Thursday, 26 March 2015

Cështja “Doshi” sa ka filluar.

Duket se ka marrë rrugën e zgjidhjes, por çështja “Doshi” sa ka filluar. Ajo nuk ka më të bëjë as me komplotin për të vrarë Tomën, as me komplotin për të ngatërruar Tomën, Metën, Llallën dhe Beçin dhe as me komplotit se gjoja gjithshka është bërë për përfitime politike para fushatës elektorale.
Cështja Doshi ka të bëjë me mungesën e pushtetit legjislativ, atij ekzekutiv dhe atij juridik në Shqipëri.
Gjithshka , që ndodhi në verën e kaluar, me qëllime të cekëta apo të thella, me intriga djallëzore apo hajvanllëqe, dëshmoi se shqiptarëve sot ju duhet më shumë se kurrë një shtet, të cilin për fat të keq nuk e kanë.
Këtë e ka kuptuar edhe Tom Doshi.
Dikur i pëlqente të manovronte doganave, të bënte privatizime të leverdisshme, të ndikonte në proceset gjyqësore, të vinte në lista dhe të hiqte prej tyre kandidatë për deputetë. Të krijonte deputetë.
Tani, i vënë para makinës që nuk ka rregulla të përcaktuara, Tom Doshi kuptoi se është më mirë një shtet i fortë dhe i drejtë, se sa ky që kemi deri tani. Këtë sinjal e kuptuan edhe shumë Dosha të tjerë, që kanë se ç’humbasin nga mungesa e shtetit.
Cështja Doshi ja uli deri në gjunjë brekët Institucioneve dhe do ju duhet kohë t’i ngrenë, për të mbuluar “allatet” e tyre, aspak të rregullta para popullit.
Një Parlament, që vepron sipas urdhërave politike(qoftë Maxhoranca apo minoranca) dhe që nuk respekton Kushtetutën, si dhe gjithë ligjet dhe rregulloret, që rrjedhin prej saj. Tre ish Kryetarë Kuvendi, Kastriot Islami, Skënder Gjinushi dhe Jozefina Topalli, e cilësuan të gjithë procesin e gabuar dhe të paprecedent.
Një ekzekutiv, që për arsye tërësisht të natyrës së shantazheve mafioze, mbajti fshehur për 6 muaj një denoncim-hetim rreth një krimi shumë të rëndësishëm, si është tentative për jetën ndaj dy deputetëve.
Një organ i akuzës, i cekët, i mefshtë, hakmarrës, jo koherent, që bën politikë më shumë se politikanët.
Me brekë nëpër këmbë, të ngatërruara nga veprimet dhe mosveprimet e tyre do sillen edhe për muaj të tërë emrat më të rëndësishëm të politikës shqiptare nga Edi Rama, Ilir Meta, Sali Berisha e të tjerë, jo thjesht për implikimet e tyre në çështjen Doshi , por për krijimin e kësaj mënyre të funksionimit të institucioneve të shtetit shqiptar.
Toma po përballet me “anti-shtetin”, që deri tani e kishte aq shumë për zemër.
Më në fund e kuptoi se sa keq është për mijra e mijra të pambrojtur të tjerë.



No comments:

Post a Comment