Thursday, 22 June 2023

Bereqaversën, kemi shëndenë!

 

Kjo nuk është një shprehje e pagoditur ngushëllimi. Mund të shërbejë edhe kur punët të të kenë shkuar si mos më keq. Kur tëtëra kursimet të kanë ikur në një firmë piramidale, kur të ka lënë gruaja pas tridhjet vjet martese, kur anijae pasiguruar me gjithë ngarkesë të është mbytyr, kur të kanë nxjerrë nga shtëpia se nuk ke paguar qeranë e dhjetra e dhjetra gjëra jo të mbrothta, që mund të të ndodhin gjatë jetës. Dhe këtë ngushëllim mund t’ja thuash edhe Safetit pas daljes së videos erotike, Alma Beqirit pas arrestimit apo rektores së universitetit të Shkodrës pas pezullimit nga detyra. Eshtë një ngushëllim me vlera universal që t’i heq hallet si me dorë. (Nuk funksionon për ata që i ka zënë ndonjë sëmundje nga ato që hyjnë në kategorinë “sëmundje e keqe”, por edhe universalizmi ka karakter relativ.)

Unë në këtë çështjen e shëndetit (shnetit- sipas dialekteve mbiShkumbinore) nuk jam me shoferin Tajar, që vite më parë më deklaronte “Shnet do derri, se robi do pare!” Jam me Nino Manfredin, që në këngën e tij të njohur “Tanto per canta” thotë “Mjafton të kesh shëndetin dhe një palë këpucë të reja dhe mund t’i biesh botës vërdallë! (Dhe ishte një këngë filozofike-lirike, që nuk i bënte reklamë ndonjë firme të prodhimit të këpucëve.)

Eshtë e natyrshme (sikundër mund të jetë dhe absurde), që të gjitha qeveritë në botë, të të gjitha sistemeve, edhe pse e vlerësojnë me fjalë shëndetin e njerëzve, Ministritë e Shëndetit i kanë aty nga fundi, diçka më lart se Ministritë e Sportit edhe pse kjo e fundit ndoshta është mirë të jetë e përfshirë tek shëndeti, si parandaluese. Por nga rëndësia vijnë Financat, Lufta, e Jashtme, e Brendëshme dhe me rradhë deri atje ku mbërrijnë Turizmi dhe Shëndeti. Madje po të shohësh edhe ministrat e Shëndetit kudo në botë janë emra të panjohur, madje mund të jenë edhe shëndetligj.

Grykësia jonë e pakufi (që gjithashtu të dëmton shëndetin) na ka bërë të vlerësojmë Luftën, Paranë, Biznesin, krimin sig jërat më të rëndësishme dhe pasi t’i rregullojmë këto kemi dhe automatikisht të rregulluar dhe shëndetin, kur është krejt e kundërta. Vende të zhvilluara ku njerëzit duhet të falimentojnë kur kanë problem të shëndetit, vende të pazhvilluara ku mungojnë gjërat bazë që lidhen me shëndetin dhe më pas kompani minerare apo të industrisë së drurit, që për të fituar shkatërrojnë shëndetin e milionave.

Duket që Njerëzimi ka hyrë në një spirale të errët shkatërrimi e cila të bën gjithnjë e më pesimist dhe nuk të mjafton për ngushëllim as shprehja:

“Bereqaversën kemi shëndenë!”

E kemi, por me një qera shumë të lartë dhe në duar të dyshimta!

No comments:

Post a Comment