Saturday, 7 September 2013

Shpresa humbet e fundit!


Në ditët e një krize të zgjatur ekonomike, në kushtet e një krize të madhe morale, në çastet kur për shumë shqiptarë horizontet duken të mbyllura, një shkëndijë shprese rrezëllon.

Thuhet që një përqindje e madhe e njerëzve në Azi, Lindjen e Mesme dhe Europën Lindore, janë pasardhës të Xhingiz Khanit dhe djemve të tij. Edhe pse nuk ka statistika të sakta, nuk është ndonjë çudi e madhe, që Kryekatili Mongol dhe pinjollët e tij të kenë fjetur me hir e me pahir me mijra e mijra gra në perandorinë më të madhe që ka njohur njerëzimi. Dhe në kohën kur nuk ishte shpikur jo vetëm pilula e "mëngjesit të nesërm", por as edhe mjetet e thjeshta mbrojtëse, kuptohet që nga Kina e deri në Danub, u lindën mijra e mijra Bastardë Khanësh. Ndoshta kjo spjegon edhe problemet shekullore dhe luftrat që nuk  ndahen nga këto treva.

Po si çdo lloj medalje edhe kjo e bastardëve ka anën tjetër, që bën të lindë shpresa edhe në situata ose në vende ku ndjehet e humbur. Edhe pse kërkon një brez, pra të paktën një çerek shekulli, përsëri është shpresë, në rast se në brezin e sotëm riprodhues ekziston ndienja e fortë e patriotizmit.

Këto më shkonin ndërmend para disa ditësh, ndërsa lexoja një intervistë të një personaliteti shqiptar dhënë një gazete të huaj. Ishte një fjali e vetme e tij që nxiti këtë kaskadë mendimesh që fillojnë në Lindjen e Largët e shekujve më parë e përfundojnë në ëndrrën e Rilindasve për ta bërë Shqipërinë Zvicrën e Ballkanit. "Unë jam tepër Skandinav për këtë vend". Kjo ishte fjalia.

Pra shpresa ekziston! Në vend të Zvicrës mund të bëhemi Norvegjia pa fiorde e Ballkanit. Pas 30 vjetësh. Mjafton që çiftet patriotë të vendit, të kuptojnë se sa e rëndësishme është për Shqipërinë të ketë mijra e mijra skandinavë. Qoftë edhe me fekondim artificial!

No comments:

Post a Comment