Duket se shumë ka ndryshuar në harkun e një viti për Ilir
Metën. Vetëm një dyzinë muajsh më parë, ai dukej në zenith të suksesit të tij
si politikan. Kishte bërë një sërë manovrimesh të suksesshme, sa me të drejtë
nga disa analistë do cilësohej më vonë si “king-maker”. Në krye të një ushtrie
të vogël militantësh, ai kishte marrë maksimumin e mundshëm nga torta e
pushtetit (ndarë me armikun e mëparshëm Berisha), kishte shpëtuar nga një
skandal i jashtëzakonshëm, që kishte shkaktuar më pas edhe 4 të vrarë dhe
kishte arritur nj marëveshje për ndarje pushteti me një tjetër”armik”, Edi Ramën.
I zgjedhur në krye të Kuvendit, dukej që Metës po “ja bënte me sy” posti i
Presidentit, kur të merrte fund mandati i Nishanit.
Pikërisht këto suksese, të arritura me manovrime, bisedime,
para, pabesira, shantazhe, favore, “thika pas shpine”, kremtonte në përvjetorin
e tij të 45-të, mes 600 të ftuarish, Ilir Meta. Darka e shumëkomentuar kishte
gjithë karakteristikat e një feste stërmadhe orientale : tendë gjigande,
ushqime të shumëllojshme, peshqeshe të denja për pashallarë dhe si për të
plotësuar atmosferën e Lindjes së Mesme, u fol se një i ftuar i kishte dhuruar
Kryetarit të Kuvendit edhe një kalë race arab. Mund të spekulohet shumë, se
cilat kanë qënë motivet e kësaj dhurate, por pa ditur “dhuronjësin” është e
sigurt, që gabohet. Në mes të të ftuarve kishte politikanë, biznesmenë, pronarë
të shtypit, gazetarë të njohur dhe në varësi të tyre kushtimi mund të ketë qënë
nga krahasimi me kalorësit e tryezës së Mbretit Artur, analogjia me Skënderbeun
e deri tek kujtesa për fatin e Rikardit të III, që thërriste “Një kalë, një kalë,
jap mbretërinë për një kalë!”
Askush nuk ndoqi më tej raportet e Kryetarit të Kuvendit me
kalin arab. Vetë dy javë më parë, e nisur si një sherr midis dy të ftuarve në
ditlindjen e Metës, Edi Ramës dhe Tom Doshit, mori udhë një ngjarje, që e “ka
zbritur Ilir Metën nga kali”. Të bie në sy, që shumica dërmuese e të ftuarve të
“supertendës” është kthyer kundër tij. Nga heqja e petëve të kësaj historie,
filluar në gushtin e kaluar, duket qartë, se jo vetëm demokratët janë kundër
tij, por edhe i ftuari në tryezën e nderit, kryeministri Rama, ka pritur me gëzim
lajmin që “Meta ka porositur dy vrasje”. Nervozizmi i Metës, që nuk arrinte të
kuptonte se kush ja kishte kurdisur këtë komplot u shfaq në të gjithë takimet,që
tashmë janë bërë publike. Aspak si kalorës dhe si shtetar, Kryetari i Kuvendit
mundohej të shfajësohej para Tomës dhe familjarëve të Fufit, se ai nuk kishte
gisht në këtë histori dhe nuk i njihte porositësit, ose me sa dinte mund të
ishin në kampin e kundërshtarit politik. Nervozizmi dhe çoroditja i vazhduan në
nivele akoma më të larta, kur komploti u bë publik. Deklaratat e tij për
gjendjen psikike të akuzuesve, mburrjet e Baba Takut dhe Vasilit për materiale
tronditëse, kulmuan ditën e protestës të opozitës, kur në vend të 600 të
ftuarve të nderit, para selisë të LSI-së u mblodhën “600 jeniçerë” të Metës,
për t’i dhënë zemër prijsit të tyre. Ishte shënja, se Meta dhe Lëvizja e tij
ndodheshin në pikën më të keqe, se nuk ishin të mbrojtur as nga maxhoranca, në
skutat e erëta të së cilës ishte gatuar komploti.
Kthesa në hetime duket se po i jep pak kohë, për të mbledhur
veten dhe për të parë se ç’pengesa të tjera do I duhen të kapërcejë. E
megjithatë një gjë është e sigurt: Ilir Meta ka filluar të tatëpjetën përfundimtare
në politikë. Postin e Presidentit do I duhet ta flakë nga ambiciet e tij. Gjatë
karrierës së tij politike, më shumë se në skenë, prapaskenave ka bërë shumë
armiq, të cilët presin të ftohen edhe njëherë në “Gjirin e Lalzit”, por këtë
rradhë për pensionimin e tij të parakohshëm nga politika.
Për ta edhe peshqeshet do jenë më të lehta se do fillojnë me
vezë të ziera, natyra të qeta me shpendë dhe fruta dhe do mbyllen me gjela
deti.
Mos po i qajmë “hallin kalorësit Ilir se po i varen këmbët”,
në këtë përvjetor të 46-të të tij?
Më duket se jo!
Edhe nëse nga hetimet del se Bami me Frrokun, apo Doshi me
Bamin, apo të tre bashkë, ja punuan këtë rreng kryetarit, rrënjët e këtyre
akuza- kundërakuzash mafioze janë thellë në plehun e trafiqeve dhe bizneseve jot
ë ndershme.
Kundër politikanit Meta, sot nuk është vetëm opinion publik.
A ka mësuar të “kalërojë” aq mirë sa të dalë përsëri fitues
dhe mbret-bërës, është një pyetje-bast, në favor të së cilës do ishin të pakët
ata që do rrezikonin paratë e tyre.
Sigurisht po mos llogarisim Baba Takun dhe Luan Ramën.
No comments:
Post a Comment