Kjo është një shprehje, që e përdorin edhe ata , të cilët
dinë më shumë se mesatarët, por edhe shumë të tjerë, që nuk dinë asgjë dhe janë
të bindur se dinë. E kam fjalën për ngjarjet e jetës shoqërore dhe politike, ku
ata, që duan të çarmatosin të tjerët, si dhe ata, që janë të çarmatosur prej
pazotësisë, mungesës së dëshirës, apo prej një pacifizmi të tejskajshëm, thonë
që përpjekjet janë të kota, se turmat janë vetëm spektatorë. “Shfaqja mbaroi,
duartrokisni!”
Të dy kategoritë, për qëllime të ndryshme, mundohen të të
bindin, se çdo përpjekje individuale, në grup, apo në turmë është e kotë.
Gjithshka është vendosur diku lart, thuajse pranë qiejve, atje ku vërtiten të
fuqishmit dhe ne vdekëtarët e rëndomtë nuk mund të bëjmë dot asgjë për të
ndryshuar gjërat.
E kuptoj interesin e atyre, që dinë më shumë se mesatarët, të
shesin “fuqinë“ e tyre shumë herë më të madhe se ç’është, lidhjet me Brukselin
dhe Uashingtonin si të shkëlqyera, të lenë të nënkuptosh se mund të jenë edhe
anëtarë të një llozhe masonike apo një organizate tjetër të fshehtë. Eshtë
gjithshka brenda rregullave të thjeshta të “tregut”, ku “turma konsumatore” ble
diçka, që është shumë larg cilësive të reklamës.
Ajo që më çudit janë “të dorëzuarit”, të cilët nga mungesa e
vullnetit, mendjeboshësia, apo nga një lloj mrekullimi pas “teorive të
komploteve” tundin kokën të sigurt dhe përsërisin fraza bajate, që ju duken të
mençura si- “Kjo është e vendosur, se është Amerika pas!”, “Marëveshja është bërë
që kur do dilte Anglia nga Europa!”. “Do bëjnë Jugosllavinë e re prandaj lejuan
kanabisin”, “Ju kanë thënë të qeverisni bashkë që t’ju lemë të merrni një pjesë
të Maqedonisë“ dhe marrëzi të tjera, të cilat krijohen zyrave të pushtetit, por
amplifikohen kafeneve, nga dritëshkurtrit, që janë gjithnjë më të sigurtit në
ato që dinë.
Jo, nuk është kështu!
Asnjë shfaqje nuk ka mbaruar dhe asgjë nuk është e vendosur
për të ardhmen e Shqipërisë apo edhe të çdo vendi tjetër.
Të fuqishmit nuk janë absolutë!
Aq më pak janë Rama, Basha, Berisha, Meta
apo Peleshi.
Po të ishin të tillë, dhe të mos kishin nevojë për “turmën”
nuk do “binin copë“ 4-5 muajve para çdo zgjedhjeje parlamentare.
Më shumë se kurrë në botë, “të fuqishmit” ose
“establishment” e kanë humbur të qënit vendimtarë në ngjarjet shumë të rëndësishme
politike. Arritjet elektorale të Syriza-s, Podemos dhe “Cinque Stelle”;
zgjedhja e Tramp dhe Brexit; kanë dëshmuar se “turmat” nuk janë vetëm për të
duartrokitur, por mund të ndryshojnë peisazhin politik dhe ngjarjet
politiko-shoqërore në botë.
Ndaj duhet vepruar me besim në vetja se edhe diçka e thjeshtë,
si hedhja e një vote, është e rëndësishme, se dëshmon se je qytetar i lirë dhe
i barabartë.
Ndaj duhet guxuar!
Shfaqja nuk ka mbaruar dhe “palaçot”, që mundohen t’ju
mbushin mendjen se nuk kini gjë në dorë veç se të duartrokisni, mund edhe t’i
merrni “prej brekushesh” dhe t’i hidhni atje ku meritojnë.
Ndoshta edhe duke preferuar një “klloun” më pak të dalë
boje!
No comments:
Post a Comment