Monday, 30 March 2015

Ndjenja e realitetit (2)

(vijim)
Ndaj këtij realiteti të dytë, në përgjithësi më duket se e “prek” mirë, e kuptoj dhe mund të nxjerr edhe përfundime rreth atyre , që ndodhin atje. Më duket se duke qënë larg, i papërzjerë në grupe politike apo grupe interesi, mund të gjykoj më kthjellët për ato ç’ka ndodhin në jetën shoqërore dhe politke të qytetit dhe të vendlindjes sime.
8 vjet më parë, pas një vizite në Korçë, në një kohë të lulëzimit ekonomik të Shqipërisë, më ranë në sy gjëra pozitive por edhe negative në ndërtimet në qytet. Disa prej tyre i gjykoja si gabime të rënda, që nuk duhet të lejoheshin të përsëriteshin, ndaj në atë valë emocionesh shkrojta një artikull me një titull patetik “S.O.C. Shpëtoni qytetet tona!” Nuk kisha asnjë lloj marëdhënie me shtypin shqiptar(në Korçë as mund të bëhet fjlë për ndonjë të përditshme serioze) ndaj ju luta Rikut të gjente ndonjë të njohur, që mund ta botonte. Kryeredaktori mik i një gazete e botoi dhe njëkohësisht e pyeti Rikun pak a shumë: “Po ky miku jot përse me kaq shumë pathos për ndërtimet në Korçë, kur jeton jashtë?”
Ishte një nga rastet e para, kur ndjeva se diçka nuk shkonte me “prekjen time të realitetit shqiptar”. Diçka më dukej se kishte ndryshuar tek unë dhe jo në “realitetin tim alternativ”. Kisha humbur shikimin ciniko-pragmatist, që kisha në atdhe dhe që është një nga karakteristikat kryesore të shoqërisë shqiptare. Ne kemi pasur të ngulitur, që pas çdo veprimi qëndron një qëllim i caktuar(përfitimi material) dhe me këtë mundohemi të spjegojmë ç’do gjë. Për shembull për shoqatat fetare, që vërshuan në Shqipërinë ku feja ishte e ndaluar themi se kanë prapaskena politike dhe ekonomike, kryepeshkopin Janullatos e quajmë agjent të shërbimeve sekrete, organizatat e huaja për mbrojtjen e mjedisit i cilësojmë si të shkalluar ose njerëz që s’kanë ç’I bëjnë paratë e me rradhë. Kështu , që dikush, që ka jetuar për dis dekada në Korçë dhe ka vite që jeton jashtë e shkruan shumë i shqetësuar për qytetin e tij, ose ka një qëllim të fshehur ose “nuk mbush mirë“. Eshtë absurd të mendosh, se njerëzit harxhojnë nga koha e tyre dhe në vend të “shkojnë e pinë një gotë birrë për qejf” shkruajnë dhe kritikojnë gabimet që bëhen në ndërtime apo qeverisje në një vend ku nuk jetojnë.
Por ky është realiteti.

Dhe realiteti pikërisht sepse është i tillë është më i fortë se dëshirat e mira apo më shumë akoma , se sa ëndrrat.
(vijon)

No comments:

Post a Comment