoj se i vjedhin”, “ Të gjithë njëlloj janë ndaj s’ka kuptim të votoj”, “Ata, që merren me politikë janë të tërë hajdutë“ e të tjera si këto, janë një lloj “hara-kiri” e çdo votuesi, për të mos përdorur të vetmen gjë të sigurt që ka në demokraci – Votën.
Ka disa mënyra për të shprehur protestën duke përdorur votën. Bashkë me protestën është edhe mbrojtja e interesit të votuesit abstenues.
Një mënyrë është të votosh për partitë e vogla, duke ushtruar kështu trysni mbi tre partitë kryesore, të cilat janë përgjegjëse për qeverisjen e keqe deri më sot. Edhe pse “të voglat” nuk janë të kulluara, përsëri, një shpërndarje e parlamentarëve i bën më mirë gjendjes së sotme të demokracisë hibride shqiptare.
Një mënyrë tjetër është të votosh partitë e posakrijuara, të cilat kanë dale edhe si rrjedhojë e pakënaqësisë të njerëzve ndaj qeverisjes. Ndonëse vetë, nuk kam besim absolute as në “Sfida” dhe as në “Libra”, më mirë do preferoja të votoja njërën prej tyre, se sa të shpija votën time dëm duke mos votuar.
Ka edhe një mënyrë të tretë, që të votosh duke shkruar “Poshtë hajdutët!” duke kënaqur edhe inatin vetjak ndaj politikanëve të gjitha ngjyrave. Edhe pse vota është e pavlefshme, ështe më mirë se mospjesëmarrja. Një fakt i tillë, i konstatuar nga qindra komisionerë, si dhe nga vëzhguesit e huaj nuk mund të kalojë lehtë dhe do i arrijë frytet në një të ardhme jo të largët.
Të mos votosh nuk është zgjidhje, por është të shtosh problemet e familjes dhe vendit. Koha e “ngrihuni dhe bjeruni” ka perënduar si kohë e dështuar, që të sjell humbjen e lirisë. Nëse do të jesh i lirë duhet të “ngrihesh dhe votosh”.
Ashtu si e thoshte këngëtari i madh milanez Xhorxho Gaber:
Liria nuk është të kesh një opinion
As një hapësirë e lirë,

Liria është të marrësh pjesë!

No comments:

Post a Comment