Ai hoqi çizmet më parë,
Si për të lehtësuar vitet
Që këmbëve i ishin pështjellë
Dhe ndërsa rritej pellgu me ujë
I dëborës që shkrinte
Atë të djelë,
Pa meshë,
Përshpirtje,
Të
afërm,
Në tryezën më tej u ul.
Flokët e bardha pa lyrë
Dilnin jashtë kapeles të lerosur
Si për të dëshmuar
Të pastrën jetë të tij
Në një botë të ndyrë,
Ku ësht vështirë vitet të shtysh
Pa u zhyer në zhul.
Pastaj këmbët mbi karrige mbështeti,
U rrek diçka të lexojë,
Me vështrimin e lodhur pas syzeve
Vite më parë blerë,
Kokën përkuli
Dhe fjeti.
Pata frikë ta prekja,
Mos ndjeja shtangien e ftohtë,
Që gjumi nuk e sjell.
U ngrita
Dhe ndala pështjelljen
E turrës së mendimeve të mia të kota
Në këtë të dielë
Të vjetër sa bota,
Në një kafe plot të panjohur
Para syve të mbyllur
Të një plaku nga jeta lodhur.
No comments:
Post a Comment