Para disa javësh u largua nga jeta dikush që njihej si Mashtrues. Me një lloj cinizmi, një miku im pyeti nëse kishte ikur vërtet apo mashtronte edhe këtë rradhë. Në cinizmin e tij kishte një të vërtetë, që “mashtruesve të karrierës” nuk ju besohen as të vërtetat e sigurta. Ky është reagimi i natyrshëm i njerëzve.
Duhet të pranojmë se liria në këtë sistem që jetojmë dhe
orientimi i shoqërisë drejt fitimit rrit në mënyrë gati eksponenciale
mashtruesit. (Duhet të cilësoj ndryshimin mes gënjeshtarëve dhe mashtruesve,
sepse me këta të dytët nënkuptoj ata që gënjejnë me qëllime fitimi.) Mashtruesit
tani i gjen kudo, nëpër rrjete sociale, në telefonata, në bare, dhe në vende si
i joni edhe në zyrat e shtetit. Skemat e fitimit janë nga më të ndryshmet, me
trashëgimi nga një xhaxha i panjohur, me ndjekje nga policia dhe doganat, me
investime në kriptomonedhat, me dhënie parash me fajde të larta e dhjetra të
tjera që dëshmojnë për fantazinë krijuese të mashtruesave.
Një dukuri e re është shfaqur në këto dhjetvjeçarë në Shqipëri-
Shtimi i femrave në këtë kategori. Dikush mund të thotë se ky është tregues i përparimit
të shoqërisë shqiptare, i barazisë së gjinive dhe i emancipimit të femrës
shqiptare, por është diçka më shumë se kaq. Eshtë tregues i një shoqërie, të
cilën e pret kalbëzimi. Mundësia është shumë e madhe që nga nëna mashtruese të
lindin fëmijë mashtrues. Jo e njëjta gjë mund të ndodhë me fëmijët e baballarëve
mashtrues. Se po të ishte kështu, në këto 4-5 mijë vjet patriarkat, ku
mashtruesit varionin nga profetët e rremë dhe deri tek magjistarët sharlatanë
(thuajse të gjithë meshkuj) shoqëria njerëzore do kishte përfunduar keq e më
keq me kohë.
Por ka dhe diçka , thellë në subkoshiencën tonë, që na bën të
pambrojtur nga mashtrimi. Kam vënë re se një pjesë e mirë e njerëzve parapëlqejnë
të mashtrohen. Drejt njerëzve që njiheshin që mashtronin (e kam fjalën për botën
shqiptare), nuk rreshtnin së shkuari njerëz pavarësisht nga reputacioni që
kishte ai person. Ndoshta se bota që paraqesin mashtruesit është një botë e
bukur, gjithë ngjyra, me probleme që zgjidhen, krejt e ndryshme nga bota e vërtetë,
e cila është jo vetëm gri, por shpesh edhe e pamëshirshme. Ndaj nëse njerëzit I
ve përballë realitetit, duke ju thënë të vërtetën, duke ju shpjeguar vështirësitë
apo të pamundurën edhe pse ana e tyre
racionale mund ta kuptojë atë, përsëri dominon pjesa iracionale “nuk ka asgjë të
pamundur”. Dhe mbi këtë premisë kanë “shirë“ vazhdimisht mashtruesit.
Unë nuk njoh as në botën shqiptare, por edhe në këtë përtej
oqeanit, ndonjë mashtrues, që të jetë rrënuar ekonomikisht edhe pse mund të mos
ketë bërë asgjë veç mashtrimit.
Berni Madof (Bernie Madoff) krijuesi i skemës Ponci më të
madhe të të gjitha kohëve edhe në burg ja shkoi bajagi mirë. Vërtet që hiri i tij
ndodhet tani në një zyrë avokati se askush nuk merr përsipër ta varrosë, por
ndoshta ishte i sigurt që në ferr do shkonte (ose i sigurt që nuk kishte ferr)
ndaj dhe nuk i bëhej vonë kur mashtronte edhe njerëzit e afërt.
No comments:
Post a Comment