(vijim)
Përsëri u largova nga tema, që përcakton maksima, që përbën titulli i këtij shkrimi.
Duke shkruar rreth njerëzve me emraa të veçantç, sipas ekspertëve ligjorë, rrezikon të inkriminosh veten në ngjarje, ku ke qënë i pranishëm dhe përbëjnë krim, mund të jesh objekt i një procesi për shtrembërim të figurës, ose edhe thjesht mund të jesh viktimë e një hakmarrje të mundshme të subjekteve, rreth të cilëve shkruan.
Këto pasohen me një numur pyetjesh retorike dashamirëse si : "Po ty ç'të duhet?!", "Kur s'ke pula pse dava me dhelprën?!", "Shkrimet as të paguhen, pra ç'ke?", "Me shkrime do e rregullosh dynjanë?!" ose me pyetje po retorike, por dashakeqe si: "Ke ndonjë inat me filanin?", "Je i parealizuar dhe nxjerr mllefin?", "Nuk rri dot pa nxjerrë zhabat nga barku?", "Po ka ndonjë njeri, që të pëlqen ty?" e të tjera të ngjashme me to.
Edhe pse përgjigjet ndaj këtyre pyetjeve (përgjigje, të cilat nuk i kërkojnë pyetësit), i takojnë një shkrimi për botën e tretë (universin brenda nesh), po përgjigjem duke përdorur për ilustrim, një koment të poetes Zhuljana Jorganxhi, rreth një shkrimi tim për veprimtarinë e Todi Lubonjës në Korçë. "...nuk ju lejohet të ofendoni me epitetet më denigruese korçarët e tjerë. Me Andrea Themelin jemi rritur. Talent qysh fëmijë! Rikardo, im vëlla, shkëlqeu që më 1957...(rendit disa vepra të tij)...Krijoi, drejtoi orkestrën simfonike të Korçës..."shkruan Zhuljana.
Sigurisht, që nuk kam pasur asnjë mllef dhe asnjë dëshirë të denigroj as të ndjerin Andrea Themeli dhe as Rikardon. Ata ishin përmendur në shkrimin tim, në funksion të argumentit, që nuk ishte e vërtetë, që Lubonja përkrahte më të talentuarit, më modernët dhe më të shkolluarit. "Epitetet denigruese" për ta ishin "mediokër dhe pa shkollimin e plotë" për Themelin dhe "pa ndonjë talent dhe intelekt" për Rikardo Jorganxhiun.
I ndjeri Andrea Themeli, që pas burgosjes së Lubonjës, duket që edhe shëndeti nuk i shkoi mirë, ishte vërtet një piktor mesatar dhe kishte përfunduar vetëm Liceun Artistik. Edhe pse "mediokër" jep një ngjyrim pexhorativ, personalisht mendoj se shumica e artistëve janë mediokër. Këtu pa u drojtur fus edhe veten time. Nuk e pata cilësuar as "të dobët" dhe as "të paaftë", për të thënë që po e denigroja. Jam i bindur, që të gjithë ata, që njohin artet figurative në Korçë janë të këtij mendimi.
Sa për Rikardon "e gjorë", isha treguar jo i sinqertë me veten, se mendimi im(dhe i të gjithë atyre, që e njohin) është, që Rikardoja ishte një "budalla i lindur". Ndoshta edhe ka pasur një farë talenti për muzikant, por ishte kaq " i patru", sa jo vetëm që nuk mund të krijonte orkestër sinfonike dhe ta drejtonte, por mund të "shkatërronte pa dashje" çdo gjë , në të cilën vinte dorë.
Po e nënvizoj, që këta dy artistë, nuk do kishin zënë ndonjëherë vend në shkrimet e mija, po të mos ishte fakti, që doja të tregoja se cila ishte "fytyra e vërtetë perëndimore" e Todi Lubonjës në Korçë. Ai nuk zgjodhi të "bëhej mik" apo të përkrahte artistë dhe letrarë me formim perëndimor të mirë, të cilët edhe pse e mbanin fshehur, ishin kundër realizmit socialist. Dhe të tillë në atë kohë Korça kishte jo pak, duke filluar me Sokrat Mion, Vangjush Tushin, Kiço Venetikun, Kristo Konon, Gaqo Pecin, Rafail Dembon, Boris Plumbin e të tjerë emra, të cilët edhe mund t'i kem harruar.
(vijon)
No comments:
Post a Comment