“A e kam ndienjën e realitetit?” është një pyetje, të cilën
ja bëj shpesh vetes dhe pse e di, që është një gërmim logjik në të cilin sa më
shumë të gërmosh, aq më thellë o fundosesh dhe aq më i paqartë do jesh. Edhe emërtimi
i këtij blogu, pak a shumë është një formë e kësaj pyetje.
Ku endemi?
A e dimë se ku jetojmë dhe përse?
A kemi kuptuar se ç’ka ndodhur gjatë viteve të jetës sonë?
Bota ku jetojmë (realiteti) {shtë shumë kompleks, ndaj për të
hulumtuar rreth tij dhe për të dhënë përgjigje të pjesshme duhet copëzuar në
shumë “realitete”. Ndoshta në disa syresh jemi në gjendje të orientohemi më mirë,
disa të tjerë t’i kuptojmë pak dhe disa të tjerë të mbeten për ne përfundimisht
mistere.
Realiteti, me të cilin përballem sa hap sytë, është një vend
i huaj, me dimër të ashpër, ku duhet të shkosh të punosh diku për të jetuar,
por nëse nuk I bie më qafë njeriu apo objekteve, kafshëve, mjedisit, asnjeri
nuk të pyet se nga vjen e ku shkon e për më tepër, nga “mashat” e pushtetit të
dukshëm si policia, nuk ndjehesh i kërcënuar, por i mbrojtur. Ky është në vija
të trasha realiteti i përditshëm.
Ekziston edhe një lloj realiteti “alternativ” për mua, që ka
të bëjë me rrënjët e mija.
Bota shqiptare dhe veçanërisht qyteti im i lindjes. Atje veç
kujtimeve, kam disa nga miqtë e mij më të mirë, disa prona të vogla dhe shumë
njerëz , të cilët i kam njohur gjatë jetës sime dhe kanë mbetur në mendjen time
si kanë qënë 14-15 vite më parë. Kontaktet me këtë realitet variojnë nga ëndrrat(të
cilat përgjithësisht janë shqip dhe në ambiente të njohura apo imagjinare
shqiptare), këmbimet e mesazheve me miqtë, pagesa prej tyre të faturave të mija
të atjeshme, lexime lajmesh, shikime videosh në rrjete sociale etj. Kontaktin e
vërtetë me të e kam kur vizitoj vendin dhe i shikoj njerëzit në sy. Atëhere
kuptoj më shumë, por kjo nuk ndodh shpesh.
(vijon)
No comments:
Post a Comment