Tuesday, 10 March 2015

Shqiptarët nuk duhet të protestojnë të enjte.

Një pjesë e mirë e elektoratit shqiptar është tejet e zhgënjyer nga dy polet politike shqiptare, ndaj nuk duhet të bjerë në grackën politike të ngrehur nga PD ndaj tyre. Paralajmërimi i Palokës e bën edhe më të qartë se ç’lloj gjurulldie për përfitime politike kërkon të luajë opozita me çështjen Doshi.
Protesta masive për dorëheqjen e Metës nuk i shërben elektoratit shqiptar. Ajo nëse është masive, qoftë edhe sikur të mos jetë e dhunshme dhe mos sjellë përplasje të demostruesve me forcat e rendit, do theksojë vetëm një gjë: Politika shqiptare nuk ka për të ndryshuar edhe shumë vite të tjera. Do mbetet peng e dy bandave, që alternohen në pushtet duke kërkuar ndihmën e një bande tjetër më të vogël.
Publiku shqiptar i njeh mirë të dy palët dhe mbase ka të drejtë të ndjehet i dëshpëruar se nuk ka nga t’ja mbajë, pasi nuk ka forca të tjera me politikanë të besueshëm të cilëve t’ju besojë drejtimin e vendit. Por një rrjeshtim në anën e PD-së, e cila po aq sa ana tjetër , që e ka fshehur çështjen Doshi, është e pasinqertë në betejën politke, nuk do të sillte gjë tjetër veç mungesës së stabilitetit dhe ndoshta rikthimit të një situate të ëndërruar për Berishën për kërkim të zgjedhjeve të parakohshme.
Në interesin e publikut shqiptar është të maksimalizohet ajo diçka e mirë , që ka dalë në pah gjatë dhjetë ditëve të fundit.
                1. Politikanët shqiptarë kanë dalë zbuluar se nuk veprojnë në mënyrë institucionale.
                2. Prishjet e pazareve mund të sjellin edhe çarje mes tyre dhe goditje ndaj njëri tjetrit.
                3. Organi i akuzës, të paktën në dukje, po rifiton autoritetin.
Në këtë situatë, t’i japësh dorë atyre, që vepruan në mënyrë të ngjashme, me të njëjtit personazhe, katër vjet më parë, para 21 janarit, do të thotë të rindëshkosh veten edhe për të paktën 5-6 vjet të tjerë. Do të thotë se mund të tërhiqesh lehtë prej hundësh nga të njëjtit politikanë, që i kanë manipuluar të paktën 15 vitet e këtij shekulli.
Të pakënaqurit nga qeverisja e Ramës  duhet të jenë po aq të pakënaqur edhe nga opozita , jo vetëm për qeverisjen në legjislaturat e kaluara, por edhe për mënyrën e bërjes opozitë në këto 18 muaj. Edhe nëse nuk janë në gjendje të formojnë lëvizje apo formacione të reja politike, me bojkotimin e protestës të se enjtes i bëjnë mirë vetes dhe demokracisë në Shqipëri. Një protestë e tyre, e organizuar nga OJQ-të kudër të dy palëve do ishte një zgjidhje ideale, por duket se ka pak vullnet dhe para për ta bërë këtë.
Ndaj duhet lënë, që organet e akuzës të bëjnë punën e tyre dhe të shkoklavitin ‘nyjen Doshi”, e cila për fat të mirë i njollos plot politikanë shqiptarë.
Le të dalë Berisha me Palokën dhe militantët e tyre në “protestën-rrëmujë“.

Qytetarë shqiptarë mos i ndiqni!

No comments:

Post a Comment