Sunday, 11 June 2023

Ja pse jam me Pepen


“Adhurimi” për Pepen ze fill më se 50 vjet më parë, kur më magjepsi futbolli i “Ajaksit”. Ishte diçka e re, e paparë deri në atë kohë dhe e ndryshme nga futbolli i brazilianëve, i anglezëve dhe më tepër akoma nga futbolli i ashpër i latinëve, ku kryesonte futbolli italian. U quajt “futbolli total” dhe si cilësi kryesore kishte parimin “të gjithë në sulm dhe të gjithë në mbrojtje”. Ishte një gërshetim i forcës fizike me teknikën e disa lojtarëve të veçantë dhe mbi të gjitha loja në grup, që nuk lejonte hapësira të mëdha për kundërshtarët. Ishte një lojë, që e nxorri futbollin nga gjendja disi statike, që ishte deri në atë kohë.

Të njëjtën lojë bëri edhe ekipi i Hollandës në eliminatoret dhe finalet e kampionatit botëror të vitit 1974, që edhe pse u mund në finale, mbetet një nga ekipet kombëtare më të mirë të të gjitha kohërave. Filozofia e atij futbolli ishte të luaje në të gjithë sektorët e fushës dhe të kontrolloje sa më gjatë topin duke dominuar mbi kundërshtarët. Ishte e kundërta e futbollit Italian të “katenaçios”, i cili kishte patur disa suksese në vitet ’60 dhe ’70 me ekipin kombëtar dhe skuadrat italiane. Pra mbi të gjitha ishte një futboll spektakolar, i cili i mbante lidhur futbolldashësit pas ekranit të televizorit.

Sigurisht që edhe brenda Hollandës dhe Ajaksit kishte disa lojtarë që shquanin mbi të tjerët dhe më i madhi ishte Johan Krojf. Në vitin 1973 ai filloi të luajë me Barcelonën dhe me atë klub pati lidhjen më të gjatë. Krojf futi tek Barcelona një lloj futbolli të ngjashëm në filozofi me atë të Ajaksit, por nisur nga cilësitë e lojtarëve spanjollë ishte disi i ndryshëm. U quajt “tika taka” dhe është loja mbi të cilën bazohet edhe filozofia e Guardiolës. “Të dominosh kundërshtarin duke mbajtur sa më gjatë në kontroll topin.”

Eshtë sërish një futboll spektakolar dhe që kërkon pjesëmarjen e të gjithëve në të gjithë fushën. Eshtë një lojë e vështirë, që kërkon shumë impenjim për lojtarët, por që kur kryhet me sukses jep jo vetëm fitore, por edhe një lojë të bukur, çka ju pëlqen spectatorëve. Ka një ndryshim të madh me filozofinë e Murinjos, i cili rikthehu “katenaçion” në futbollin europian duke kërkuar suksesin e ekipit edhe në dëm të lojës së futbollit.

Sigurisht që një futboll të tillë nuk e bën dot çdo klub. Janë vetëm disa klube në Europë të cilët kanë një numur të madh lojtarësh me cilësi të mira teknike dhe fizike. Por edhe filozofia e trainerit luan një rol të madh në të. Dhe nuk kanë qënë vetëm Kovaç dhe Miçëlls trainerët që kanë provuar “futbollin total” ose nënvariantet e tij. E kanë bërë në mënyrë të suksesshme edhe Arrigo Saki me Milanin, Mishel Hidalgo me Francën dhe të sipërpërmendurit Krojf dhe Guardiola me Barcelonën dhe ky i fundit tashmë edhe me Mançester Sitin.

Eshtë futbolli më i ndershëm dhe më i bukur! Sepse i përmbahet parimit: “Mund të fitohet edhe duke luajtur bukur.”

Ja pse e “adhuroj” Pepen!

No comments:

Post a Comment