Thursday, 8 June 2023

Për ata, që ankohen për ndërhyrjet e ambasadores Kim


Ka shumë njerëz pranë politikës dhe mediave, të cilët ankohen për ndërhyrjet e ambasadores Kim në politikën shqiptare dhe në çështjet , që i takojnë juridikut. Më të shumtët janë përkrahësit e Berishës, pork a edhe shumë të paanshëm, të deklaruar kundër Ramës, si dhe nën zë shumë socialistë përfshi edhe Ramën, që arriti deri në një deklaratë absurde të ministers Xhaçka, se mandati në Shqipëri i Kim po i afrohej fundit (ndaj Këshilli I Prokurorisë nuk duhej të emëronte në krye të SPAK-ut Dumanin, por Kondilin e Ramës).

Rasti i freskët i daljes nga burgu i Tahirit dhe arrestimi i Dakos i nxorri me një pikëvështrimi të çuditshme ata që ankohen për ambasadoren Kim, ose Kimeten si e quajnë me përbuzje. Sipas tyre, një “drejtësi me shtyrje nga të huajt” nuk është Drejtësia që kërkojmë, se nuk është një Drejtësi e Vërtetë. Në pamje të parë duket si një mbrojtje e parimit të Pavarësisë të Sistemit Juridik, por në vetvete është thjesht një vazhdim i qëndrimit anti-amerikan, që rrjedhimisht është edhe një qëndrim jo në dobi të Shqipërisë.

Drejtësia ideale nuk mund të krijohet as në një vit e dy, por do një brez ose më shumë.

Meqënëse kjo është një e vërtetë gati absolute, nuk ka asnjë arsye të shtiremi si parimorë. Në rradhë të parë duhet të gjykojmë se cili është interesi I Kim dhe i Amerikës në ndërhyrjet e vazhdueshme në Drejtësi. Duan amerikanët që të kontrollojnë Drejtësinë ronë për ta kthyer vendin në një Republikë Bananesh? Kjo mund të jetë vetëm një hipotezë-propagandistike ala Enver Hoxha.  Një Drejtësi e cila është nën monitorimin e amerikanëve është në interesin e plotë të qytetarëve të Shqipërisë. E ashtuquajtura Drejtësi e Re nuk mund të vijë nga një planet tjetër dhe as mund të realizohet nga juristë amerikanë, anglezë apo gjermanë. Do bëhet nga juristët tanë, të cilët për arsye të shumta që fillojnë me shkollimin, e vazhdojnë me formimin familjar, me traditën e jurisprudencës shqiptare dhe me trysninë që ndjejnë në familjet e tyre nga shteti nuk mund të jenë as shumë të zotë, as të kulluar dhe as plotësisht të pavarur.

Eshtë fat që një pjesë e tyre ndjejnë trysninë që ushtron ambasada amerikane.

Eshtë më mirë të ndjejnë trysninë e krimit të organizuar apo të politikanë bastardë?

Një Drejtësi të tipit të Europës së Veriut apo të Amerikës do kemi kur të kemi një shoqëri të ngjashme me shoqëritë e tyre. Drejtësia “tallaviste” është pasqyrë e një shoqërie “tallaviste”.

Ndaj të akuzosh ambasadën amerikane e cila ka financuar ndryshimin e ligjeve që lidhen me Sistemin e Drejtësisë, ka investuar në shkollimin e gjykatësve dhe prokurorëve dhe që ndjek hap pas hapi zhvillimet brenda sisitemit juridik shqiptar është jo thjesht dashakeqësi ndaj SHBA-së, por dashakeqësi ndaj qytetarëve shqiptarë.

Ambasada amerikane është e ndërgjegjshme, që ka dalë nga petku i diplomacisë, por kjo gjë na intereson më shumë ne shqiptarëve se sa amerikanëve. Ndaj t’i akuzosh për tejkalimin e kompetencave si diplomatë është një poshtërsi ndaj Shqipërisë në kuptimin e mirëfilltë të kësaj fjale. Eshtë të mos duash asnjë lloj Drejtësie, sepse kërkon diçka që është e pamundur të realizohet.

No comments:

Post a Comment