Friday, 27 March 2015

Je suis Grida Duma

Sigurisht do duhet një sforcim i madh për mua të identifikohem me Grida Dumën(më e lehtë është të them “Je suis Lume Hunda”), se nuk kam asgjë të përbashkët me të. Jo vetëm seksi, cilësia e paraqitjes, mosha, origjina, edukimi, por edhe çdo gjë tjetër është shumë larg të mijave. Kam lexuar disa shkrime, që më kanë gajasur me spërdredhjet absurdeve të frazave, që thuajse nuk thonë asgjë dhe kam ndjerë bezdi dy ose tre herë, që kam parë në youtube diskutimet e saj në kanalet televizive shqiptare. Pak a shumë, Gridan do e karakterizoja jo një “kafshë politike”(si e quan ajo veten), por dikush me shumë ambicie, energji dhe formë, por thuajse aspak përmbajtje.
Grida paraqet rrezikshmëri për të ardhmen e politikës shqiptare, sidomos në ndikimin , që mund të ketë në të rejat universitare, që kanë ambicie të bëjnë karrierë në politikë apo në “marëdhëniet me publikun” (PR).
Por sot dua të solidarizohem me të vetëm për të goditur diçka tejet të prapambetur, që sundon në shoqërinë shqiptare dhe që për fat të keq shfaqet edhe në auditoret, që duhet të jenë më lart se kultura e kafenesë ose e rrugës.
Mbrëmë, dy politikanë në moshë relativisht të re, Luan Rama dhe Taulant Balla, përdorën një gjuhë shumë vulgare ndaj koleges së tyre politikane, duke aluduar se ajo ka kaluar në shumë shtretër. Më tepër se mungesë etike, gjuha e tyre dëshmon diçka shumë të prapambetur. Mungesën e plotë të barazisë midis meshkujve dhe femrave në shoqërinë shqiptare.
Dy “kokoshët”, që ju ndërsyen Grida Dumës, me siguri nuk janë ëngjëj edhe në jetën e tyre personale. Nëse dikush do i akuzonte për të njëjtën gjë, ata edhe se do e mohonin në studion televizive, do ndjeheshin të kënaqur dhe superiorë, që jo vetëm kanë pasur e kanë një ose disa të dashura, por që kjo tashmë bëhet e njohur edhe për publikun. Në mentalitetin e tyre, ata janë edhe më të prapambetur se çifutët, që hidhnin gurë mbi Maria Magdalenën, sepse këta të fundit u tërhoqën pasi Jezui ju sugjeroi “Të shtjerë me gur i pari , ai që nuk ka asnjë mëkat!” Treguan, që kishin ndërgjegje.
Eshtë thënë shumë e shumë herë, që një shoqëri nuk mund të emancipohet pa vlerësuar si të barabartë të dy sekset. Në pamje të parë, kur vizitoj Shqipërinë, duket se kjo gjë është duke ndodhur. Por krahas vajzave dhe grave, që i sheh gjithnjë e më shumë zyrave apo edhe lokaleve në kohën e lirë, dëgjon gjithnjë e më shumë histori të abuzimit me to, të ngritjes në karrierë në sajë të shërbimeve të dyshimta, të korrupsionit, që e shpie këtë sëmundje thellë familjes shqiptare e të tjera si këto. Këto të fundit nuk janë hapa drejt emancipimit dhe lirisë, por drejt një robërimi të një natyre tjetër, që nuk është më i mirë se robërimi, që predikojnë sektet e prapambetura fetare. Shumë herë, gratë më të zonja e më fisnike ndjehen të mënjanuara në shoqërinë e sotme shqiptare se mund të mbeten më lehtë pa punë se të tjerat. Ato nuk duan t’i kenë as në jetën politike as Luan Rama dhe Balla, se nuk i manipulojnë dot, a për më tepër t’i fyejnë si mund të fyejnë Gridën.
Ndaj jam sot totalisht në anën e Grida Dumës.

Edhe pse e kam fshikëlluar në disa shkrime të mëparshme, sot “Je suis Grida Duma”.

No comments:

Post a Comment