Sunday, 15 March 2015

5 vjet pas nje shkrimi

Ne flllim te vitit 2010, ne gazeten TEMA, u botua ky shkrim i imi rreth problemeve te ligjit te ri te Urbanistikes dhe korrupsionit ne fushen e ndertimeve ne Shqiperi. Ishte nje shkrim, qe solli nje shkeputje disavjecare timen nga dergimi i shkrimeve ne gazetat shqiptare. Shkak u be nje leter e nje profesorit tim, qe e quante teresisht te gabuar sulmin tim ndaj Berishes. Nuk ju pergjigja pedagogut tim(paste dheun e lehte atje ku prehet), por mendova, qe ishte e pnevojshme te shkruaja ne mediat tona se mund te sillja vec keqkuptime. E shkela vendimin 4 vjet me vone, kur fillimi i ndertimit te kulles se Korces, me nxiti te ngrija zerin serish edhe duke e ditur se do binte ne veshe te shurrdhet. 
Duke rilexuar sot shkrimin, mendova, qe gjendja eshte edhe me e keqe se 5 vjet me pare. Ndertimet dhe urbanistika sa vijne e perqendrohen ne duart e qeveritareve ne kryeqytet. Vec vendimit te ndalimit te lejeve te ndertimit, jane shtuar te tjera Institucione qendrore si INUK apo Agjensia Kombetare e Bregdetit, te ngritura gjoja per te disiplinuar abuzimet ne ndertim, por qe nuk bejne gje tjeter vec se sherbejne per te pasuruar palen qe qeveris dhe luftuar ata, qe mbeshtesin opoziten ose nuk paguajne rryshfete.
Me poshte eshte shkrimi i pese viteve me pare.

Shqipëria nuk është një mal me pilaf!

Në vitet ’60, një hamall trupvogël, të cilin gjithë Korça e njihte me emrin Tataç, kur bëhej ndonjë gjyq për “vjedhje të pasurisë socialiste” (nen që parashikonte dënime shumë të rënda) thoshte me zë të ngjirur dhe shtruar: “E po këta kujtuan se socializmi është një mal me pilaf dhe o burra të rrëmbejmë nga një lugë e t’i biem ta hamë”. Tataçi i gjorë duhet të ketë 40 vjet që ka vdekur dhe socializmi po bën 20. Shqipëria, pilafi dhe lugët kanë mbetur.
Në raportet e ndërkombëtarëve për korrupsionin, Shqipëria ka bërë hapa prapa këtë vit. Nuk kam ndërmend të ve në dyshim sondazhet e organizmave të specializuar, as edhe të përforcoj me bindje që korrupsioni vërtet gjatë vitit 2009 u shtua. Këtë e them, se ky djall me këtë emër gërryes, ka kohë që është shtruar këmbëkryq në jetën shqiptare. Dua të merrem me një deklaratë të kryeministrit Berisha, lidhur me rolin që ka luajtur korrupsioni në Bashkinë e Tiranës, në sondazhet e kryera me shtetasit shqiptarë gjatë vitit 2009, për nivelin e korrupsionit në vend. Pak a shumë, në një konferencë për shtyp, kryeministri tha se zbritja e shkallëve të Shqipërisë vjen nga bllokimi i lejeve të ndërtimit prej Ramës, por pas disa muajsh ky problem do zgjidhet me daljen e ligjit të ri për planifikimin e territorit.
Që Berisha gënjen, ky nuk është ndonjë zbulim. Të qenit demagog, është veçoria kryesore e tij si politikan. Megjithatë, i mësuar me gënjeshtra politikanësh (që për fat të keq nuk ndodhin vetëm në Shqipëri), i hodha një sy ligjit, që do fillojë të zbatohet në shtator të vitit 2010 dhe që do na ngjisë të paktën 20-30 shkallë në tabelën botërore të “pastërtisë“!
Me keqardhje konstatova të kundërtën.
Ligji i ri e shton mundësinë e rritjes së korrupsionit, përveç se krijon edhe probleme të tjera për urbanistikën dhe territoret e Shqipërisë.
Le të ndalemi në dy tre pika kryesore, se ligji është rreth 70 faqe dhe nuk mundet në një shkrim të tillë të preken të gjitha problemet që krijon zbatimi i tij.
E meta kryesore e këtij ligji është rritja e centralizimit dhe zvogëlimi i kompetencave të pushtetit vendor në çështjet e urbanistikës dhe të zhvillimit të territoreve.
Është i njohur botërisht fakti që centralizmi e shton korrupsionin. Sali Berisha, në vend të përzihet sa më pak në çështjet e territoreve dhe ndërtimeve në to, dhe të suprimojë Këshillin e Rregullimit të Territorit të Shqipërisë, me ligjin e ri i ndryshon vetëm emrin (quhet Këshilli Kombëtar i Territorit) dhe shton edhe një institucion të ri pranë Këshillit të Ministrave, që do quhet Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit.
Ku qëndron e keqja?
Në radhë të parë nuk është normale për një parti të djathtë të bëjë atë që në perëndim quhet zmadhim i qeverisë dhe rritja e rolit të saj. Megjithatë le të lemë mënjanë parimet bazë të politikës, se tek ne janë disi kokëposhtë dhe le të kthehemi në ndërtimet dhe korrupsioni.
Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit do marrë atributet e ish-Komisionit të Planit të Shtetit për çështjet e zhvillimit kombëtar. Në krye të saj, me siguri që Berisha do vendosë ndonjë kallashshpërndarës nga ata të ’97-ës dhe do bëjë si i thotë mendja dhe qejfi me territoret e Shqipërisë. Pak a shumë, dollibashi Berisha do jetë në krye të një sofre të madhe me miq dhe do fillojë të shpërndajë pjesë nga mali me pilaf dhe thelat e majme, sipas devotshmërisë të pjesëmarrësve në sofër. Ky quhet korrupsion sade (në gjuhën e kuzhinës turke).
Në ligjin e ri hiqen KRRT-të e njësive vendore dhe tani pushtetarët vendorë do zbatojnë Planet Rregulluese dhe Rregulloret e miratuara nga AKPT dhe KKT.
Kur lexoja këtë ligj të ri, mendja më shkonte se si ishte pajtuar Rama me këtë largim të dhunshëm nga sofra e malit me pilaf. Pa ditur shumë hollësi rreth diskutimit dhe miratimit të këtij ligji në prill të këtij viti, them se në euforinë pragzgjedhore, edhe Edi Ramën e dehu ëndrra për tu bërë dollibash.
Po a është Shqipëria një mal me pilaf dhe o burra t’i futemi me lugë?
Përgjigja është më shumë JO se sa PO.
Shqipëria nuk është më në kohën kur toka dhe thuajse çdo gjë tjetër ishte pronë shtetërore. Gjithashtu ne nuk jemi jashtë një monitorimi nga ndërkombëtarët. Edhe pushteti juridik nuk është plotësisht i varur nga ekzekutivi. Megjithatë, kjo përpjekje për të kontrolluar çdo gjë të shpie kudo, vetëm në një demokraci të zhvilluar jo. Korrupsioni do vazhdojë në të njëjtat nivele dhe rrezikon të shtohet. Drejt sofrës të dollibashit Berisha do shtyhen për tu afruar shumë investitorë. Sigurisht, jashtë saj do mbeten ish-pronarët dhe ata që s’kanë lidhje me pushtetin. Hamejtë (tani më ngjan se quhen mbartës) si puna e Tataçit do vazhdojnë të qeshin hidhur me ata, të cilëve Shqipëria ju duket si një mal me pilaf.

No comments:

Post a Comment