Saturday, 10 June 2023

Sa introvert si je!


Kam dashur gjithë këto vite të zbuloj se kush jam në të vërtetë dhe meqënëse nuk kam mundësi financiare për një udhëtim disamujor në Indi, jam përpjekur të gjej mënyra më ekonomike për ta bërë këtë. Për shembull jam munduar të lexoj libra nga ata, që hyjnë në kategorinë “supë pule për shpirtin”; të kërkoj në internet rreth njerëzve që kanë cilësi të afërta me të mijat; të pyes miq të afërt se si mund të më kategorizojnë e të tjera të ngjashme. (Këtë të pyetjes së miqve e ndala pasi pyeta një mik bajagi të mençur, i cili më karakterizoi si “gur të lehtë, sepse nuk jam në vendin tim.”)

Por dhe në internet, të dhënat shpesh herë janë kontradiktore. Ndoshta edhe sepse nuk kam përvojën e duhur se si të kërkoj. Për shembull, pasi kërkova në google se “ç’cilësi kanë njerëzit, të cilët nuk janë të prirur pas të ëmblave”, më doli që këta njerëz kanë tendencë të kundërshtojnë të tjerët dhe nuk janë shumë të predispozuar të ndihmojnë. Nga që nuk më pëlqeu kjo përgjigje, mendova t’i bëja Google një pyetje asgjesuese (si ato të Leninit) dhe shkrojta “ka lidhje mes mbipeshës dhe mungesës së intelektit?”. Këtu më duket e zura “mat” edhe Google-n edhe komunitetin e shkencëtarëve, se megjithëse ka shumë të dhëna se “rondokopët” (si puna ime) kanë intelekt më pak të zhvilluar, nuk është arritur të gjendet nëse intelekti i pakët e sjell mbipeshën apo mbipesha shkakton rënien e intelektit.

Por çudia më e madhe për mua ishte , kur zbulova se shënja e Ujorit është shënja më introverte mes dyzinës së shënjave. Paskam qënë introvert dhe nuk e kam ditur! Dhe e gjithë kjo ka ardhur se nuk kam pasur besimin e duhur në Horoskopi. Nuk e kam ndjekur as se si do e kem fatin në dashuri, shëndet dhe në të ardhurat. Aq më pak të udhëhiqesha në veprimet e mija sipas planeteve që hynin në konstelacionin e Ujorit për të marrë vendimet e duhura në kohën e duhur dhe në vendin e duhur. Pa le të thellohesha se ç’është Ujori, përse quhet i tillë dhe ç’virtyte dhe të meta ka. (Duhet edhe të pranoj që veten e futja në shënjën e Shu..orit, sepse kisha parë figurën e një njeriu që derdhte ujët.)

Tani që dyshoj në çdo mendim që kam pasur më parë për veten dhe mundohem të gjej se “cili jam Unë?” del se ka shumë gjasa që unë të jem introvert. Dhe këtë sa e mësova ja raportova menjëherë avokatit tim, i cili ka këmbëngulur se unë duhet të bëj “mea culpa” për ca sjellje jo të hijshme shoqërore. Njëra është refuzimi i një ftese për një dasëm, ndërsa tjetra mospjesëmarrja në një funeral. (E gjitha tingëllon si një derivat i orkestrës të “Për dasma dhe funerale” të serbo-boshnjakut Bregoviç.)

Tani nuk ka nevojë të shkruaj materialin e gjatë të kërkimit falje, se këto episode paskan ndodhur sepse unë jam introvert. Dhe më shumë se aq, një injorant introvert se këtë nuk e kam ditur. Se po ta dija arsyen se pse nuk po s hkoja në dasëm dhe në funeral (që tani e kuptoj se më shterren fuqitë kur jam në një mjedis me shumë njerëz) unë do e kisha vënë arsyen në përgjigjen RSVP të ftesës dhe do kisha dërguar edhe haber për çështjen e funeralit.

E keqja është se energjitë më bjerren edhe kur jam vetë dhe detyrohem të dal pyjeve përreth e të llafosem me drurët. Dhe kam përshtypjen se ata më kuptojnë, se duken shumë introvertë.

 

No comments:

Post a Comment