Nuk është e vështirë të bësh një llogaritje të trashë, se sa
vetë e dinin rreth atentatit ndaj Tom Doshit, para se të ndroheshin vitet.
Kur një gjë e dinë dy vetë nuk është sekret në asnjë vend,
por për më tepër në Shqipëri, ku gjërat shkojnë pak a shumë sipas këtyre
formulave:
Njerëzit e thjeshtë, ja tregojnë gruas, baxhanakut dhe tre
shokëve të ngushtë, ndërsa njerëzit me pozitë e ndajnë sekretin me gruan,
baxhanakun, tre shokë të ngushtë, sekretaren, shoferin, shefin dhe të dashurën,
nëse jo është e ndryshme nga sekretarja.
Deri tani, sipas konfirmimeve të tyre, qysh në shtator e
dinin këtë çështje Edi Rama, Sajmir Tahiri, Adriatik Llalla, Didi, zëvendësi i Didit,
shefi i Policisë së Tiranës, Ilir Meta, Monika Kryemadhi, Spartak Braho, Eugen
Beçi, Mark Froku dhe Dritan Prifti. Në nëntor e mësuan edhe Edi Paloka dhe Sali
Berisha. Pra të konfirmuar 17 vetë. Duke qënë njerëz të rëndësishëm, sipas
formulës , që përmenda më sipër, ka për çdonjërin 9 vetë, që e mësojnë sekretin
dhe në total vetëm prej tyre e dinë edhe 153 të tjerë duke e shpënë numurin në
një total prej 170. Nëse supozojmë se të gjithë njerëzit, të cilëve ju kanë
besuar janë njerëz të thjeshtë(duke mbajtur këtu për rezervë në numurim edhe shefat),
atëhere të 153 të shtuarit do ja u thonë edhe të paktën 5 të tjerëve, gjë që
shton edhe 763 të tjerë duke arritur në numurin 933.
Nuk kemi llogaritur ende të thjeshtët, që kanë pasur njohuri
për këtë ndodhi e që janë Durim Bami, Fatjon Skënderi, Ylli Xhaxhollari, Ymer
Lala dhe Petrit Cinari, që na shpie në shifrën 30(5+25) dhe duke e
rrumbullakosur jemi në shifrën thuajse 1000, duke e ndalur sekretin vetëm në
rrethin e parë.
Dihet , që për këto lloj atentatesh, çdo gjë dihet me hollësi
në burgjet e Shqipërisë dhe duke llogaritur edhe 3500 të burgosur, 400 gardianë
dhe rreth 300 avokatë, numuri i përgjithshëm arrin 5200. Po duke lënë mënjanë të
burgosurit, për gardianët dhe mund të përdorim formulën e njerëzve të thjeshtë
dhe kësaj shume lehtësisht mund t’I shtojmë edhe 2000(400x5) dhe jemi në shifra
7200. Për avoktët jemi të detyruar të përdorim formulën VIP(me sekretare,
shofer, dashnore dhe shef) dhe i shtojmë edhe 2700 të tjerë duke arritur tashmë
në 9900, pra afërsisht 10 mijë vetë, ose popullsia e Rrogozhinës, Peqinit dhe
Papërit të marra së bashku.
Bajagi.
I vetmi , që nuk kishte dijeni ishte përsëri i shkreti Mhill
Fufi.
No comments:
Post a Comment