Monday, 30 March 2015

Gjergj Bojaxhiu, shenja e ndryshimit në shoqërinë shqiptare.

Dita e sotme është një ditë me rëndësi për shoqërinë shqiptare.
Për herë të parë, një njeri serioz dhe këmbëngulës, duke patur mbështetjen edhe të njerëzve të tjerë të pavarur politikisht, po sfidon dy partitë e mëdha në garën për Bashkinë e Tiranës. Tirana më në fund i dha shenjat e largimit nga apatia dhe hodhi hapin e duhur në jetën politiko-shoqërore, për të thyer monopolin e dy partive “post-komuniste”, të cilat veç qëndrimeve kundër njëra tjetrës dhe përbërjes nuk kanë asnjë ndryshim në program apo në parime.
Bojaxhiu posa shpalli një betejë shumë të vështirë, e cila ka gjasa të jetë e humbur, që në fillim, por nëse konsiderohet sin jë luftë për politikë të ndershme, që posa fillon, atëhere Bojaxhiu dhe ata që e pasojnë janë të fituar. Kjo është përpjekja e parë, e cila do ju mësojë se si të mos gabojnë në votimet e vitit 2017.
Gjergj Bojaxhiu do ketë shumë kundërshtarë të egër në këtë fushatë. Për dy partitë e mëdha , ai tashmë është më i rrezikshëm se sa është njëra për tjetrën, pikërisht për shkak të prishjes së staukuosë. Nëse ai arrin të marrë vetëm përqindjen e votive, që i japin sot sondazhet(mbi 30%), do të thotë, që një lëvizje e pavarur e qendrës, më 2017 mund të dalë si Partia me numurin më të madh të deputetëve. Ndaj ato dhe më shumë medit pranë tyre do e luftojnë duke e injoruar ose përbaltur.
Një kundërshtar tjetër i Gjergj Bojaxhiut do jetë edhe cinizmi karakteristik shqiptar, që i fut të gjithë ata, që zbresin në fushën e politikës si të nisur nga të njëjtat qëllime fitimi, ose se kanë pas dy “antit” e përhershëm- Ramën dhe Berishën. Për më tepër mund të qarkullojë edhe një mendim tjetër skeptiko-realist, që “Kryetari Bashkisë, pa mbështetjen e Qeverisë është i dështuar”, ndaj është e kotë t’i jepet vota. Eshtë e vërtetë, se me centralizimin e skajshëm të pushtetit, ku pavarësia ekonomike e bashkive është thuajse joekzistente, çdo kandidat i pavarur ose i opozitës do e ketë të vështirë miradministrimin e bashkisë së tij, por me një qeverisje të mirë , transparent dhe në dobi të qytetarëve, shumë shpejt mund ta zbulojë lojën hileqare të qeverisë dhe të fitojë më shumë popullaritet.
Gjergj Bojaxhiu ka nxitur shpresën e shqiptarëve për të mposhtur skepticizmin brenda tyre, se është e pamundur të shkatërrohen dy monstrat e mëdha të korruptuara.

Uroj të jenë të shumtë ata , që do e ndjekin!

No comments:

Post a Comment