Monday, 30 March 2015

“Udhëheqësit” e qytetit tim

Më ka munduar prej më shumë se 3-4 dhjetvjeçarësh, një lloj “nënshtrimi” i qytetit tim nga Tirana. Edhe pse në fëmijërinë time, kisha dëgjuar shpesh se ne korçarët akuzoheshim për lokalistë, duke u rritur, kuptoja, që kjo ishte tashmë një e vërtetë e kapërcyer.
Kur fillova të punoja, pashë se nga gjithë qytetet dhe rrethet e mëdha, ne ishim ata, të cilët i sillnim më pak problem pushtetit qëndror dhe njëkohësisht përfitonim më pak investime. Me pak fjalë, në gjithë nivelet e administratës në Korçë, kishte më pak “rebelizëm” se në Shkodër, Vlorë apo Durrës. Mundohesha me mendje të gjeja arsyet e një “nënshtrimi” të tillë duke filluar me “shpirtin tonë qytetar për të respektuar ligjet”, largësinë nga Tirana dhe si rrjedhojë nga ministritë dhe institucionet qëndrore e deri në “përdorimin nga të tjerët të drekave e darkave ndaj nëpunësve qëndrorë“ me të cilat siguronin lehtësime në plane apo investime më të mëdha. Nuk më vinte mirë të pranoja, që në Korçë kishte kohë të një bjerrje të “intelektualizmit”, që të bën edhe më fortë për t’i rezistuar presioneve të burokratëve të qëndrës. Dhe këtu nuk e kam fjalën për “rebelizëm” ndaj sistemit, por për “rebelizëm” të pranueshëm brenda kornizave të sistemit.
Për shembull më bënte përshtypje, se me sa lehtësi, i kalonin projetet e Urbanistikës apo Arkitekturës të ardhurit nga Instituti 1, në një kohë, që psh në Vlorë, arkitektët dhe urbanistët nga Tirana, hiqnin “të zitë e ulirit” për të gjetur konsesnsusin e “njerëzve të bazës”.
Korça ishte rrethi, që shpinte më shumë në buxhetin e shtetit dhe merrte më pak prej tij.
E njëjta histori vazhdoi edhe pasi ndryshoi sistemi ekonomiko-shoqëror. Brenda qytetit dhe rrethit, në përgjithësi mungoi fryma e “rezistencës” ndaj drejtuesve në qendër. Më hapur kjo ndjehej brenda dy partive të mëdha, por më pas edhe në përfaqësuesit e pushtetit lokal. Listat e deputetëve të rrethit, gjithnjë e më shumë kishin brenda ose njerëz, që nuk kishin asnjë lidhje me Korçën, ose figura minore, pa asnjë lloj personaliteti intelektual. E megjithatë, kjo nuk ka të bëjë thjesht me atë , që një shoku im e quan “politika e klonimit tepër të thjeshtë“, që udhëheqësit e partive ndjekin ndaj gjithë drejtuesve të partive apo pushtetit në rrethe. Ka të bëjë edhe me mungesën e figurave intelektuale apo të biznesit, imponuese dhe me reputacion të madh në qytet. Duket , që koha e figurave si Lakçeja, Mandi Tërpoja, Jovan Cico Kosturi, Mihal Gramenoja, Pandeli Caleja, Themistokli Gërmenji, Koço Kotta, Selim Mborja, Vasil Avrami, Thoma Turtulli, Sotir Polena e të tjerë, ka perënduar përfundimisht. Qyteti me rrethinat e tij nuk është më në gjendje të nxjerrë figura të një kalibri të tillë.
Edhe sot, përveç Gjergj Bojaxhiut në Tiranë, flitet se kandidatë të pavarur do konkurojnë edhe në Shkodër, Elbasan dhe Vlorë. Në Korçë as mund të bëhet fjalë për të tillë. Shënjë aspak e mirë për këtë sistem.
Udhëheqës(mbase jo I vëerteti) I qytetit është një Ligavec Gollash, që për hir të së vërtetës është më I miri mes emrave, që përmenden në të dy krahët.
Mot feston 100 vjetorin e Republikës Autonome qyteti im.

Ke shumë më pak njerëz me emër, se sa kishe më 1916, kur ishe më pak se 20 mijë banorë.

No comments:

Post a Comment