Monday, 2 March 2015

Ambasada Amerikane dhe Mediat shqiptare

Ambasada Amerikane i fund hundët më shumë se duhet në jetën e shoqërisë shqiptare, për mendimin tim, jo se është një praktikë zyrtare e departamentit të Shtetit të japë deklarata për gjithshka, që ndodh në vendet në zhvillim, por se “peqelepizmi” i politikanëve shqiptarë, drejtuesve të Medias, gazetarëve të njohur apo dhe drejtuesve të OJQ-ve është aq i përhershëm , sa kryediplomatët amerikanë fillojnë të mendojnë se janë ata, që thuajse e qeverisin vendin. Ambasdori i posalarguar ishte më tipiku prej tyre. Dilte vend e pavend në media me deklarata ndaj çështjeve, që nuk i takojnë të paktën në publik të prononcohet përfaqësuesi i një vendi të huaj. Diplomatët europianë janë më të kujdesshëm edhe pse BE-ja mund të ndikojë më shumë në politikën shqiptare se SHBA.
Politikanëve shqiptarë ju pëlqen të mburren, se gëzojnë mbështetjen e Amerikës edhe pse nuk duket se kanë arritur ndonjë gjë të madhe në dy dekadat e fundit nga mbështetja e Fuqisë më të Madhe. Mediat ju mbajnë ison dhe populli, i mësuar me “ujin kristal, që rrjedh nga lart” mbledh supet dhe lavdëron ose shan Amerikën.
Një episod i sotshëm, tregon se sa qesharake bëhen gazetat pro-Ramës në komentin “Ambasada Amerikane përshendet Ramën për përjashtimin e Tom Doshit nga PS-ja”.
Ambasada Amerikane vërtet kishte bërë një deklaratë të tillë, por “përshëndetja” ishte qortimi i hapur, që PS-ja mbante deri tani si deputet të saj një individ të inkriminuar si Tom Doshi. Emri i tij, si njeri i përzjerë në trafiqe të jashtëligjshme figuronte në kallbogramet, që ambasadori amerikan Withers i dërgonte Departamentit të Shtetit dhe të publikuara nga Wikileaks. (Krahas tij figuronin emrat e Ilir Metës, Gramoz Rucit, Lefter Kokës, Sokol Olldashit etj.)
Sigurisht, që Rama dhe gjithë botuesit e “Tema”, “Shqiptarja”, “Dita” e të tjerë dinë si ta lexojnë deklaratën e Ambasadës, por ju pëlqen ta “përkthejnë“ për lexuesin si mbështetje anti-Tom Dosh.
Në rradhët e PS-së tani është një vagabond më pak, i përjashtuar jo se është i tillë, por se nuk zbaton rregullat e lojës. Amerikanët ju kujtojnë Partive në Shqipëri , që jo vetëm duhet të përjashtojnë vagabondët e tjerë, por më kryesorja, të ndryshojnë rregullat e lojës.



No comments:

Post a Comment