Tuesday, 9 May 2017

Fatos Lubonja dhe koha e arrestimeve


Më vjen keq, që e sulmojnë egërsisht Lubonjën. Jo aq për vetë Fatosin, të cilin nuk e kam takuar ndonjëherë, por vetëm kam lexuar artikuj të tij dhe dëgjuar ndonjë intervistë në youtube. Në vitet e paratë tranzicionit, kur ende isha në Shqipëri, ishte më pak aktiv në shtyp, ose shkruante në “Shekulli“, një gazetë, të cilën nuk e kam lexuar kurrë, pasi nuk honepësja dot pronarin e saj, Kokëdhimën.
Fatosi nuk jetoi asnjë ditë në Korçë, kur i jati u transferua rreth viteve 1967-68. Duhet të ketë qënë student. I vëllai, Gimi, ishte në shkollën tonë dhe vinte rrinte me moshatarët e tij në Bonboneria. Vite më vonë, gjatë verës të nxehtë të vitit 1973, kur “liria” ishte në majën e saj më të lartë dhe do fillonte edhe këputjen e menjëhershme, dëgjuam për arrestimin e tij, krahas të jatit. Arrestimi i Fadil Paçramit dhe Todi Lubonjës ishte një akt i pakuptueshëm për brezin tonë, që nuk kishte qënë dëshmitarë të arrestimeve të udhëheqësve të lartër partiakë. Që prej arrestimit të Maqo Comos(burri i Liri Belishovës dhe ministër i bujqësisë) më 1961, nuk kishte patur më arrestime të anëtarëve të Komitetit Qëndror apo akoma më lart. Në shkurt 1967 kishte filluar një luftë ndaj konservatorizmit dhe ndjehej një frymë favorizimi ndaj rinisë, modernes dhe lirive. Ngjyrimi ala “revolucioni kulturor kinez” ishte aq i lehtë, sa dukej se mbetej vetëm në fletë-rrufetë, heqjen e gradave dhe privilegjeve në ushtri dhe gjimnastikën e mëngjesit. Në vetvete, Revolucioni Kulturor në Kinë ishte një lëvizje konservatore dhe ksenofobe, ndërsa fundi i viteve ’60 në Shqipëri, po të përjashtojmë ndalimin e ushtrimit të fesë, kishte një frymë tërësisht liberale, që dukej më tepër si reflektim i lëvizjeve studentore në Europë. E megjithatë nuk ishte as i tillë.
Futja në masë e aparateve televizive në fillimin e viteve ’70 kishte ndikuar për mirë kryesisht në Tiranë dhe Shkodër, por edhe në një qytet më “të përmbajtur” si Korça. Ishin shtuar vizitat e të afërmve nga Amerika, që sillnin bashkë me “rrobat e përdorura, por të mbajtura mirë“ edhe një frymë lirie dhe “mendjeje të hapur” në qytet. Dukej, se një ditë do bëheshim pjesë e një bote më të madhe.
Ndaj si e përmenda më lart, arrestimi i Paçramit dhe Lubonjës ishte krejtësisht i papritur dhe absurd, ashtu si ishte edhe lëvizja kundër Liberalizmit. Ishte koha kur sa kishim nisur të mbanim flokët më të gjata dhe të kërkonim  pantallonat poshtë të ishin mbi 26, sepse ishte moda e pantalonave “kauboj”, ose si quhen në Amerikë “feçkë elefandi”. Ime motër do shkonte me studime në Tiranë dhe kjo rriste fantazinë për “shtëpinë bosh”, që ato kohë lidhej me vajzat, puthjet dhe “ndonjë gjë tjetër më shumë“. Vjeshta e vitit 1973 pati pak nga inercia e “liberalizmit”, por pranvera e vitit 1974 nisi me “terrorin” e heqjes së antenave, gjyqet për agjitacion dhe propagandaë dhe “kontrollin punëtor”. Në vjeshtë Beni më kishte thënë që “Todi ishte burrë i mirë, kot e dënuan”, por unë nuk kisha ndonjë simpati për të,nga koha, që kishte qënë në Korçë. Mbase nuk i pëlqeja shumicën e ofiqarëve, që kapardiseshin me pallto të mëdha ushtarake dhe çizme lëkure. Ndoshta isha ndikuar edhe nga lëvizja e një familjeje miqsh, nga ndërtesa e Bankës në një pallat të vogël në periferi, për të bërë një apartament të gjerë për Todin, sepse ishte ai apartament që i kishte pëlqyer. Ishte e padrejtë, gati e turpshme, për mënyrën se si e mendoja unë drejtësinë.

E megjithatë, as unë dhe as bashkëmoshatarët e mij, nuk arrinim të rroknim atë ç’ka kishte filluar me goditjen e liberalizmit dhe arrestimet. Flitej se në Tiranë, vetë Mehmet Shehu ndalonte në rrugë të rinj me flokë të gjata dhe se në Rinas kishin vënë një berber , që qethte të huajt. Të gjitha tingëllonin mëse absurde dhe qesharake, por për herë të parë, në shtëpi na porositën mos komentonim shumë rreth atyre, që shihnim në televizor. Për fatin tonë, zhurmuesit, që ishin përpjekur të përdornin për “jugosllavin” ishin në një gjatësi vale me radarët e ushtrisë dhe këshut, që “TVSkopje-dritarja jonë e botës” mbeti e hapur.
(vijon)

No comments:

Post a Comment