Saturday, 7 September 2013

Shpresa humbet e fundit!


Në ditët e një krize të zgjatur ekonomike, në kushtet e një krize të madhe morale, në çastet kur për shumë shqiptarë horizontet duken të mbyllura, një shkëndijë shprese rrezëllon.

Thuhet që një përqindje e madhe e njerëzve në Azi, Lindjen e Mesme dhe Europën Lindore, janë pasardhës të Xhingiz Khanit dhe djemve të tij. Edhe pse nuk ka statistika të sakta, nuk është ndonjë çudi e madhe, që Kryekatili Mongol dhe pinjollët e tij të kenë fjetur me hir e me pahir me mijra e mijra gra në perandorinë më të madhe që ka njohur njerëzimi. Dhe në kohën kur nuk ishte shpikur jo vetëm pilula e "mëngjesit të nesërm", por as edhe mjetet e thjeshta mbrojtëse, kuptohet që nga Kina e deri në Danub, u lindën mijra e mijra Bastardë Khanësh. Ndoshta kjo spjegon edhe problemet shekullore dhe luftrat që nuk  ndahen nga këto treva.

Po si çdo lloj medalje edhe kjo e bastardëve ka anën tjetër, që bën të lindë shpresa edhe në situata ose në vende ku ndjehet e humbur. Edhe pse kërkon një brez, pra të paktën një çerek shekulli, përsëri është shpresë, në rast se në brezin e sotëm riprodhues ekziston ndienja e fortë e patriotizmit.

Këto më shkonin ndërmend para disa ditësh, ndërsa lexoja një intervistë të një personaliteti shqiptar dhënë një gazete të huaj. Ishte një fjali e vetme e tij që nxiti këtë kaskadë mendimesh që fillojnë në Lindjen e Largët e shekujve më parë e përfundojnë në ëndrrën e Rilindasve për ta bërë Shqipërinë Zvicrën e Ballkanit. "Unë jam tepër Skandinav për këtë vend". Kjo ishte fjalia.

Pra shpresa ekziston! Në vend të Zvicrës mund të bëhemi Norvegjia pa fiorde e Ballkanit. Pas 30 vjetësh. Mjafton që çiftet patriotë të vendit, të kuptojnë se sa e rëndësishme është për Shqipërinë të ketë mijra e mijra skandinavë. Qoftë edhe me fekondim artificial!

Friday, 6 September 2013

... ja edhe nje flete gazete...


 

FLETE GAZETE

 

 
Fleta është e çjerrë,
E çjerrë, por jo e rrudhur
Si ky muzg i përgjumur
Në këtë qoshe të mjerë.
 
Prerë është gjysma e gojës,
Gojës lumturisht hapur
Ndërsa syve  të zbardhur
Nderet shkëlqimi lakmonjës.
 
Në gisht të ndriçon rrethi
Rrethi i madh me gurë të çmuar,
Që shumë e pate dëshëruar,
Më shume edhe se detin.
 
Per kë të derdh lotë?
Lotë të turbullt, të hidhur,
Per shpirtin tënd të panginjur
A veten harruar në k’të botë?
 
I mbetur kruspulluar,
Kruspull prej kësaj jete
Mbuluar me fletë gazete
Ne qoshen e pandriçuar.
 
Kam frikë nga agimet
Agimet më shumë se nga nata
Ditët me diell, të pakta,
Qe kane zbërdhylur kujtimet.
 
Por më keq ndjehem për ty
Për ty, mik dikur i mirë
Që shpirtin ke në errësirë
Ndonëse shkëlqimin në sy.
 
Një ditë batica do vijë.
Do vijë të më heqë nga kjo qoshe,
Mua dhe jetën time boshe
E deti i zi do më përpijë.
 
Duke zbritur shkallaret e ferrit
E ferrit që mbledh mëkatarët,
 Me supet pa u tundur nga t'qarët,
 Por shtangur i gjithi prej tmerrit,


 Të vetmin kujtim nga kjo jetë
 Do të kem ty me të shtrenjtën veshje
 Dhe me lakmitaren ngërdheshje
Në foton e të grisurës gazetë.

Sa te bukur i ke floket!

Sa të bukur i ke flokët,
Këtë pjesë vallzore të trupit!
I përndan era e thatë e jugut
Shiroku i ngjit pas kokës.
 
Më lidh me flokët e tua,
Të drejtë e të errët si pikëllimi
Jashtë më mbaj të më thajë thëllimi
Të ndjesh sa shumë të dua.
 
Lotët mbi mollëza mbetur
Me tufën sipër ballit m’i përthaj,
Pështjellë me krrela ngrohtë më mbaj
Shpirtin, jo trupin e tretur.

Thursday, 5 September 2013

Fryme Dashurie


Si nuk kthehet ajo kohë e rrallë,
Kur ajri me shume se oksigjen
        Ka jone marrëzish bashkuar
                   Dhe polen ëndrrash trupore;
Kur brenga shpirtin s'e bren;
Kur nuk thua:
"Po nesër vallë?"
             Këtu do jemi
                    Apo do jemi harruar?"

Gega i Matit (vijon dialogu i B dhe E)


Eneu- Nuk ka për të folur pas klithmave. Duhet të përmëndim një nga fjalëtkyç.

Buthroti- Edhe ky me pasuërd?

Eneu- Nuk është e njëjta gjë. Duhet më tepër një fjalë-temë e rëndësishmë, që të ngacmojë nënndërgjegjen.

Buthroti- (Thërret) Qeveria.

Eneu- Tepër e rëndomtë. Aspak nxitëse.

Buthroti- (mendohet pak) E ardhmja.

Eneu- Shumë e përgjithshme.

Buthroti- Hasta la vista.

Eneu- Nuk është domosdoshmëri të jetë në gjuhë të huaj.

Buthroti- Efekti serë.

(Gega i Matit lëviz njërën këmbë sië është i shtrirë në stol.)

Buthroti- (i ekzaltuar nën zë) Reagoi. E pe reagoi?!

Eneu- (Pëshpërit)...mos u ndje sa të fillojë të flasë.

Buthroti-(Me zë të ulët) Të rregjistroj me celular.

Eneu- (E ndal) Në asnjë mënyrë.

(Presin disa sekonda të shtangur, por asnjë lëvizje në stol.)

Buthroti-(nën zë) Të përsëris edhe njëherë fjalëkyçin?

Eneu- Duhet të përmendim të tjera fjalë rreth të njëjtës teme.

Buthroti-(me zë të lartë) Dyoksidi i karbonit.

Eneu- Skolareske.

Buthroti- Marëveshja e Kiotos.

Eneu- Tepër protokollare.
 
(vijon)

Tuesday, 3 September 2013

Papa Bergolio dhe Thashethemet.


Papa Françesko ose ish kardinal Bergolio është një nga personazhet më të spikatur të këtij viti bashkë me Asadin, Xhorxhin e vogël të Britanisë së Madhe dhe Eduard Snouden.

Mediat pasqyrojnë gati të gjitha veprimtaritë e tij, e ndonëse nuk është shumë për të besuar në to, duhet thënë që është ndryshe nga paraardhësit e tij dhe ndoshta ka një ndikim pozitiv në shoqërinë e sotme njerëzore. Në rastin më të keq, qarqe të dyshimta me peshë në mediat, përdorin popullaritetin e posafituar të papës(ndoshta edhe njëfarë naiviteti të tij), për të lënë më pak vend në lajmet kryesore për temat e vërteta që duhet të mbizotërojnë njoftimet e përditshme në botë.

Më ra në sy para disa ditësh, që Bergolio në një nga fjalët e mbajtura po dënonte me ashpërsi Thashethemet, duke i quajtur si një dukuri tepër negative e njerëzimit, "që vret".

Mu kujtua fundi i viteve '60(duhet të ketë qënë 1969), kur pas përmendjes në një fjalim programatik ose gati programatik nga sho Enver të dukurisë negative të Thashethemeve, filloi në gjithë Shqipërinë një valë e madhe lufte ndaj thashethemeve dhe thashethemexhinjve. Sigurishtr, që dukuria konsiderohej si një mbeturinë e së kaluarës, ose karakteristikë e botës borgjeze dhe revizioniste që nuk përputhej me moralin tonë proletar. Shokut Enver i priste shpata në të dy anët dhe edhe pse nuk i bëhej vonë për thashethemet(ai regjim zaten e mbështeste një pjesë të mirë të informimit mbi to), nuk e kishte për gjë të sulmonte "sëmundjen si edhe të sëmurët", kur ja donte puna.

Po Papa ç'ka kaq keq me thashethemet në një botë ku mbizotërojnë vese sa e sa më të këqia e më me pasoja se to? A ka marë mbi vete rolin e një Komisari të Plotfuqishëm, që vigjëlon mbi moralin e Njerëzimit apo është më dinak se sa duket?

Ndonëse në gjithë kulturat thashethemet(ose si pëlqehet sot të thuhet rëndom gosip) shikohen jo me dashamirësi dhe zyrtarisht dënohen, është fakt që zenë një vend të madh në bisedat e përditshme dhe për fat të keq duket se nuk janë ulur me rritjen e qytetërimit. Shpesh, "carët" e thashethemeve jo vetëm nuk përbuzen, por janë njerëz të fuqishëm në shoqëritë e tyre, jo thjesht për paratë që fitojnë nga ”industria gossip", por nga ndikimi që kanë në qarqet e larta.

Po a i kundërvihet Papa këtyre 'carëve", e ka me thashethemllëkun e zakonshëm, apo e ka me ato që qarkullojnë rreth fëlliqësive të Vatikanit, që fillojnë me "lobin e homoseksualëve", mbulimin e poshtërsive të priftërinjve pedofilë e mbyllen me tranaksionet e pastrimit të parave nga Banka e Vatikanit?

Një gjë është e sigurt. Të fuqishmit e kësaj bote i pëlqejnë thashethemet, por kur nuk kanë të bëjnë me fëlliqësitë e tyre. Bergolio besoj se nuk hyn në kjo kategori, por trembem se sulmin ndaj gosip e ka të këshilluar nga njerëz dinakë që ka përreth, të cilët duan të platitin zërat, që nxjerrin herë herë të palarat e Vatikanit.

Sunday, 1 September 2013

Ikse te thyera

Kreu 1

 

 

          Vapë. edhe shumë njerëz rrotull. Ai mendoi të largohej. Ajo po vonohej dhe celularin e kishte mbyllur. Ndoshta ishte penduar. Mbase kishte të drejtë të mos vinte. Ishte 18 vjet më e re dhe e bukur. Ndoshta edhe me shumë admirues edhe pse përsëriste që s'kishte kohë as për të flirtuar...Rina:nuk vij dot...ngeca në mbledhje u shfaq në ekranëzin e celularit të tij dhe ai u ngrit i lehtësuar nga ndenjësja. Mund të shkonte në zyrë.

          Në tryezën e zyrës ndodheshin të gjitha, si i kishte lënë para se të dilte. Dukej, që as pastruesja nuk kishte guxuar të hynte gjatë mungesës. fletëza e verdhë, e ngjitur tek ekrani i kompiuterit kishte rënë. E ringjiti dhe e lexoi me mendje sërish:-Kontrollo lidhjen e V.V. me N.P.

          Vibrimi i celularit në xhepin e këmishës e shkëputi nga mendimet rreth fletverdhëzës. Ishte Rina.

          -Po

          -.....

          -S'ka gjë...u tremba se mos...nejse u tremba kot.

          -......

          -S'prish punë pra...Tani më duhet të shkoj në burg...Të telefonoj kur të dal...Hajde ciao ciao...

          -......

          -...edhe unë...

          i hodhi edhe njhere sytë në shënimi me V.V. dhe N.P. dhe u nis për në qelitë e izolimit.

          Thuajse në të njëjtin çast, avokati Rrem Vindi zbriti nga Mercedesi i tij dhe i zgati dorën policit të rojes. Ai ja shtrëngoi duke buzëqeshur dhe i thirri një adoleshenti që rrinte në një vitrinë ngjitur me rrethimin me kangjella  "Tito, parkoja bencin avokatit ke parkingu shefave". Duke buzëqeshur, Rrem Vindi, kaloi nga anash metalkontrolluesen dhe u drejtua drejt korridorit të gjatë në të majtë të hyrjes.

          "Bo bo kulmi. Po s'me nxori edhe këtë javë do vdes këtu brenda. Të gjithëve ju kanë futur celular...Avokati thotë të kem durim dhe t'ja le të gjitha atij. Po pse Vladi nuk bëhet i gjallë? Tani e kapi turpi? Nuk mund të duroj dot më. Ata mbajnë erë të gjithë. Po ushqimi i shpifur? Sot do ja them të gjitha Rremit...Ose..."...këto mendonte Krisi duke shkuar drejt dhomës së marjes në pyetje, i shoqëruar nga një prej rojeve të dhomave të izolimit. e kishin arrestuar krejt papritu, në pabin "Zum Zum", ndërsa ishte duke folur në telefon, me një nga miqtë e tij të Ambasadës Britanike. Nuk e kishin lënë as të mbaronte bisedën, por i ishin drejtuar duke i treguar shenjat e Shërbimit Informativ. Ishin një çift, të cilët i kishte parë ne tryeza ngjitur, por nuk i kishin tërhequr vëmendjen. I kishte ndjekur pa bëzarë jashtë  dhe me ta ishin bashkuar edhe dy të rinj të veshur sport, që nuk kishin treguar nëse ishin  të të njëjtit Shërbim. Më pas, e gjithë biseda e parë ishte kryer brenda një furgoni me shenja të kompanisë turke të celularëve, parkuar jo më shumë se pesëdhjet metra larg pabit. Atje e kishin kontrolluar e i kishin gjetur 6 zarfëza me kokainë të pastër.

(vijon)