Friday, 27 March 2015

Kundërshtoj vetveten!

Mënyra më e mirë, për të bërë një shkrim(ose më saktë për të mos dërguar për botim një shkrim) është, që pasi ta mbarosh, të ngresh një sërë pyetjesh, që venë në dyshim ato çke dëftuar në t[ apo konkluzionet, që ke nxjerrë. Sigurisht, që këtë nuk e bëj kurrë, bile as i lexoj shkrimet e mija, se e di, që po i lexova do më dalin para pyetjet, që e hedhin thuajse poshtë dhe që do kërkojnë shumë mund për të nxjerrë një shkrim të përsosur. Nuk jam dhe nuk dua të jem perfeksionist.
Po eksperimentoj, për të parë se ç’del, duke I bërë pyetje atyre ç’ka kam shkruar në shkrimin e fundit në blog, “Cështja Doshi sa ka filluar”.

Duket se ka marrë rrugën e zgjidhjes, por çështja “Doshi” sa ka filluar. Ajo nuk ka më të bëjë as me komplotin për të vrarë Tomën, as me komplotin për të ngatërruar Tomën, Metën, Llallën dhe Beçin dhe as me komplotit se gjoja gjithshka është bërë për përfitime politike para fushatës elektorale.
Cështja Doshi ka të bëjë me mungesën e pushtetit legjislativ, atij ekzekutiv dhe atij juridik në Shqipëri.

Po cilat çështje politike në Shqipëri nuk kanë të bëjnë me mungesën e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe juridik në Shqipëri? Duke nisur me futjen e Nanos në burg, ngritjen e firmave piramidale, shkatërrimin e shtetit më 1997, vrasjen e Azem Hajdarit dhe hetimet rreth saj, vjedhjet e hapura në thuajse të gjitha votimet për pushtet qëndror e vendor, grevat e panumurta të urisë, gjyqi për vrasjet e Gërdecit, ngjarjet e 21 janarit, të gjitha dëshmojnë për mungesën e 3 pushteteve.

Gjithshka , që ndodhi në verën e kaluar, me qëllime të cekëta apo të thella, me intriga djallëzore apo hajvanllëqe, dëshmoi se shqiptarëve sot ju duhet më shumë se kurrë një shtet, të cilin për fat të keq nuk e kanë.

Pse u arrestua Tom Doshi, shqiptarëve ju duhet më shumë se kurrë shteti?!

Këtë e ka kuptuar edhe Tom Doshi.
Dikur i pëlqente të manovronte doganave, të bënte privatizime të leverdisshme, të ndikonte në proceset gjyqësore, të vinte në lista dhe të hiqte prej tyre kandidatë për deputetë. Të krijonte deputetë.
Tani, i vënë para makinës që nuk ka rregulla të përcaktuara, Tom Doshi kuptoi se është më mirë një shtet i fortë dhe i drejtë, se sa ky që kemi deri tani. Këtë sinjal e kuptuan edhe shumë Dosha të tjerë, që kanë se ç’humbasin nga mungesa e shtetit.

C’dobi ka shoqëria shqiptare nëse Tom Doshi apo dhe Doshat e tjerë e kanë kuptuar se duhet shtet i fortë? Do presim , që shtetin të na e bëjnë Doshat?

Cështja Doshi ja uli deri në gjunjë brekët Institucioneve dhe do ju duhet kohë t’i ngrenë, për të mbuluar “allatet” e tyre, aspak të rregullta para popullit.

Deri tani Institucionet i kanë patur brekët e ngritura?

Një Parlament, që vepron sipas urdhërave politike(qoftë Maxhoranca apo minoranca) dhe që nuk respekton Kushtetutën, si dhe gjithë ligjet dhe rregulloret, që rrjedhin prej saj. Tre ish Kryetarë Kuvendi, Kastriot Islami, Skënder Gjinushi dhe Jozefina Topalli, e cilësuan të gjithë procesin e gabuar dhe të paprecedent.
Një ekzekutiv, që për arsye tërësisht të natyrës së shantazheve mafioze, mbajti fshehur për 6 muaj një denoncim-hetim rreth një krimi shumë të rëndësishëm, si është tentative për jetën ndaj dy deputetëve.
Një organ i akuzës, i cekët, i mefshtë, hakmarrës, jo koherent, që bën politikë më shumë se politikanët.

Kanë qënë ndryshe më parë legjislativi, ekzekutivi dhe juridiku?

Me brekë nëpër këmbë, të ngatërruara nga veprimet dhe mosveprimet e tyre do sillen edhe për muaj të tërë emrat më të rëndësishëm të politikës shqiptare nga Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha e të tjerë, jo thjesht për implikimet e tyre në çështjen Doshi , por për krijimin e kësaj mënyre të funksionimit të institucioneve të shtetit shqiptar.

I vetmi paragraph për të cilin nuk kam pyetje, por dyshim se ka pak gjasa të ndodhë.

Toma po përballet me “anti-shtetin”, që deri tani e kishte aq shumë për zemër.
Më në fund e kuptoi se sa keq është për mijra e mijra të pambrojtur të tjerë.

E kujt i bëhet vonë?

Me pak fjalë, shënimi i shkruar në vrull e sipër pas heqjes së imunitetit të Tomës dhe hapjes së rrugës për arrestimin e tij, nuk I qëndron logjikës së fortë të një redaktori me përvojë dhe pasi skuqet me pyetje dhe shënime, hidhet në koshin e plehrave ose kërkohet të ripunohet. Ripunimi mund të jetë i vështirë, por e ve shkrimin në baza të forta logjike dhe e pastron nga emocionet apo nga përpjekja për të thënë diçka me rëndësi, por që nuk ju qëndron dot pyetjeve të logjikshme.

(Një eksperiment i mirë, që do më bëjë të mendohem më shumë dhe të shkruaj më pak.)

No comments:

Post a Comment