Tom Doshi, dashur pa dashur, i bëri një të mirë të madhe
publikut shqiptar. Nxorri zbuluar, atë për të cilën flitet në këto 24 vjet, se
shtetarët tanë nuk veprojnë nëpër zyra, si shtetarë. Edhe pse të gjithë , thonë
se e është diçka e njohur, kur bëhet publike, vërehet një tronditje edhe e vrojtuesve
më cinikë.
Nuk është e drejtë të thuash se shtetarët tanë sillen si
mafiozë, pasi kështu i hyn në hak Mafias siçiliane dhe të tjerave. Ato veprojnë
jo vetëm duke respektuar “rregullat” e tyre, por edhe mbi bazën e njohjes së
legjislacionit të vendit ku veprojnë. Në borderotë e tyre ka gjithnjë avokatë të
shquar, që i këshillojnë se ç’duhet bërë edhe se ç’farë nuk është në intersin e
tyre për tu bërë.
Veprimet e shtetarëve tanë, të dala në shesh nga çështja
Doshi, duhen cilësuar si “kaçakçe”, për të mos përdorur termin “partizançe”, i
përdorur në kohën e Diktaturës.
Duke filluar me kryeministrin e vendit, i cili pasi
njoftohet “kaçakçe” nga një deputet i Partisë së tij, i thotë po “kaçakçe”, që
të shkojë ta bisedojë me Ministrin e Brendshëm dhe mundësisht t’i shpjerë “edhe
atë djalin”! Në të gjitha vendet demokratike, edhe kur kryeministri është një
jurist i klasit të parë, pranë mbajnë avokatë me të cilët këshillohen për çdo
veprim, që mund të sjellë implikime ligjore. Kryeministri jonë, që hiqet si
skandinav, vepron si një nënprefekt i një nënprefekture të humbur të kohëve të
fillimit të shtetit shqiptar.
Akoma më “kaçakçe” sillet për të njëjtin rast Ministri i
Brendshëm. Ai bën takime zyrtare dhe jo zyrtare, me një njeri dikur të dënuar
penalisht dhe , që pranon para tij se i kanë kërkuar të vrasë dy njerëz
kundrejt një shume parash! Sipas vetë ministrit, “I penduari”, ka kurajë,që në
zyrën e ministrit të brendshëm të refuzojë mbrojtjen , që i ofrohet një dëshmitari
dhe të thotë se “ unë nuk dua të ngatërrohem
në këtë mesele, po ç’ti bëj Tomës?” E gjitha kjo në praninë edhe të Drjetorit të
Përgjithshëm të Policisë, Didi, njeriut që i është besuar mbrojtja e gjithë
shoqërisë shqiptare nga keqbërësit!
“Kaçakçe”, deputeti Tom Doshi dërgon një njeri të filmojë në
lokalin “Viva”, prokurorin Beçi, që është ulur dhe ha e pi po “kaçakçe” me një
njeri të dënuar jo pak vite për trafik droge!
“Kaçakçe” vazhdojnë të veprojnë të tjerë njerëz të veshur me
pushtet, pasi ngjarja bëhet publike, duke filluar me presionet e Baba Takut, se
do nxjerrë dokumenta dhe video me rëndësi e deri më e fundit e Petrit Vasilit,
që deklaron se ka gjetur një “thesar me dokumenta tronditëse” në “Guvën e Kaçakëve”!
Një sjellje e tillë, jashtë rregullave, jo ligjore mund të
quhej e pranueshme në filimin e viteve ’90, kur posa po stabilizoheshin ligjet
dhe institucionet e një Sistemi të ri politik, por e keqja është se me kalimin
e viteve, kjo mënyrë dhe mentalitet veprimi sa vjen e po bëhet më e përhapur.
Nuk është as karakteristikë e vetëm njërës apo tjetrës anë të spektrit politik.
Sjellje e këtij lloji ishte instalimi i një
videoregjistratori nga ministri Dritan Prifti, në kohën e videos famëkeqe të
Metës, për të rregjistruar biseda me të cilat mund të bënte presione politike
apo ligjore. Prifti duhej të ishte dënuar për përdhosjen e shtetit dhe të zyrës
së tij , pas dënimit të Metës për korrupsion.
Karriera politike e Berishës është e mbushur me dhjetra raste
të tilla, të faktuara e të pafaktuara, ndër të cilat më i thjeshti mund të jetë
rasti kur një bodigard i tij goditi me grusht në Kryeministri Komandantin e
Gardës, se nuk pranonte të zbatonte urdhrat.
“Kaçakçe” disa deputetë të maxhorancës goditën në korridoret
e parlamentit, një koleg të opozitës.
“Kaçakçe”, Prokurori i Përgjithshëm goditi me grusht një
vartësin e tij në një ambient publik.
Njerzit çdo ditë e më shumë, po humbasin besimin në shteti,
shtetarët e të cilit edhe se nuk sillen si nëpunës, por si vagabondë, jo vetëm
nuk ndëshkohen, por mund të ngrihen edhe në përgjegjësi.
Më urgjente se i famshmi “dekriminalizim i Parlamentit” duhet
të jetë “dekaçakëzimi i shtetit”. Nuk është shumë e vështirë të përjashtohen
nga Parlamenti një gjysëm dyzine apo një dyzinë me deputetë, të dënuar më parë
ose të përfshirë në vepra penale.
E vështirë është të detyrosh të japin dorëheqje një “aradhë“
me politikanë të rëndësishëm, për veprimet e tyre krejtësisht anti-zyrtare, që
e ulin autoritetin e institucioneve shtetërore në nivelet e rrugëve më të fëlliqura
të periferisë.
Shqiptarët duhet të kuptojnë, se Shteti demokratik është gjëja
më e rëndësishme , që kanë. Duhet të bëjnë presion të vazhdueshëm ndaj shtetarëve
të sillen, si të tillë, ose duhet të gjejnë mënyrën për t’ju a hequr nga dora.
No comments:
Post a Comment