Friday, 6 March 2015

Shah shqiptar me ashikë.

Me siguri, të luash shah nuk të ndihmon të merresh me politikë. Historia moderne nuk njeh shahistë të famshëm, të kenë qënë të suksesshëm në politikë dhe as politikanë të shquar të kenë luajtur shah dhe të kenë pasur një koefiçient të lartë ELO. Edhe lojtari më i madh i të gjitha kohëve, Gari Kasparov, dështoi plotësisht në opozitën e tij ndaj Putinit të Tmerrshëm.
Figurat e mëdha, të përzjera në çështjen Doshi, të japin për një çast, përshtypjen e një skakiere shahu, ku Berisha dhe Rama mund të mendohen si mbretëresha njëra në sulm dhe tjetra në mbrojtje të “mbretit” Meta, ndërsa Tahiri, Llalla, Didi si “oficerë“ dhe “torre”, që mendohen të pengojnë lëvizjet e çoroditura të “kalit” Doshi. Në kutitë e tjera ka edhe një numur të madh ushtarësh, ndër të cilët më simpatiku, duket ushtari, që nuk bën asnjë lëvizje, Mhill Fufi.
Por askush nuk mund të kuptojë apo të parashikojë se çdo ndodhë më tej, sepse në ndryshim të madh nga loja e shahut, që ka rregulla të caktuara dhe ku sejcila palë ka të drejtën e vetëm një lëvizjeje, në politikën shqiptare nuk ka as rregulla dhe as lëvizje të llogjikshme.
Për shembull, “mbretëresha” Berisha sulmon Metën, që duket më pak i përlyeri në këtë histori, ndërsa krahu tjetër për një “çorbë“ të gatuar në kampin e tyre sulmon kampin kundërshtar. Më i “dhjeri”, Ministri i Brendshëm, që interviston disa herë “ushtarin vrasës” të Tomës, thërret “le të lemë institucionet të bëjnë punën”, kur vetë ka vepruar në kundërshtim të hapur me ligjet dhe rregullat e Institucionit , që drejton.
Loja politike në Shqipëri jo vetëm , që ësht larg shahut, por as në lojrat më tradicionale popullore, si Kala dibrançe, me bëz, me kukamfshehti e të tjera, nuk mund të gjesh elementë, të ngjasin me atë, që shohim sot në vend.
Mbase mund të krahasohet me një lojë me ashikë, ku lojtarët jo vetëm kanë të drejtë të qëllojnë ashikët e njëri tjetrit, por edhe t’i marrin nga xhepat e lojtarëve të tjerë, t’i thyejnë me këmbë, t’i gjejnë të parregullt dhe në fund t’i flakin edhe në çati (ose t’ja mbijnë në kokë kundërshtarit).

Shah shqiptar me ashikë.

No comments:

Post a Comment